(1949-1979)
Biografia
Talentin e tij prej muzikanti, Gjini e tregoi që në moshën pesëvjeçare, ndërsa kompozimin e parë, një këngë për fëmijë, e ka bërë kur ishte vetëm 11 vjeç. Pasi mbaroi gjimnazin, atij iu desh të studionte, me porosi të mjekëve kardiologë, jo në degën që ai dëshironte, inxhinieri, por për gjuhë angleze. Në moshën 18-vjeçare, Kastrioti kompozoi këngën "Kartolina" që bëri jehonë në vitin 1968. Pas përfundimit të fakultetit Kastrioti do të punonte si gazetar në Radio Tirana, këtu do të vendoste dhe kontaktet me kompozitorë të shquar, orkestrantë dhe autorë tekstesh. Kastrioti njëherësh gjallëroi shpresën artistike e profesionalizmin e kërkuar te brezi i tij i kompozitorëve të viteve ‘70-të, të cilët me krijimet e tyre kanë merita të mëdha artistike, por edhe njerëzore. Ata kompozitorë janë pararendës në kërkim të "Lirisë së Munguar", lajmëtarë të thyerjes së barrierave të izolimit dhe deformimit që i bëri njeriut sistemi i kaluar. Kastriot Gjini bën pjesë në atë bashkësi krijuesish, të
cilët meritojnë emrim "luftëtarë të hapësirave krijuese" njerëz të tillë jetojnë kohën, nuk e përdorin atë, jetojnë jetën dhe nuk e shtrydhin atë. Kostriot Gjini mori me vete një pjesë të pakënduar të krijimtarisë së tij, aq sa mund të quhet "Uragani i ndërprerë i këngës." Profesor Çesk Zadeja do të shprehej për Kastriotin se "ka sjellë me kompozimet e tij melodi dhe këngë të veçanta, origjinale, të mbështetura në folkun e Shqipërisë së Jugut, që i ka pëlqyer rinia dhe po i vlerësojnë të gjithë
". Këngëtari që ka punuar për një kohë të gjatë me Kastriot Gjinin, Sherif Merdani shkruan: "Kastrioti është pionier i folkut shqiptar të viteve ‘70-’79. Këtë nuk e them vetëm unë, por edhe kompozitor të njohur si Agim Prodani. Më kujtohet njëherë se kur Kastrioti ishte ulur në piano dhe po më tregonte këngën që do të këndoja në festival, Agimi hapi derën, i shkon nga pas, i kap kokën me të dy duart dhe i thotë se po e shtrëngonte të nxirrte ndonjë melodi e ta fuste në xhep për festivalin që
do të vinte. Ai i thotë Kastriotit se ishte i pashtershëm, plot melodi dhe bënte këngë të mrekullueshme, që do të kujtohen e këndohen gjithmonë."
Dëshira e familjes Gjini për të pasur një fëmijë u realizua. Edhe "mosmarrëveshja" burrë-grua për emrin e fëmijës, i ati donte ta quanin Kastriot, ndërsa e ëma Pirro, u zgjidh me short. Foshnja u quajt Kastriot, që shkurt do ta thërrisnin Oti. Fëmijëria e tij nisi e mbarë, sepse ishte dhe gëzimi i parë i familjes. Kastrioti u rrit në çerdhe dhe në kopsht si të gjithë fëmijët atëherë. "Oti ishte një fëmijë me bukuri dhe shëndet të spikatur. Në kopsht ishte i përkëdheluri i edukatoreve, sepse ishte shumë i shkathët, dinte shumë vjersha, recitonte dhe këndonte bukur. Derisa filloi shkollën, kishte një të mbajtur të lehtë të gojës, që dukej se e kultivonte vetë, sepse e ndihmonte të fitonte kohë për përgjigje të mençura, por me kohë u zhduk. Të vetmin shqetësim që kishin edukatoret ishte se Kastrioti i bezdiste me pyetje, nëpërmjet të cilave i vinte ato shpesh në siklet. Kur u transferua në Gjirokastër, Kastrioti ishte 3 vjeç.
