(1725-1788)
Biografia
At Juli, prift uniat, mësimet i filloi e i mbaroi në kolegjin e përmendur arbëresh të Shën Adrianit, në Shën Mitër të Koronës (San Demetrio Corone). Bashkëkohësit dëshmojnë se At Juli ka qenë një prift i drejtë e shpresëtar. Meqë ishte djalë i vetëm, prindët dëshironin ta martonin përpara se të dorëzohej prift. Variboba nuk ishte i atij mendimi sepse e urrente martesën, por pas shumë lutjesh nga familja e farefisi, pranoi të shkonte në Napoli për të gjetur nuse. Pasi qëndroi disa kohë në qytetin e madh, u kthye më në fund në fshat ku hapi fjalën se nusja do të mbërrinte së shpejti. Nuk mbeti njeri pa dalë të shikojë e të përshëndesë nusen e Varibobës, por u çuditën së tepërmi kur panë në vend të nuses një shtatore të Zonjës Shën Mëri. Djaloshi s'përmbahej dot nga gazi, hoqi unazën e tij dhe ja shkoi në gisht Zonjës së Bekuar duke thënë se ajo ishte nusja e tij.
Më vonë At Juli u padit në Vatikan se kish rënë në mëkat me një vajzë të fshatit, mëkat të cilin e pohon edhe vetë ne kreun e dytë të veprës së tij, dhe për të cilin u dërgua syrgjyn në Romë. Në Qytetin e Përjetshëm u njoh me shumë dijetarë e filozofë të Kishës, u pendua për mëkatin që kishte bërë dhe shkroi veprën e tij të pavdekshme "Gjella e Shën-Mërisë Virgjër", e cila u botua në Romë më 1762. At Juli vdiq në Romë duke meshuar dhe menjëherë u hap fjala se trupi i tij nuk ra përdhe, por qëndroi një pëllëmbë mbi tokë derisa e morën për ta përcjellë në banesën e fundit.