TEKSTESHQIP
Biografia
Mentor Hajrizi është një nga gjuhëtarët dhe një nga mësimdhënësit e rinj, përkushtimi i të cilit në çdo pikëpamje është unik. Ai punon profesor. Ligjëron lëndën e Gjuhës shqipe. Ka merita të shquara ndër të tjerët në fushën e gjuhësisë, ashtu edhe në atë të gazetarisë nga ana tjetër. Një kohë ka punuar gazetar në revista, gazeta, radio dhe televizione. Shkruan në gazetat dhe në portalet shqipe artikuj gazetarë, shkencorë, pedagogjikë dhe për mësimdhënien në përgjithësi. Mësimdhënësi Hajrizi është poet, narrator, redaktor gjuhësor i shumë librave, recensent i teksteve, ekspert lëndor i Gjuhës shqipe nga MAShTI, ish-ekspert në Ekipin Profesional të Drejtorisë Komunale të Arsimit në Prishtinë dhe anëtar i Aktivit Lëndor në kuadër të Ekipit për Planifikim dhe për Kurrikula Lëndore të Gjuhës shqipe (klasat VI―IX). Hajrizi është bashkautor i librave sugjerues për mësuesit e gjuhës shqipe dhe të letërsisë së Republikës së Kosovës, të Shtëpisë botuese "Albas" nga Shqipëria, për klasat X, XI dhe XII. "(Mos)përdorimi i shkronjës -ë" është libri i tij i parë. Gjuhëtari i ri, por me përvojë të rrallë në këto fusha, ka kryer trajnime për udhëheqje arsimore, mësimdhënie e gazetari dhe ka marrë edhe certifikata. Ai ka fituar tashmë epitetin meritor "Mësimdhënës i dalluar". I riu ka zë radiofonik dhe interpreton shkëlqyeshëm, kjo në fakt është njëra nga karakteristikat e tij që u dëshmua edhe me përgatitjen e lartë profesionale, shkencore e pedagogjike në RTK. Në periudhën mars―qershor 2020, mësimdhënësi i suksesshëm, Mentor Hajrizi, dha një kontribut të çmuar në mësimdhënie dhe mbajti leksione për klasën e gjashtë dhe të tetë në televizionin publik (RTK). Për paraqitjen e shkëlqyeshme të Mentorit dhe për punën e zellshme që ka bërë në RTK në atë periudhë, kanë shkruar edhe gjuhëtarët më të shquar të vendit dhe janë shprehur, se: "Mentor Hajrizi çante rrugën drejt suksesit pa pasur asnjë problem". Vëllimi poetik "Thermë e shpirtit të ndezur", është krijimi më i ri letrar i Mentor Hajrizit.