Që i vogël, ai ishte një koleksionist pullash, pra i dhënë pas filatelisë, madje, albumi i tij me pulla ruhet edhe sot nga vëllai, Spartaku. Në të numërohen 2000 pulla nga 150 shtete", tregojnë prindërit. Dëshira e tyre ishte që Oti të mësonte patjetër një vegël muzikore, jo me ndonjë synim, por thjesht që ai më pas ta kishte si argëtim të tijin në jetë. Nisur nga kjo, kur ishte katër vjeç, prindërit i blenë për ditëlindje një piano, organo të vogël, nga një vizitor që kishte ardhur nga Amerika, pasi të tilla nuk kishte atëherë në vendin tonë. Prindërit admironin pasionin dhe vullnetin e tij për muzikën, por shqetësoheshin kur Oti mbyllej brenda dhe nuk kishte dëshirë të luante si më parë me shokët e moshës së tij. Talentin e Otit e mori në dorë Leko Pano, fizarmonicisti që drejtonte rrethin e fizarmonikës në Shtëpinë e Pionierit, në Gjirokastër. Pranimi i Kastriotit në këtë rreth u bë jashtë kritereve me dëshirën e mirë të drejtorit të Shtëpisë së Pionierit Gjirokastër, Jorgo Bulo.
Ish-shefi i muzikës në Estradën e Gjirokastërës, Selman Mamani kujton: "
Na duhej një fëmijë, sa më i vogël në moshë, që të dinte t’i binte ndonjë melodie me fizarmonikë për të hapur shfaqjen. Shkova në Shtëpinë e Pionierit dhe Leko Pano, që drejtonte rrethin e fizarmonikës, më rekomandoi Kastriotin. Mbeta disi i habitur nga shpejtësia, me të cilën ai i lëvizte gishtat mbi fizarmonikë. E mora me vete dhe i thashë drejtorit të Estradës se kisha zbuluar një "gjeni" të vogël. Drejtori në fillim mendoi se bëja shaka, por kur e dëgjoi më dha të drejtë. Parapëlqyem melodinë e këngës "Violina Cigano", që në atë kohë ishte shumë e përhapur. Në skenë, natën e shfaqjes, Kastrioti doli shumë mirë. Luajti melodinë dhe recitoi madje edhe një poezi të Majakovskit me 11 strofa në rusisht. Suksesi ishte i jashtëzakonshëm dhe që atëherë në Gjirokastër Otin e thërrisnin "burri me pantallona të shkurtra". Për të mos e humbur vitin, prindërit e futën në shkollë pa mbushur 7 vjeç. Një vit më vonë, në
Gjirokastër shkon Ferdinad Deda, i cili ishte emëruar mësues në gjimnaz. Njohja me mjeshtrin Deda dhe mësimet që mori në piano prej tij, ishin eveniment i rëndësishëm në jetën e Otit. Ferdinadi do të hapte një kurs për piano, duke mos lënë pas dore punën në gjimnaz. Aty i kishte rënë në sy Kastrioti me talentin e tij.
Kompozimi i parë, kur ishte 11 vjeç
Kur Kastrioti ishte 11 vjeç, prindërit e tij transferohen nga Gjirokastra në Tiranë. Pra, ai kohën më të hershme të fëmijërisë e kaloi në Gjirokastër. Ardhja në kryeqytet ishte fillim i ri në jetën e Otit. Atij iu desh një farë kohë që të ambientohej dhe të zinte shoqëri të re. Qëlloi që shtëpia e familjes Gjini të ishte fare pranë asaj të Ferdinand Dedës, me të cilin Kastrioti ishte miqësuar që në Gjirokastër. Por, nuk do të vononin edhe njohje të reja, si për shembull ajo me Robert Radojën, që merrej me orkestrimin e këngëve të Festivalit të Pionierve në Tiranë. Radoja kujton: "Isha ngarkuar të orkestroja këngët e Festivalit të Parë të Pionierve. Po punoja në studio, kur më ndërpreu zilja e telefonit. Nga ana tjetër e receptorit po më fliste një grua. Quhej Krisanthi Gjini dhe më tha se kishte një djalë që kishte kompozuar një këngë dhe dëshironte t’ja shikoja unë. I thashë se do ta prisja djalin e saj të nesërmen pas orës 10-të të paradites. Kastrioti hyri në zyrën time bashkë më
një shokun e vet. E ftova të ulej, por ai e refuzoi ftesën time. Atëherë pa vonesë i kërkova që të më tregonte këngën. Ai me fizarmonikë dhe unë e shoqërova në piano. Partiturën ia kishte shkruar Ferdinand Deda. Ishte një këngë e përkryer në të gjitha komponentët e saj. Kënga, çuditërisht, kishte një strukturë të zgjedhur e motive të reja. Kjo ishte kënga e veçantë nga të gjitha këngët e tjera që isha duke orkestruar, këngë që i përgjigjej moshave të fëmijëve, me hop cilësor si në përmbajtje ashtu edhe në atë të sferës intonative, ku ndihej dukshëm melodia e zonës dhe imagjinata e kompozitorit të ri me disa melodi të reja. Ajo që më bëri përshtypje ishte se tekstin e kishte shkruar vetë dhe e kishte titulluar "Fyelli i bariut". E orkestrova dhe komisioni nuk pati asnjë vërejtje për atë këngë. Kënga u vlerësua me çmim të parë dhe kjo më gëzoi së tepërmi. Që nga ajo ditë vazhdova të bashkëpunoja me Kastriotin, duke i orkestruar shumë këngë të tjera edhe më të bukura, jo vetëm për
fëmijët, por edhe për të rritur, sidomos për rininë, derisa u nda nga jeta".
