TEKSTESHQIP
Irma Kurti - Dy Martesa
Irma Kurti
Dy Martesa

Autore e tekstit është vetë artistja.
 Irma Kurti: "Dedikuar prindërve të mi të shtrenjtë në përvjetorin e martesës në 7 shkurt 1965. Dedikuar Nënës sime që, shumë vite më vonë, në atë ditë të veçantë për mua, e kam menduar me aq dashuri, me mall, nostalgji dhe me dhembjen pafund që ajo nuk mundi të më shohë të veshur me fustan të bardhë, siç e kishte ëndërruar aq shumë...".

TEKSTI :: SONG LYRICS

Kushedi ç’mendoje
atë ditë
të egër dimri,
e veshur
me fustan të bardhë,
ndërsa dëbora
godiste me zemërim
xhamat
e apartamentit të ri.

Apartamentit bosh
që nuk e mbushnin
të ftuarit, as buzëqeshjet.
Nënë, nuk di
se si je ndier, vallë,
larg vendlindjes tënde,
në horizontin e qytetit
të vogël e të trishtë
me emrin Elbasan.

Qielli hidhte grimca bore
si copëza fjalësh
që provincën ushqenin
deri në përjetësi.
Por ti ishe e qetë,
sytë të rrezatonin diell,
ai i shkrinte flokët e dëborës,
kushedi, nëse ardhjen time
në ajër përceptoje.

Je ndier ndonjë çast e vetmuar?
Nuk arrita të të pyes kurrë.

Ashtu si unë, nuse,
atë ditë me diell e shi,
e rrethuar
me qindra të ftuar,
reflekse dritash
e shampanjë,
e gëzuar... por aq e vetmuar
në thellësi të shpirtit,
sepse mungoje ti.
Komente 0