(1881-1956)
Biografia
U lind në një familje e varfër dhe për të mbijetuar punoi si bahçevan e berber, deri në moshën 25 vjeç. Mbrëmjet i kalonte me miqtë e tij duke kënduar muzikë popullore, ku dhe spikati me zërin e ëmbël dhe veshin e mprehtë muzikor.
Një autodidakt i lindur, Isuf Myzyri mësoi violinën dhe bashkë me instrumentin magjik nisi kompozimin e këngëve të para, vargjet e të cilave i shkruante vetë megjithëse nuk kishte kryer asnjë klasë shkollë.
Në vitin 1905 krijoi orkestrën e tij popullore në Elbasan, të përbërë nga Thoma Prifti në klarinetë, Mehmet Balashi në lahutë, Arif Topalli, dajre, Musa Bebeti, mandol, ndërsa pjesë e formacionit të tij ishin edhe instrumentë të tjerë si cyrl bishtgjatë.
Orkestra e drejtuar nga artisti Myzyri interpretonte në sheshe, dasma, festa dhe në pikat turistike të qytetit dhe shumë shpejt krijoi repertorin me këngë erotike, historike dhe patriotike. Nuk munguan në krijmtarinë e tij edhe këngët për sektin bektashi, të cilit ai i përkiste.
Në një prononcim për ATSH-në etnologu, Thanas Meksi, veçon edhe kostumin kombëtar si karakteristikë të orkestrës. "Isuf Myzyri ishte edhe një zanatçi i qelesheve, të cilën e mësoi në Tiranë nga miku i tij Rexhep Murthi dhe ajo (qeleshja) ishte një karakteristikë e gjithë instrumentistëve të orkestrës së tij", tregon etnologu Meksi.
Si një krijues i palodhur, në harkun kohor të 10 viteve (1929-1939) Isuf Myzyri kompozoi 16 këngë, ndër të cilat përmenden "Ma mirë n’pyll, se n’qytet", "Kur hyna n’port t’kalasë" "Në zabel të gjeta", "Nji lulisht me trandafila" etj.
Në librin "Enciklopedia e Elbasanit", evidentohet se Isuf Myzyri është autori i 90 krijimeve poetike e muzikore, por që vetëm 21 prej krijimeve të tij njihen në ditët e sotme.
Shumë shpejt krijimtaria e tij i kapërceu "kufinjtë" e Elbasanit dhe këngët e tij ishin pjesë e dasmave dhe tryezave në mbarë Shqipërinë.
"Ai i këndonte dashurisë për vendlindjen e tij, Elbasanit, natyrës, vajzës elbasanase, traditës së qytetit, bujarisë etj. Këngët e tij u kënduan me shumë pasion në Shqipërinë e mesme dhe u mbajtën gjallë nga këngëtarëti Met Balashi, Arif Topalli, Maria Dhama, Vëllezërit Zena, Mustafa Mehja, Zina Zdrava, Suela Sadiku etj", shton Meksi.
Isuf Myzyri ndërroi jetë në 22 tetor të vitit 1956, por krijimtaria e tij e pasur, me vargje dhe melodi, vazhdon të jetë pjesë e jetës së përditshme.
Në vitin 1956, me rastin e 76 vjetorit të lindjes, Presidiumi i Kuvendit Popullor e dekoroi me "Urdhrin e Punës së Klasit të Dytë". 22 vjet më vonë, më 7 qershor të vitit 1978, u nderua me titullin "Artist i Popullit", ndërsa Elbasani qyteti i tij i lindjes e ka shpallur "Qytetar Nderi".
Prej mëse 12 vitesh, figura e Isuf Myzyrit është përjetësuar me një monument që ngrihet në sheshin "1 Maji" të Elbasanit, ku me violinën në dorë artisti "përulet" çdo ditë përballë publikut, të cilët vazhdojnë të këndojnë dhe përcjellin këngën e tij në të gjitha krahinat e Shqipërisë dhe në diasporë.
Sot Ansambli i Këngëve dhe Valleve në Elbasan mban emrin "Isuf Myzyri", sepse këngët dhe muzika e "Usta" Isuf Myzyrit, përfaqësojnë një pjesë të rëndësishme të traditës së këngës popullore shqiptare.