Studenti dhe kompozitori
Kastrioti e mbaroi gjimnazin në vitin 1967, më rezultate të shkëlqyera. Problem tashmë mbetej dega që ai do të zgjidhte në universitet. E ëma donte që Oti të vazhdonte studimet për mjekësi, ndërsa i ati dëshironte që ai të vazhdonte studimet në Konservatorin e Muzikës. Nga ana tjetër, Kastrioti me disa shokë kishin vendosur të vazhdonin studimet së bashku në inxhinieri. Nuk duhet harruar se 18-vjeçari vuante nga një sëmundje e zemrës, e cila iu shfaq që në moshën 9-vjeçare dhe ishte gjithnjë nën kujdesin e mjekëve. Këta të fundit nuk deshën që ai të vazhdonte as inxhinierinë e as mjeksinë, pasi kishin ngarkesë për një pacientë si Kastrioti. Me rekomandimin e mjekëve edhe prindërit vendosën që ai të studiojë në degën e gjuhës angleze. Në këtë periudhë, me gjithë vështirësitë shëndetësore, Kastrioti arriti të krijojë shumë këngë për fëmijë. Këto këngë dalloheshin për meloditë e thjeshta dhe pëlqeheshin shumë nga fëmijët. Në veçanti ai u kushtonte rëndësi këngëve për moshat e vogla.
Ndër krijimet më të bukura të tij, janë këngët "Koli, Beni Azeta dhe vijat e bardha", "Hekurudhën ndërtojmë", "Më i shkathti, më i shpejti", "Lugina e Shkumbinit" dhe shumë e shumë të tjera.
"Kartolina", kënga që pushtoi zemrat e rinisë
Në vitin 1966, grupi i famshëm "Beatles", kishte arritur në majat e muzikës së lehtë. Ky grup ishte tepër i preferuar edhe për të rinjtë shqiptarë të asaj kohe. Nën ndikimin e këngëve të tyre, një mori kompozitorësh hodhën në pentagrame muzikë ndryshe nga ajo që ishte luajtur më parë. Kontakti me muzikën e këtij grupi e frymëzoi Otin, që deri atëherë kishte kompozuar këngë për fëmijë, të shkruante muzikë të re dhe të dilte përpara publikut me këngën e veçantë "Kartolina". Kjo këngë, për herë të parë doli në publik në korrik të vitit 1968. Tekstin e saj e kishte shkruar Agim Shehu, orkestrimin Ferdinand Deda dhe e këndoi i famshmi Sherif Merdani. Ishte një koiçidencë e këndshme se ditën që do të shpallej kënga fituese, Kastrioti kishte ditëlindjen. Në shtëpinë e tij ishin mbledhur të gjithë shokët e shoqet dhe prisnin me ankth shpalljen e fituesit. Kur spikeri i radios tha se fituese e anketës muzikore të muajit korrik ishte kënga "Kartolina", në dhomën e kompozitorit Gjini shpërthyen
urratë. Kënga pati sukses të jashtëzakonshëm. Në të gjitha ambientet, radio, televizion, estrada, mbrëmje vallëzimi, rrugë, autobusë, e kudo dëgjohej vetëm kënga "Kartolina". Kënga kishte mbërritur te njerëzit dhe kudo përsëritej refreni: Kush e shtyn të fluturojë/Do ta shoh nga shkrimi i saj/Ajo vetë do ta tregojë/Kur në dorë do ta mbajë. Pas kësaj kënge filloi një kthesë e madhe në krijimitarinë e Otit. Ai filloi të kompozonte këngë të tilla si "Kabina 3", "Bashkë ndërtuam një urë", "A do të vish sivjet në plazh", "Treni s’ndalon", "Fqinja", "Duart e tua", "Zëri i nënave" etj. Shtypi i kohëh dhe kolegët flasin me admirim për talentin e të riut 18- vjeçar, Kastriot Gjini. Sipas kujtimeve të kompozitorit të shquar Aleksandër Lalo, e veçanta e këtij kompozitori ishte se ai nuk vinte nga sallat e konservatorit, por ishte një njeri i talentuar edhe pse nuk kishte kryer shkollë muzike. Kjo ishte dhe befasia e "Kartolinës" dhe e të gjithë krijimtarisë së tij muzikore. Në këtë mënyrë,
Kastrioti u rreshtua në brezin e atyre intelektualevë të rinj, që hynë në luftë me konceptet dogmatike e konservatore në vitet ‘70-‘80-të.
