Biografia
Në aktivitet politik dhe humanitar është inkuadruar që në vitin 1989.
Në vitin 1990 ka organizuar dhe ka marrë pjesë në shumë protesta dhe demonstrata në Gjakovë e Prishtinë.
Ka qenë kryetare e Komisionit të Solidaritet në Gjakovë, prej vitit 1994 deri 1998, ndërsa në muajin mars të vitit 1998, është zgjedhur kryetare e Këshillit Komunal për Ndihma Emergjente në Gjakovë, për të strehuar të dëbuarit nga zonat e luftës dhe si logjistikë për furnizimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Për shkak të aktivitetit të saj politik e humanitar është burgosur nga policia serbe, në Gjakovë dhe ka vuajtur dënimin në burgun hetues të Lipjanit prej 1 qershor 1998 deri më 4 dhjetor 1998. Është gruaja që i ka dërguar arkivolet në Drenicë, për Komandantin legjendar Adem Jashari, familjarët Jashari dhe të gjithë të rënët në Betejën e Prekazit.
Ka qenë Drejtoreshë e Drejtorisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve në Gjakovë, 2001-2003 dhe 2006-2007 si dhe deputete e Parlamentit të Kosovës, 1998-2000 dhe 2001-2003. Është Ambasadore e Paqes Universale në Botë dhe Qytetare Nderi e Lushnjës. Me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, në Vlorë është shpallur “Gruaja shqiptare e vitit 2012”. Është anëtare e Lidhjes së shkrimtarëve të Kosovës, Anëtare e “ Karvanit të shkrimtarëve”, anëtare e Shoqatës së Intelektualëve “Jakova”. Është themeluese dhe kryetare e Qendrës Kombëtare të Poetëve, Shkrimtarëve dhe Artistëve “Gjakova”. Është Veterane e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Është Kryetare e Këshillit Rajonal për Paqe Universale në Gjakovë.
Me shkrime është marrë që në bankat e shkollës fillore. Në moshën pesëmbëdhjetëvjeçare ka qenë fituese e çmimit të dytë për esenë me titull “Në udhëkryq”, në konkursin letrar të komunës së Mitrovicës, shkrim i cili është botuar në gazetën e atëhershme “Trepça”.
Është edhe fituese e shumë çmimeve letrare si dhe ka marrë dhjetëra mirënjohje për krijimtarinë e saj letrare si dhe angazhimin dhe aktivitetin e saj kombëtar. Është redaktore dhe recensuese e dhjetëra librave të autorëve të ndryshëm. Kohë pas kohe ka botuar shkrime publicistike nëpër gazeta dhe revista në Kosovë e Shqipëri. Është pjesëmarrëse në disa antologji poetike brenda trojeve etnike. Është autore e njëzetë e tetë librave me poezi, roman, dramë, fjalë të urta, monografi etj! Është e martuar. Ka pesë fëmijë, të cilët janë të rritur dhe të arsimuar. Është gjyshe e dymbëdhjetë mbesave dhe nipërve.
Mevlyde Mezini Saraçi, jeton me bashkëshortin e saj Agimin në Gjakovë. Është autore e 28 librave të botuara ndër vite.
Kontribuan: