>
LETERSISHQIP

Nuk Dilet Në Një Kohë Tjetër

Përbotshëm rrugëtoj kohëve
ndjek gjurmët e imagjinatës me dëshira
rreth e përqark u bije mendimeve
a se gjejë derën e një kohe tjetër
hapur,
derës që më fut tek po dua
me dashtë pak më mirë,
jo me dalë shpejtë

sikur të isha Frymë Veriu
do të fryja luginave e majave, sonte
do i përkulja lisat e plisat,
këtë kohë kisha për ta ndërruar:
ta bëja një kohë tjetër.
do t’i hapeshin dyert shpresës
e shpresë do të kisha
për një kohë më të mire

sikur të isha sonte Dritë Dielli
do shtrinin qafen më të bukurat e qytetit,
uaaa sa rreze e mire
syrin e dashurisë do t’ma mbyllin,
shpërqëndrueshëm
flokët duke shprishur me gishta
kjo do të ishte biseda
por nuk dilet në një kohë tjetër

sikur të isha ai që s’jam
edhe në një kohë tjetër do dilja,
por ja që jam, ky që jam
shkronjë e fundit e harrimit
i lënë për një kohë tjetër,
siç ruhen gjërat e çmuara,
jo si ushqimet e festave për gëzime
sot për sot
nuk dilet në një kohë tjetër.