Gjini edhe publicist
Në vitin 1971, Oti diplomohet në Fakultetin e Gjuhës dhe Letërsisë, dega anglisht, dhe emërohet gazetar dhe komentator politik në radio Tirana, sektori i jashtëm. Profili kresor i punës së tij, ishte gazetaria, muzika ishte një plus për të, pasion i vjetër. Oti brenda një periudhe të shkurtër, më pak se 9 vjet, pati një veprimtari jo të vogël në fushën e publicistikës. Autorsinë e tij kanë më shumë se 9000 artikuj, pamflete, radio-dramatizime kushtuar heronjve, pjesë teatrale, si dhe tregime të ndryshme. Sipas kolegëve të tij në Radio Tirana, Kastrioti që në fillim krijoi një stil të tijin origjinal, të cilin e ruajti deri në fund. "Për tetë vjet që ai ka punuar në radio ka qenë një gazetar më vizion të gjerë. Ai zotëronte katër gjuhë të huaja, kishte një bagazh të gjerë kulturor dhe artistik. Pa dyshim, ai ishte një nga gazetarët më të mirë që kishim në atë kohë", shkruan në kujtimet e tij, ish-drejtori i Përgjithshëm i Radiotelevizionit Shqiptar, Çajup Rusmali.
Shpërthimi i talentit në këngët "Fqinja", "Duart e tua", "A do të vish sivjet në plazh"
Gjatë kohës që punonte në Radiotelevizion, Kastriotit iu krijuan mundësi për t’u njohur edhe bashkëpunuar më kompozitorë të njohur, orkestrues, këngëtarë e poetë, me të cilët do të strukturonte këngët e tij. Kjo është koha më e artë e krijimtarisë muzikore për Kastriot Gjinin. Kësaj periudhe i përkasin edhe këngët më të bukura që ai kompozoi si: "Fqinja", "A do të vish sivjet në plazh", "Duart e tua", "I njoh sytë e tu", "Çapkënes", "Vajzës që dua", "Ne studentët" e të tjera. Të gjitha këngët e Otit nisën nga disa fabula poetike, të qarta, konkrete, të thjeshta si skena të jetës rinore. Mjaft tekste janë marrë nga librat e poetëve tanë më të mirë. Si Fatos Arapi, Dritëro Agolli, Xhevahir Spahiu etj. Sipas kujtimeve të bashkëkohësve të Kastriotit, dhoma e tij në shtëpi ishte kthyer në studio, ku zhvilloheshin provat e koncerteve. Aty u kompozuan një pjesë e madhe e këngëve të tij. Muret e dhomës dridheshin nga buçitja e zërave të Hysni Zelës, kur bënte provat e këngës "Nga llogorja
s’luajmë kurrë", Sherif Merdanit, kur këndonte "Fqinjën", "Duart e tua", Gjergj Suliotit, kur këndonte "Zëri i nënave", Novruz Yzeirit, kur këndonte "Ofelinë", e shumë e shumë të tjerëve. Në atë dhomë u shkruajtën partiturat e mjaft këngëve të Otit me Robert Radojën, Ferdinand Dedën, Gjon Simonin etj. Tingujt e melodive dilnin jashtë dritareve katit të tretë të pallatit 16-të, përhapeshin në ajër dhe kalimtarët qëndronin dhe i dëgjonin gjithë ëndje...
Jeta profesionale e Kastriot Gjinit, kompozitorit që do të mbetet i paharruar për brezin e viteve ´70-të, nuk kaloi e qetë. Këngët e kompozuara prej tij, gjithnjë e më tepër shqetësonin mediokërit e aparatit të KQ dhe të Ministrisë së Kulturës, të cilët shihnin në to rrezikun për "eksitimin" dhe "prishjen" e rinisë. Sipas mbrojtësve të muzikës së "pastër" shqiptare, shpesh në kompozimet e Gjinit, ata gjenin melodi të huaja, të muzikës "dekadente".
