TEKSTESHQIP
Luleborë V
Festivali i këngës qytetare “Luleborë” i organizuar nga bashkia e Shkodrës për të pestin vit radhazi solli një gërshetim brezash krijuesish e interpretuesish, të cilët sollën vlera të padiskutueshme të këngës shkodrane.
Edhe pse një situatë e pazakontë për shkak të COVID-19 artistë, kompozitorë, poetë këngëtarë u bënë pjesëmarrës, duke i dhuruar spektatorit shkodran 22 këngë të reja qytetare shkodrane.

Vazhdimi i traditës së krijuar këto pesë vite, u bë i mundur në bashkëpunim me artistët e krijuesit, Teatrin “Migjeni” dhe të gjitha institucionet kulturore të bashkisë së Shkodrës.

Artistët e mrekullueshëm shkodranë përmes tingujve të mrekullueshëm të këngës qytetare sollën këngët më të bukura për publikun.

Kjo veprimtari u organizua vetëm një natë, pa orkestër, me bazë muzikore, me daljen e këngëtarëve në skenën e improvizuar tek sheshi i Teatrit, me prezencë të kufizuar pjesëmarrësish. Megjithatë atmosfera e veçantë e krijuar, ndërthur bukur me një 21 këngët e reja që i shtohen fondit të pasur të muzikës shkodrane dhe asaj shqiptare. Këngëtarë pjesëmarrës në këtë garë ishin: Klodiana Vata, Karajfilat, Sevina Kurti, Arber Bala, Uendi Zylja, Laurjan Ejlli, Xhuli Pjetraj, Glerdit Turmetaj, Artemisa Mithi, Martina Serreqi, Blerta Cina, Rezarta Smaja, Mukades Çanga “Mjeshtre e madhe”, Hajro Pepa, Adelina Correj, Nimet Lekaj, Kristi Ndoja, Megi Toma, Niki Mjeda, Savjana Vjerdha, Silvia Kacarosi, Orjeta Kelaj, Riza Bytyqi, Aida dhe Ketlin Pjalmi. Edhe pse në kushte krejt të reja, shkodranët dinë të përshtaten, ndaj si kurrë më parë pati spektatorë mbështetës të artistëve që veç brohoritjeve, pankartave e fishkëllimave, në mes tyre ra ne sy flamuri kuq e zi që valvitej gjatë gjithë kohës.

E veçanta tjetër e këtij festivali ishte pjesëmarrja e Presidentit të Republikës së Shqipërisë z.Ilir Meta, shoqëruar nga drejtues vendor, si dhe biznesmeni Agron Çela dhe drejtori i televizionit TV1 Channel z.Edmond Ndou, por si gjithmonë e pranishme në aktivitetet kulturore ishte edhe Kryetarja e Bashkisë znj.Voltana Ademi, e cila është vërtetë një artiste, Prefektja Majlinda Angoni, si dhe shumë autoriteteve të tjerë të Shkodrës, çka i dha shumë më tepër seriozitet këtij evenimenti kulturor, që pas një kohe shumë të gjatë pauze, për shkak të masave ndaj pandemisë, kishin ngrirë, për t’u rikthyer me këtë festival kaq të bukur.

Festivali “Luleborë” 2020 ishte në edicionin e tij të pestë pas rikthimit nga harresa shumë vjeçare. Çuditërisht ky edicion solli mrekullira në festën e tij. Zëra brilantë e të fuqishëm që edhe pse këndonin live, performuan këngë që tejkaluan çdo pritshmëri. Talente të reja me larmi ngjyrash e me një shpërthim vokalesh, çka e bën të sigurtë stafetën që këngëtarët e vjetër të “Luleborës” dhe Karajfilave të Shkodrës, po ua dorëzojnë brezit të ri.

Një tjetër e veçantë e këtij festivali ishte prezantimi nga i talentuari skenik z.Enkel Demi, i cili gjatë gjithë prezantimit të këngëve arriti t’i shoqëronte me monologje retorike dhe humorin e hollë e plot sharm të shkodranëve, duke e bërë akoma më të bukur këtë spektakël. Festivali “Luleborë” me udhëheqës artistik Roland Guli dhe Ilir Zoga, në këtë edicion solli gjithçka të bukur, ku nuk munguan as duartrokitjet vlerësuese të spektatorëve pas interpretimit plot ndjenjë të tyre. Asgjë s’i la mangut festivaleve më të mëdha kombëtare, pothuajse të gjithë këngëtarët në fjalwn e fundit falenderuese pas performancës, dëshmonin për vendlindjen me të pavdekshmen e të gjitha kohërave përshëndetjen “faleminders” si një firmë dialekti që vetëm në Shkodër ta thonë. Në skenën e këtij festivali erdhën mjaft këngëtarë të rinj që premtonin shumë me talentin e tyre, të cilët erdhën me këngë të përzgjedhura me shumë kujdes, ku merita po aq të mëdha për realizimin e tyre kanë edhe kompozitorët, orkestruesit e tekstshkruesit si: Zef Çoba, Shpëtim Saraçi, Edmond Zhulali, Ilir Zoga, Roland Guli, Tonin Tarnaku, Oleg Gjerka, Enis Mullaj, Lekë Jakova, Kolec Gajtani, Anton Kaftalli, Gazmend Kraja, Andi Unaza, Bardhyl Hysa, Jetmir Mehmetaj, Bep Vjerdha, Shkodra Elektronike, Namik Jahja, Valton Beqiri, etj, si dhe poetët e mirënjohur: Alfred Çapaliku, Jorgo Papingji, Osman Kozmaj, Franc Nogaj, Juli Ndoci, Erjona Rushiti, Denisa Domnori, Ambra Hysa, etj.Të gjithë këta artistë u evidentuan edhe në skenarin e përgatitur nga znj.Ermira Alia me mjaft eksperiencë në këtë drejtim.Me shumë kureshtje dhe emocion u prit edhe vlerësimi i jurisë, e cila përbëhej nga: Lorenc Radovani (kryetar jurie), Markelian Kapedani, Bujar Qamili, Zija Vukaj dhe Vlashen Sata, të cilët nuk e patën aspak të lehtë të vlerësonin e të vendosnin për çmimet, çka u vu re edhe në vonesen e gjatë pas kuintave, sa edhe prezantuesi Enkel Demi e kaloi në monologje humori, të cilat i dhanë akoma më tepër shije asaj pritjeje.

