>
LETERSISHQIP

Çaste Trishtimi

Te porta një shegë majhoshe
Së larti me krahët e blertë
Përkulet mbi kokën thinjoshe
Që grindet me veten dhe retë

Argjendin e vjeshtës ja shkundi
Me gjuhën e erës kjo stinë
E pashë, dhe trishtimi më mundi
Se di pse kujtova rininë!

Rikthehet sërishmi pranvera
dhe pyjet harlisen plot’ jetë
Njeriut, gjithë rrugët-humnera
I kthehen mes dhimbjes që vret

Të isha një Lis hijerëndë
(Se turma verbane të ndot!)
Me pjergulla, zogj edhe këngë
Mes tyre të isha ngamot

Pa pranga të isha(!). Sa dua
Hapsirës të ngjitem i lirë
S’ka ‘Pashkë’ e ‘Ringjallje’ për mua
Se kupat me helm i kam pirë!