Funksionarë të lartë filluan ta thërrisnin Otin dhe t´i rekomandonin atij të hiqte dorë nga muzika dhe të merrej me profesionin e gazetarit, pasi atje kishte më shumë talent. Ironia e kompozitorit ishte e dukshme, kur ai i thotë funksionarit të lartë se, pas takimit me të e në vazhdim, do të kompozonte këngë për pleqtë e azileve. Si e ndihmoi kompozitorin dashuria me Anën për të shkruar muzikën e papërsëritshme dhe peripecitë e dy të rinjve për të marrë pëlqimmin e prindërve të vajzës. Kastrioti, që vuante për më shumë se 20 vjet nga një sëmundje kardiake, shkoi në Itali për t´u operuar, ndërsa një ditë para operimit mbylli sytë, si e përjetuan këtë gjëmë familjarët, shokët e të afërmit.
Si lindi "Fqinja", kënga që ende pritet me dashuri nga spektatori
Kastrioti e trajtonte muzikën dhe tekstin si një proces unik, duke kërkuar përputhjen e plotë të logjikës së notave me logjikën e vargjeve. Kompozitori mendonte se teksti përbënte një bazë të fortë për forcën ideoemocionale të këngës. Në kujtimet e tij, Shaban Murati, gazetar dhe poet shkruan: "Një ditë ishim duke pirë kafe. Aty pranë kaloi një vajzë, bjonde dhe tepër e bukur. Kastrioti me shaka tha se ajo i ngjante shumë fqinjës së tij. Të dy e vumë re se kaloi rëndë dhe fare indiferente, e, sipas Otit, ashtu vepronte edhe fqinja e tij. Si për t’u justifikuar, ai më tha se nuk kishte gjë me të, por vetëm kishte thënë një të vërtetë. Dhe unë po me shaka i thashë se përse nuk bënte një këngë për të. Kastrioti qeshi dhe më pas më tha se i kisha zgjuar muzën. Ai vendosi të bënim një këngë që t´i kushtohet të gjitha fqinjeve të shokëve që kalojnë indiferente çdo mëngjes. Më tha të shkruaja një tekst. Ashtu bëra dhe e titullova "Fqinja". Oti shkroi muzikën dhe kështu këngën e këndoi Sherif Merdani. Rastisi që në atë anketë muzikore të konkurronte edhe kënga e Françesk Radit, "Biçikleta". Tërë atë muaj spikeri i radios komunikonte që kënga e Radit ndiqte "Fqinjën" e Kastriot Gjinit, e më në fund fitoi kënga e Otit". Edhe sot kjo këngë këndohet nga shumë këngëtarë si Merdani, Zhegu, Petrit Lulo, Agim Poshka e shumë të tjerë. Një rast interesant në kompozimet e Gjinit është dhe mënyra e kompozimit të këngës "A do vish sivjet në plazh". Kënga i kushtohet Anës, dashurisë së lënë përgjysmë të Kastriot Gjinit. Tejet i mërzitur, Oti merr në telefon mikun e tij, Shaban Murati dhe i kërkoi këtij të fundit një takim. "Ishte i mërzitur, pasi kishte vendosur të shkonte në plazh me Anën, por vajzën nuk e kishin lënë prindërit të shkonte në bregdet me shoqërinë. Tani ai mendonte t´i kushtonte një këngë Anës. Më dha idenë e këngës dhe unë bëra tekstin", kujton Murati.
Periudha e artë, Gjini në kërkim të gjinive të mëdha
Koha e artë e krijimitarisë së Kastriotit ishte ajo e viteve ´74-´78. Në këtë periudhë, ai kishte grumbulluar të gjitha energjitë e tij krijuese. Kishte vite që kompozitori donte të kalonte nga muzika e lehtë në gjini më të mëdha të muzikës. Ai studionte literaturë të huaj të kollosëve botërore të muzikës klasike. Kur mësoi se regjisori Mevlan Shanaj po përgatiste filmin "Korrierët", u takua me të dhe i kërkoi që muzikën e filmit ta bënte ai. Mendimet e Kastriotit për strukturën e muzikës filluan të lindnin që gjatë leximit të skenarit. Oti kishte mendimin që të mbështetej në motivet muzikore të trevave të jugut, e kryesisht të folkut të bregut, këngëve të Himarës. Nga kjo kohë, emri i Kastriotit si kompozitor u bë më i njohur. Më pas, ai do të realizonte për Teatrin Kombëtar tri pjesë muzikore: Muzikën e dramës "Një zog fluturoi nga foleja", "Një copë rrugë", "Rrufe në mot të mirë". Më vonë Kastrioti kërkon bashkëpunimin e shkrimtares Shpresa Vreto. Sipas kujtimeve të Vretos, Oti i kishte kërkuar të shkruante libret për një operet për fëmijë. Opereta u realizua dhe u shfaq me sukses në Korçë. Nga ky bashkëpunim do të lindte edhe një operetë tjetër për fëmijë, por Kastriotin nuk e la sëmundja që ta realizonte atë. Nga fundi i vitit ’78, ai u shtrua në spital për t’u kuruar nga sëmundja e zemrës.
