TEKSTESHQIP
Irma Kurti - Mbrëmë Binte Shi
Irma Kurti
Mbrëmë Binte Shi

Kënga vjen me tekst nga vetë artistja.
 Poezia është shkëputur nga libri "Humbur mes ngjyrash", Youcanprint, 2022.

Teksti :: Song Lyrics

Mbrëmë binte shi; ai trokiste
mbi çati duke krijuar pellgje
të vegjël, melodi të trishtuara
me nota që pikonin nostalgji.

"Ku je vallë?", belbëzoja unë,
ndërsa litarët e shiut ngadalë
seç ravijëzonin të shkujdesur
portretin e mallit mbi xham.

Edhe sa kohë do të mbetemi
pezull në këtë largësi që vret,
duke kërkuar fjalë që s'vijnë;
ato me krahë lirie emigrojnë
drejt të dashuruarve të tjerë.

Edhe sa ditë do të zvarritemi
pa u parë, pa u prekur të dy?

Mbrëmë binte shi; ai trokiste
mbi çati duke krijuar pellgje
të vegjël, melodi të trishtuara
me nota që pikonin nostalgji.

"Ku je vallë?", belbëzoja unë,
ndërsa litarët e shiut ngadalë
seç ravijëzonin të shkujdesur
portretin e mallit mbi xham.
Komente 0