>
LETERSISHQIP

Ma Vodhën Kohën

Sa keq, sa keq! E humba kohën
Po humbja ime s’paska cak
E sot i lodhur vështroj botën
U thinja unë, ajo aspak
Atje ku derdhej lot i hidhur
Më shpinin këmbët, s’di përse
Në trille moshe, i pabindur
Kërkoj më kot të zbres një re
Sikur ta fshij zjarrminë e dheut
Po reja s’bindet, s’di se ç’pret
Të sjell ca ditë të shënëndreut
Pastaj të shkojnë në vend të vet
M’a vodhën kohën ca rrufjanë
Pas tyre rendja hokatar
U bënë hije, s’di ku janë
Veç i kujtoj me shpirt të vrarë!
Një “mik” që s'lidhej me zinxhirë
Ma prishi kohën ky harbut
Mos shko atje ku bëre mirë...
Kështu më thotë një plak i urtë!
Dikur ca fllade dashurie
Në rendje ditësh pakuptim
Tashmë kundroj një tis vetmie
Po koha s’blihet, s’paska çmim
Provoj të hesht, po ja që s’mundem
Me fjalët grindem, për çudi
Në varkë të vargjeve përkundem
E kam të vetmen dashuri!