Problematiku i festivaleve
Kastrioti nuk ishte vetëm problematiku i festivaleve, por i muzikës së lehtë në përgjithësi. Kolegët kujtojnë se si Oti nuk donte të merrte pjesë në Festivalin e 16-të të Këngës në Radiotelevizion, edhe pse kishte marrë ftesë për të paraqitur krijimin e tij. Arsyeja ishte se atij nuk i kishte dalë inati i festivalit të mëparshëm, kur kënga e tij, edhe pse ishte pëlqyer dhe vlerësuar nga komisioni, nuk u lejua të këndohej në festival, pasi i "deleguari" i partisë, kishte parë në muzikën e këngës nota të muzikës së huaj, që eksitonte rininë. Këto ishin të përhershme për Kastriotin, ndaj dhe një ditë e thërret në zyrën e tij një kuadër me rëndësi i sektorit të kulturës në Komitetin Qendror të PPSH. Ndër të tjera, funksionari partiak i kishte thënë se ishte djalë me talent dhe kishte lexuar shumë shkrime të tij, të cilët i kishin pëlqyer. Më vonë, gjoja si rastësisht, i kishte thënë se ishte dhe kompozitor dhe i pëlqenin gjithashtu dhe këngët që kompozonte. "Në disa raste, nëse e ke vënë re këngët të janë ndaluar jo rastësisht, por sepse kanë përmbajtje të huaja, që na infektojnë rininë. Prandaj duhet të kesh kujdes, mos u ndaj nga tufa se të ha ujku. Nuk e di nëse e ke marrë vesh se ç’u ka ndodhur disa "horrave" që tentojnë, gjoja të bëjnë "revolucion" në muzikë. Në fund të fundit t’i je gazetar, ndaj përvishu punës atje dhe mos u merr fare me muzikë, sepse, me sa di unë, ti je edhe i sëmurë", i ka thënë finksionari i KQ të PPSH, kompozitorit. Kastrioti me kurajo i kishte dhënë mediokrit të partisë një përgjigje tepër të zgjuar, se tash e tutje do të kompozonte këngë vetëm për pleqtë e azileve. Kur Oti këndonte me fizarmonikë këngë të "Beatles", informatori i pallatit dërgonte informacion që ndonjë herë mbërrinte deri te ministri i Brendshëm, që një ditë e thërret gjoja për probleme pune të atin e Kastriotit. Sipas tregimeve të kryefamiljarit Gjini, aty nga fundi i bisedës ministri i kishte thënë: "Ore ç’bën ashtu ai djali yt e ka kthyer shtëpinë në klub xhazi me ca horra që mbledh. Hiqi vërejtjen dhe shkëpute nga ajo shoqëri vagabondësh, sepse midis tyre mund të jetë edhe ndonjë armik, që mund ta shpjerë në rrugë të keqe…". Këto ishin sinjalet e para për të thënë se ndonjë nga shoqëria e tyre ndiqej dhe ky më vonë doli se ishte Sherif Merdani, që u dënua më vonë për agjitacion dhe propagandë.
