TEKSTESHQIP
Biografia
Irma Kurti është poete, shkrimtare, autore e teksteve të këngëve, gazetare dhe përkthyese. Ajo është italiane e natyralizuar. Ka shkruar rreth 200 tekste këngësh dhe është pjesëmarrëse në festivale të muzikës së lehtë në Shqipëri, Kosovë dhe në Maqedoninë e Veriut.

Irma Kurti filloi të marrë pjesë si autore e teksteve në veprimtari muzikore qysh në bankat e shkollës së mesme. Ndër debutimet e saj përmendim këngën "Qyteza e Naftëtarit", në Festivalin e Qytetit të Kuçovës në 1983 të kompozuar nga Aleksandër Vezuli si dhe në Festivalin e Studentit me këngën "Çel një këngë e re në zemër" në 1984, ku kënga u nderua me çmimin e parë. Më pas do të vijonin bashkëpunimet me kompozitorët Ilir Dangëllia, Luan Zhegu apo te tjerë në këngët "Urimi yt", në Festivalin e Interpretuesve Qershor 1986, "Mbrëmja që mban dashurinë time", "Pranë të kaltrit det" "Letër malli", "Një çast në kujtesën tënde", "Shikomë në sy", "Nuk iu zemërova pranverës", Trokite te dera etj, që mbeten edhe sot të paharruara për publikun.

Tekstet e Irma Kurti dallohen për lirizmin, origjinalitetin dhe stilin rinor që përcjellin tek dëgjuesit e muzikës së lehtë. Irma Kurti është ndër të rrallat poete shqiptare që shkruan tekste këngësh në tri gjuhë: në Shqip, Italisht dhe Anglisht. Në vitin 2024 debutoi edhe si këngëtare duke interpretuar këngën: "Streha" me tekstin e shkruar prej saj dhe me muzikë të kompozitorit Petrika Agolli.

Vlerësimet Në Itali Dhe Në Botë

Irma Kurti ka filluar të shkruajë e të botojë poezi që në moshë të vogël. Për poezinë dhe prozën i janë akorduar 90 çmime në konkurse të ndryshme letrare në Itali, Zvicër, SHBA, Filipine, Liban e Kinë.
Në vitin 2013 fitoi çmimin ndërkombëtar "Universum Donna" për letërsinë dhe emërtimin "Ambasadore e Paqes" nga Universum Academy dhe Universiteti i Paqes në Lugano,
Zvicër. Në 2020, për kontributin në fushën e poezisë, nderohet me titullin "Akademike dhe Presidente Nderi" e Enciklopedisë Poetike Italiane.
Në vitin 2021 nderohet me çmimin "Liria" nga Komuniteti Arbëreshë në Itali. Po ashtu, i janë akorduar çmimet "Leonardo da Vinci", 2021 dhe "Giacomo Leopardi" nga Shoqata Kulturore "Chimera" në Leçe.
Në vitin 2022 u nderua me çmimin "Ambasadore Europiane" si dhe "Poetja më e mirë e vitit" për arritje të rëndësishme në fushën e letërsisë. Në të njëjtin vit emërohet Ambasadore për Shqipërinë e Çmimit Akademik Internacional të Letërsisë Bashkëkohore Seneca organizuar nga Akademia e Arteve dhe Shkencave Filozofike në Bari.
Iu dha titulli "Damë e Urdhërit të Dante Alighierit" nga Republika e Poetëve. Është nderuar me diplomën e meritës dhe medaljen Grazia Deledda nga Komiteti Kombëtar brenda Enciklopedisë Poetike WikiPoesia me rastin e 150 vjetorit të lindjes së poetes së madhe italiane.
Irma Kurti është nderuar me çmimin e Karrierës nga Universum Academy Switzerland në Zvicër. Ka fituar gjithashtu çmimin prestigjoz Naji Naaman Literary Prize, 2023 në Liban.
Ajo u vlerësua me "Çmimin e Kulturës" në Konkursin Ndërkombëtar të Letërsisë AIDO, në Coccaglio, Brescia, në 2024.

Irma Kurti është anëtare jurie në disa konkurse letrare në Itali, si dhe përkthyese pranë Fondacionit "Ithaca" në Spanjë. Ka botuar 29 libra në gjuhën shqipe, 25 në italisht, 15 në anglisht dhe 2 në frëngjisht. Të gjitha librat i dedikohen kujtimit të prindërve të saj të dashur Hasan Kurti dhe Sherife
Mezini që e kanë përkrahur dhe inkurajuar në çdo hap të rrugëtimit letrar. Ka përkthyer 20 libra të autorëve të ndryshëm, si dhe të gjitha veprat e saj në italisht dhe anglisht. Irma Kurti është një nga poeteshat shqiptare më të përkthyera dhe më të botuara jashtë kufijve të Shqipërisë. Librat e saj janë përkthyer dhe botuar në 16 vende të botës: Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanada, Francë, Itali, Greqi, Holandë, Belgjikë, Rumani, Turqi, Kosovë, Filipine, Kamerun, Indi, Kili, Serbi dhe Kolumbi.