Trebeshina filloi studimet në Shkollën Normale të Elbasanit, por i ndërpreu më 1942, kur u aktivizua në Luftën Nacionalçlirimtare. Pas vendosjes së regjimit komunist në Shqipëri, ai shërbeu si oficer i Drejtorisë së Mbrojtjes Popullore, që ishte homologe e OZN-së jugosllave, dhe që drejtohej nga Koçi Xoxe. Botimi i tij i pare është në vitin 1953, kur botoi parë dramën historike "Kruja e çliruar". Trebeshina studioi në Institutin e Teatrit "Ostrovski" të Leningradit, po nuk i përfundoi ato. Në vitin 1961 arrin të botojë poemën "Artani dhe Min'ja ose hijet e fundit të maleve" dhe një përkthim pa emër të Garsia Lorkës. Gjatë kohës së komunizmit i kaloi 17 vjet në burg. Pjesa më e madhe e veprave të Trebeshinës kanë nisur të botohen në fillim të viteve '90 në Prishtinë: Stina e stinëve, 1991; Mekami, melodi turke, 1994; Historia e atyre që s'janë, dramë, 1995, Tregtari i skeleteve, 2006, Këngë për Kosovën, 2007, Shtigjet e shekujve, 2007 dhe në Tiranë: Legjenda e asaj që iku (ribotim i Stina e stinëve), 1992; Koha tani, vendi këtu, 1992; Qezari niset për në luftë, 1993; Rruga e Golgotës, 1993; Lirika dhe satirë 1994: Hijet e shekujve, 1996; Ëndrra dhe hije drama; 1996 etj. Megjithatë pjesa më e madhe e veprës së Kasëm Trebeshinës është ende në dorëshkrim: 18 vëllime me poezi, 42 pjesë teatrore, 21 romane e vëllime me tregime etj.