TEKSTESHQIP
Irma Kurti - Njerëzit E Shtrenjtë Janë Pak
Irma Kurti
Njerëzit E Shtrenjtë Janë Pak

Këngën e punoi vetë artistja.
 Poezia është shkëputur nga libri "Nuk është ky deti" botuar nga ADA, 2016.

Teksti :: Song Lyrics

Ndonjëherë takoj gëzime aq të mëdha
sa kërkoj t'i ndaj me botën mbarë,
nis e thërras të gjithë të njohurit,
po njerëzit e shtrenjtë janë aq pak!

Të afërm, janë larguar prej kohësh,
kujtimi i tyre rrezaton vetëm dritë,
kanë zënë një vend në mendjen time
që kur hidhja hapat e parë, fëmijë.

Ëndërroj të kem nënën për një çast,
kokën t'i mbështes në prehër lehtë,
të mbyll sytë nën magjinë e zërit
që si fllad më nanuris e përkëdhel.

Të kem pranë gjyshërit e mi të mirë,
ata, më tepër i kam njohur në ëndërr,
t'u kuptoj brengat, t'u puth rrudhat,
të trokas gotat dhe të qesh me zemër.

Ndonjëherë takoj gëzime aq të mëdha
sa kërkoj t'i ndaj me botën mbarë,
nis e thërras të gjithë të njohurit,
po njerëzit e shtrenjtë janë aq pak!
Komente 0