Marjeta Çurumi u lind në vitin 1981 në fshatin Luzi i Vogël të Kavajës, ku kreu arsimin bazë dhe të mesëm. Më pas ndoqi studimet e larta në Universitetin e Tiranës, dega Gjuhë-Letërsi. Pas përfundimit me sukses të studimeve të larta martohet në Rrogozhinë,ku punon për 15 vite në arsim,1 vit Specialiste Arsimi në Bashkinë e qytetit Rrogozhinë dhe në dy vite në vijim Specialiste e Bibliotekës Publike të këtij qyteti dhe Përgjegjëse e punës me Librin.Aty ajo themelon Klubin e Leximit për Fëmijë dhe të Rinj dhe ideon dhe organizon të parin festival letrar për autorët e zonës " Fjalë buzë brigjeve" me mbështetjen e Bashkisë dhe bashkëpunimin e nëndrejtoreshës së Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë,Majlinda Toçi. Pasioni i saj i kahershëm për letërsinë dhe shkrimin,i cili nxorri krye që në kohën kur ajo punonte mësuese,u thellua në punën në bibliotekë.Gjatë kohës si mësuese,kur kishte në ngarkim edhe bibliotekën e shkollës,ajo ngriti rrethin letrar të shkollës dhe botoi 2 numra të gazetës "Ndryshe" dhe revistën "Më lejo të flas!". Me të njëjtin titull me revistën, ajo gjen dhe frymëzimin për të botuar ibrin e saj të parë në vitin 2011. Në këtë kohë ideon dhe një emision në radion "Visare", ku punon për një kohë të shkurtër si moderatore. Në vitin 2015 boton librin e saj të dytë "Përtej realitetit Gri", ku afirmohet si poete e mirëfilltë.Në vitin 2016 boton librin "Në rrugën dashurimbuluar" dhe në vitin 2024 boton vëllimin poetik "Tempore".Aktiviteti i saj letrar, ndërkohë shtrihet edhe në rrjetet sociale, ku ajo ndan mendimet dhe ndjenjat e saj nëpërmjet faqes së saj si shkrimtare.