Dashuria, sa të bukura këngët për të
Oti i këndoi shpesh dashurisë, ndjenjës më të fuqishme që zbukuron jetën e çdo njeriu. Rastësisht në festivalet e shkollave të mesme të rretheve, Kastrioti kishte pikasur vajzën e zemrës, Anën, bjonden e bukur, që konkurronte me grupin e një qyteti të vogël. Maturantja një vit më vonë do të vinte në universitet, në Tiranë dhe rastësisht e motra e Otit, Luli do ta takonte. Një ditë tjetër, gjoja si rastësisht, motra sajon një takim prezantues të vëllait të saj me Anën. Prezantimi i parë do të ishte i suksesshëm dhe më pas takimet do të shtoheshin. Ishin fillimet e një dashurie të sinqertë, që sa vinte dhe konsolidohej. Mbas 6-7 muajsh takime të shpeshta, Kastrioti i propozon fejesë Anës, e cila atëherë ishte nën trysninë e prindërve për lidhjen e saponisur. Shoqëria me Anën i zbuste shqetësimet dhe e nxiste krijimtarinë artistike të Otit. Shumë këngë, kompozitori i ka krijuar frymëzuar nga dashuria për këtë vajzë. Nuk mund të harrohen këngët "Çapkënes", "Vajzës që dua", "I njoh sytë e tu", "Ne studentët", "A do vish sivjet në plazh", "Ja erdha në plazh" etj. Prekëse janë letërkëmbimet mes dy të rinjve, që në fakt kishin si pengesë mentalitetin e kohës dhe kokëfortëinë e prindërve të vajzës që nuk donin kurrësesi ta fejonin me Otin. Barriera prindërore shpesh ishte bërë dhe shqetësimi i ditës për dy të rinjtë, të cilët kërkonin një rugëzgjidhje. Familjarët kujtojnë: "Ana ishte në vitin e fundit të fakultetit. Prindërtit e saj nuk kishin ndërruar mendje. Sapo ajo të mbaronte shkollën, prindërit do ta fusnin në punë atje ku banonin vetë, në qytetin e vogël. Anës i kishte mbetur veçse të zgjidhte mes prindërve dhe Otit. Ata e biseduan gjatë këtë problem dhe vendosën se më 14 korrik ata do të bënin edhe fejesën edhe martesën, pasi Ana mbaronte fakultetin e Oti mbushte plot 30 vjeç. Kjo nuk u realizua, pasi Kastrioti u shtrua në spital për t’u kuruar nga sëmundja kardiake".
Sëmundja, largimi jashtë shtetit për operacion
Pushimet e verës së vitit 1978, kompozitori i kaloi në Sarandë te të afërmi e tij. Kur u kthye që andej nuk ndihej mirë. Mjeshtri i këngëve mendonte se ato dhembje do të kalonin si edhe shumë herë të tjera. Sumundja e zemrës kishte rreth 20 vjet që e mundonte. Të gjitha streset e mundimet profesionale ishin akumuluar dhe së bashku e keqësuan shëndetin e tij. Më 25 janar të vitit 1979, Kastriot Gjini u shtrua në spital, dhe ishte nën kujdesin e profesor Popës. Gjendja ishte tejet e rënduar. Specialistët me urgjencë u mblodhën të konsultoheshin për atë se ç´duhet të bënin me zemrën e kompozitorit të shquar. Komisioni mjekësor vendosi që ta dërgonte jashtë shtetit për kurim, por kjo duhej të miratohej edhe nga ministri i Shëndetësisë, të cilin duhet të prisje me ditë të tëra për ta takuar. Pas përpjekjeve të shumta nga familjarët, miqtë dhe të afërmit, më 25 shkurt në mëngjes Oti u dërgua për në Rinas, nga ku do të fluturonte më pas për në Itali, ku do të bënte operacion zemrën e dëmtuar. Ja se ç’shkruajnë familjarët: "Bashkë me ne për ta përcjellë erdhi edhe Ana. Kur hipi në makinë, Oti i tha me shaka se kjo ishte makina, me të cilën do të shkonim ta merrnim atë nuse. Qëndruan pranë njëri-tjetrit deri në Rinas. Momenti i përcjelljes ishte tepër emocional për të gjithë. Kur u përqafua me Anën, një pikë loti rrodhi mbi faqen e Kastriotit, të cilin Ana e fshihu me dorë. Ky ishte përqafimi i fundit. Oti iku me dy valixhe të rënda në duar dhe i mbuluar nga djersa dhe meraku". Nën kujdesin e personelit të ambasadës shqiptare, Oti do të pritej mirë në Itali. Ish-sekretari i ambasadës sonë në Romë, Haki Keta kujton: "Emrin e Kastriot Gjinit e kisha dëgjuar në radio, por nuk më ishte dhënë rasti ndonjëherë ta takoja. Ambasadori më urdhëroi të shkoja dhe ta takoja në hotel. Atje e gjeta duke biseduar më doktor Pavllo Milo, i cili ma prezantoi. Kastrioti ishte tip shumë interesant. Të gjitha ata që kishin ardhur si ai në spital kishin shumë