Dhe si në çdo garë, jo të gjithë fitojnë. Kështu, tre çmime ishin: Çmimi i parë kënga me titull: “Ke shku” me tekst të Erjona Rushitit, kompozuar dhe orkestruar nga Enis Mullaj, kënduar nga artistja e re Savjana Vjerdha. Çmimi i dytë i këtij Festivali shkoi për Silvia Kacarosi me këngën “Kadalë” me tekst, kompozim dhe orkestrim Shkodra Elektronike.

Çmimi i tretë iu dha këngëtares Mukades Çanga “Mjeshtër e Madhe” me këngën “Kam rritë shtatin tek ti Shkodër” me tekst të autorit të këtij shkrimi, kompozuar nga Mukades Çanga dhe orkestruar nga maestro Shpëtim Saraçi “Mjeshtër i Madh”.

Këngëtarja Savjana Vjerdha fituese e çmimit të parë mes emocionesh tha: “Një emocion tepër i madh, akoma nuk e besoj”. Ndër të tjera ajo falenderoi kompozitorin e këngës Enis Mullaj dhe tekstshkruesen Erjona Rushiti.Ajo me shumë dashuri falenderoi edhe stafin e Teatrit “Migjeni”.

U zgjodh ku Festival për t’u komunikuar edhe një lajm i mirë për Teatrin, i cili së shpejti do të ketë një hyrje të re, pasi sheshi para bustit të “Migjenit” do t’i nënshtrohet një investimi të Bashkisë Shkodër. Një prononcim bëri edhe kryetarja e Bashkisë së Shkodrës znj. Voltana Ademi: “Është një projekt, që nuk është i imi, nuk është ide e imja. Kur është ndërtuar Teatri “Migjeni”, një pjesë e pakryer e tij ka qenë pikërisht sheshi përpara dhe ata që e kanë projektuar dhe e kanë realizuar, kanë parashikuar që pikërisht këtu përpara të kishte një pjesë që mund të shfrytëzohej, jo vetëm lulishtë, si pjesë e arredimit urban, por është pjesë për hyrjen, për aksesin, por edhe për përdorimin në aktivitete të kulturës, të artit dhe të Teatrit”.

Moderatori i Festivalit Enkel Demi kishte një thirrje ndaj qeverisë. T’i japë fund bllokimit të jetës artistike dhe të hapw Teatrot. Më tej ai tha: “Diku po vendosin gardhe, këtu po i shembin gardhet dhe mbi të gjitha po kërkohet me forcë që të hapet sezoni i ri artistik i Teatrit “Migjeni”. Këta duan që me dt.5 nëntor të bëjnë një premierë dhe ngulmojnë për ta bërë këtë premierë. Unë kam bërë thirrje publike që të lejohet Teatri të fillojë punën. Nuk ka pikë kuptimi që Teatri dhe Kinemaja të rrinë të mbyllur”. Pas përfundimit me sukses të festivalit regjisorja dhe njëkohësisht edhe drejtoresha e Teatrit, znj.Rita Gjeka u shpreh: “Ky është një festival i jashtëzakonshëm në kohë të jashtëzakonshme.Vështirësitë kanë qenë shumë të mëdha, por neve në qoftë se nuk i vëmë gjoksin punës dhe shpatullat vështirësive nuk bëjmë asgjë. Kemi shtatë këngëtarë që janë nën moshën 18 vjeç, imagjinoni se sa prodhon Shkodra në fidanishten e saj”.

Mes emocionesh dhe përgëzimesh për fituesit e kësaj gare u shpërndamë me shpirtin e mbushur me gjallërinë e munguar në qytetin e Shkodrës prej gati një viti. Festivali u regjistrua nga Radio Televizioni Shqiptar. Edhe unë si gazetar dhe bashkëpunëtor, i uroj suksese në edicione të tjera.
Luleborë V (2020)
  • Luleborë V
  • Viti: 2020
  • 10/10/2020 - 10/10/2020
  • Oborr I Teatrit Migjeni
  • Prezantuesit: Enkel Demi