>
LETERSISHQIP

Letrat Tona

Shkëmbyem unazat
edhe s'kish se si
Njeri-tjetrit ne mund t'ia çelim zemrën,
Unë ikja larg; mendja mbet tek ty .
Në çengel të shpirtit -dy sy e një emër.

Na shihte Kupidi,
ne s'e shihnim dot.
Për Shën Valentinin nuk dinim aspak.
Kur të zgjata dorën, syri tu përlot,
Se më priste puna,
disa orë larg .

Nuk ishim mësuar
ç'trysni sjell largesa;
Nga adoleshenca qe fshirë çdo gjurmë...
Në të tjera prova na hidhte mungesa:
Kush ndjenjës t'i jepte
një zjarrmim më shumë.

Dhe buisën letrat
si gjethe pranvere
Një garë e hovshme nga dy zemra prush.
Flatrim i ndërsjelltë ishte asokohe
Veç e dinim ne dhe tjetër askush...

Tash si në muze
prehen letrat tona.
Kur në dorë i marrim, biem në trishtim.
Ne të kemi kemi shkruar kaq bukur në kohra !
Oh, vite rinie,
s'do kini harrim... !