kërkesa, kishte nga ato që ishin dhe të pamundura që të plotësoheshin, por kompozitori kërkonte vetëm libra. E vetmja kërkesë e tij me karakter personal ishte që ta vizitonte e më pas operonte profesori, por unë i sqarova se kjo ishte e pamundur, pasi ai do të shqetësohej vetëm për raste të veçanta, pra për udhëheqës të lartë të partisë dhe të shtetit. Megjithatë, Kastrioti më kërkoi vetëm ndërmjetësim për ta takuar. Ditën që profesori erdhi në spital me njoftoi mjeku. I shkova në zyrë dhe ju luta që të vizitonte, nëse ishte e mundur dhe një mikun tim. Ai pranoi. E shoqëronin në këtë vizitë dhe mjekët që e ndiqnin Otin. Kur ata filluan t’i shpjegonin diagnozën, Kastrioti ndërhyri dhe po e sqaronte profesorin në gjuhën angleze. Kardiologu u habit me këtë shpjegim dhe e pyeti nëse ai kishte mbaruar për mjekësi. Kompozitori i tha se nuk ishte mjek, por nevoja e kishte detyruar të ishte mjek i vetvetes. Profesori i tha asistentit se këtë pacient do ta operonte ai. Për herë të parë profesori italian i kardiologjisë merrte me dëshirën e tij për operim një pacient". Mirëpo ndodhi ajo që nuk pritej. Kastrioti, një ditë përpara se të operohej, si rezultat i një trompoze të paparashikuar, mbylli sytë. Oti e kishte parandjerë se do të largohej. Ai ndjente dhembje që sa vinin e bëheshin më të forta. Mjeku që e ndiqte i kërkoi që të thërriste një konsultë me mjekët për të shpejtuar operacionin e zemrës. Mjeku i ishte përgjigjur se shqetësimet i kishte nga udhëtimi. Mëngjesin e 2 marsit 1979, kompozitori Gjini u mbërthye nga një atak, që ishte fatal për zemrën e tij.
Gjëmë në familje
Familjarët e mësuan lajmin e hidhur, por duhet të prisnin ende për të kryer ritet e fundit sipas traditës shqiptare. Lajmi u përhap me shpejtësi. Ishte shuar përtej detit Kastriot Gjini, kompozitori më i dashur për rininë. E përfundoi para kohe jetën e tij, e cila sapo kishte marrë një tjetër pamje. Ikja ja këputi në mes pentagramin, mbi të cilin do të hidheshin notat e sa e sa melodive të këngëve, dashurinë të cilën po e përjetonte aq bukur. Pas shtatë ditësh, me ndërhyrjen e Skënder Shehut, djalit të Mehmet Shehut, ish-kryeministër në atë kohë, erdhi në Tiranë trupi i pajetë i Kastriot Gjinit. Më në fund, Oti erdhi në shtëpi. Megjithëse kishin kaluar shtatë ditë pamja e tij ishte e freskët. Kjo ishte ndoshta dhe arsyeja që Arben Duka shkroi tekstin e këngës "Në kristal të lotit më buzëqeshi Oti". Në muzeun e krahinës u çel një kënd për Kastriot Gjinin, ku u vendosën një fotografi, dekorata Urdhri "Naim Frashëri i Klasit të Parë" si gezatar dhe kompozitor i talentuar, libreza e anëtarësisë në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe të Artistëve, një partiturë të këngës për Halim Xhelon, letër ngushëllimi i Hysni Kapos dhe një dorëshkrim i tij.
Shumë vite më pas
Brezi i sotëm i dëgjuesve të këngës kur i dëgjon perlat e Kastriot Gjinit nën interpretimin e Sherif Merdanit, këngët nuk i duken të vjetra. Ky është një fakt domethënës. Kompozitori ka më shumë se dy dekada që nuk jeton më, por këngët që ai krijoi i rezistuan kohës. Oti ngelet unikal në gjenialitetin e tij krijues, barabartë me vetveten si fenomen artistik. Në të 50 këngët e kompozuara, Gjini shfaqet origjinal në këndvështrimin e tij sa intim dhe social. Kastriot Gjini krijoi këngë të një stili krejt tjetër. Edhe pse këngët e tij nuk pranoheshin në festivale, varjetetë e Tiranës dhe anketat e përmuajshme muzikore hapnin dyert për talentin e tij të padiskutueshëm. Kompozitori për herë të parë bëri shndërrimin e tradicionales në moderne. Frymëzim për të ishte folku i zonave jugore të Shqiparisë, të cilat e shtynin drejt të resë dhe modernes në to. Ndërgjegja krijuese intuitive avancoi në mendimin e tij për të bërë muzikë moderne. Ritmet e përshpejtuara të jetës së kufizuar në kohë, me ritmet e një muzike që do të jetonte gjatë, për të sjellë te ne sot mjeshtrin, duke na dhuruar shpirtin e tij artistik intelektual, janë të papërsëritëshme.