Mimoza Ahmeti nuk mund të ndahet asnjë çast nga poezia dhe muzika. Të dyja për të janë mjaft të rëndësishme. Muzika i ka dhënë shumë dhe ndiehet krenare që ka mundësi të krijojë, por edhe të dëgjojë muzikë të krijuar nga qenia e saj. Tregon se poezia është arti i vetëm në Shqipëri që ka ecur pozitivisht këto vitet e fundit. Mimoza Ahmeti sapo është kthyer nga dy festivale ndërkombëtare të poezisë, realizuar në Itali, pikërisht në qytetet Napoli dhe Frosinone. Ndiehet mjaft mirë dhe e vlerësuar nga mikpritja e homologëve. Për më tepër, me natyrën e saj çapkëne, Ahmeti është ngjitur në skenë dhe ka kënduar dy nga këngët e saj. E veshur thjesht, por me shije, ajo analizon gjithçka që i bën përshtypje, duke filluar që nga ajo që dëshiron më tepër, poezia, për të vazhduar më tej me muzikën, politikën dhe letërsinë përgjatë viteve të fundit. Tregon se është pro emigrimit, veçanërisht atij të përkohëshëm.