>
LETERSISHQIP

Fryn Kjo Era E Jugut

Fryn kjo erë e Jugut e më sjell të ngrohtin,
Herë me vrull furishëm e herë me puhizë,
Herë me shije kripe, herë me aromën e Jodit,
Herë me aromën tënde, porsi trëndafil.

Herë më bën të vuaj e më ngacmon shpirtin,
Herë më trazon ndjenjën, si dallga në Jon.
Herë me pika djerse, më mbulon të gjithin,
Herë si llavë vullkani, më djeg e përvëlon.

Herë si një kitarë, më sjell tingëllimin,
Herë këngët e zogjve, që rendin përmbi dallgë,
Herë si serenatë vjen bashkë me agimin,
Me rrezet e diellit, që zbresin përmbi shtrat.

Ah, kjo serenatë që më nxori gjumin,
Dhe më prishi ëndrrën, mëngjesit në të gdhirë,
Kjo puhizë e lehtë që më fryu nga Jugu,
Seç ma dehu shpirtin, mallin që kam për ty.

Fry moj erë e Jugut, aromën të më sjellësh,
Nga kopshtet e mbushur plot me trëndafilë,
Të më freskosh ballin, shpirtin të më dehësh,
Të më shuash etjen, zjarrin që kam në gji!...