(1933-2014)
Biografia
Karriera deri në daljen në pension ka vazhduar pa ndërprerje për 30 vjet në teatrin "Migjeni" si udhëheqës artistik. Kompozitori dhe instrumentisti i madh shkodran, Mark Kaftalli, për të parën herë në vitin 1962 realizoi festivalin e parë të muzikës së lehtë në Shkodër me një orkestër të përbërë prej 15 instrumentistësh. Në festivalin e parë të kompozitorëve amator, fitoi çmimin e parë me këngën "Vallë çka dru" me tekst dhe muzikë të krijuar nga vetë ai. Karriera e Mark Kaftallit vazhdoi me qindra koncerte në të gjithë Shqipërinë. Mbi 30 vjet si violinist ka drejtuar orkestrën e Kafes së Madhe. Që në krijimin e shkollës së muzikës "Prenk Jakova", punoi si mësues violine duke përgatitur brezat e rinj.
Ka marrë pjesë si violinist në formacione të ndryshme artistike në turne jashtë Shqipërisë. Që nga viti 1967 dhe deri sa u nda nga jeta ishte anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. Është nderuar me çmime të shumta, si dhe me urdhrat: "Naim Frashëri" i klasit të dytë në vitin 1969 dhe "Naim Frashëri" i klasit të parë në vitin 1983. Kjo figurë potenciale e muzikës nuk ka titujt më të lartë që ai i meriton ndaj pret nderimin si "mjeshtër i madh" tashmë pas vdekjes.
Mjeshtri Kaftalli shquhet edhe si një kompozitor me mjaft vlera në disa zhanre të muzikës si: këngë për fëmijë, këngë qytetare, këngët e muzikës së lehtë dhe opereta. Me virtualitetin e tij si violinist ka trashëguar interpretimin mjeshtëror në jaret e famshme shkodrane. Për disa vite ka drejtuar dhe udhëhequr orkestrën e estradës profesioniste të qytetit të Shkodrës. Si kompozitor ka marrë pjesë në shumë festivale të këngës në Radio-Televizion, në festivalet e këngës popullore dhe të këngës për fëmijë. Ka kompozuar mbi 750 këngë, transkiptoi dhe harmonizoi mbi 400 këngë popullore shkodrane. Gjithashtu Mark Kaftalli është autor i shtatë operetave. Mjeshtrit Kaftalli, Këshilli Bashkiak i Shkodrës i akordoi edhe titullin "Mirënjohja e Qytetit" në vitin 2008 ndërkohë që në 100 vjetorin e pavarësisë u nderua me diplomën e "mirënjohjes".