>
LETERSISHQIP

Tercina Për Gurrën E Konckës

Gurgullo ndën gurë, o Gurrë,
Gurgullimën mos resht kurrë!
Pranë teje u bëra burrë…

Me atë ujë argjendi
Bekimi Zotit të gdhëndi
Te ky vend, rrëzë një shkëmbi.

Fshati im, Koncka nën Tharg
Ndër shekuj mburret me hak
Me një GURRË e një ÇALAK…

Ky blerim që mbulon Konckën
Ngjan sikur zileps gjithë botën.
Ç’mrekulli, ta duash tokën!

Po e do tokën me shpirt
Ajo të fal mrekullit’
Edhe jetën ta përndrit.

Toka e Konckës – jetëplot
Uron Gurrën jetë e mot.
Nga shoshoqja s’ndahen dot.

Me ujët e Gurrës n’ behar,
Me djersn’ e konciotëve si ar
Toka nxjerr margaritar…

Kam thurur dhe këngë për ty,
Gurrë e shtrenjtë, ujëflori!
Sa mall kam të t’shoh me sy!

Të jem mirë me shëndet
T’i ndreqi rrugët ky shtet,
Do të vi më shpesh e shpejt.

Gurgullo ndën gurë, o gurrë,
Je për Konckën Shenjt – Ogur*
Mos t’u sostë kënga kurrë!

*Ogur = fat i mirë.