(1917-1959)
Biografia
Pas pushtimit italian të vendit, Muharremi vendosi të kthehej në Shqipëri. Ishte shpallur amnisti për të dënuarit e regjimit të Zogut. Ishte koha kur Shqipëria vuante nën thundrën e pushtuesit italian, ndërsa Muharremi kishte shtatë vjet që nuk e kishte parë familjen, e cila e konsideronte të zhdukur. Ai vendosi të kthehej në atdhe dhe të jepte kontributin e tij, tashmë si një intelektual profesionalisht i formuar.
Muharremi së bashku me bashkëshorten e tij Jelicën, inkuadrohen në Brigadën e 18-të, ku shërbeu në sektorin e propagandës dhe dha një ndihmesë të jashtëzakonshme në korin partizan. Muharrem Xhediku njehsohet me ata kompozitorë partizanë që krijuan këngë, himne dhe balada për Luftën NAÇL siç ishin Dhora Leka, Paparisto, Jakova, Avrazi, etj. Ndërsa bashkëshortja e tij, Jelica, dha një kontribut të madh si infermiere për mjekimin e të plagosurve të Brigadës. Martesa e tij me Jelicen qe e shkurter, ai mbas ndarjes ai dashuron dhe martohet me vajzen qe i sherbeu gjithe jeten, Hafsa Dervishi Xhediku e cila shquhej per nje bukuri te rralle. Muharremi mban Medaljen e Çlirimit për pjesëmarrje me armë në dorë në rreshtat e Ushtrisë Nacionalçlirimtare. Miço Kallamata, kuadër i Brigadës së 18-të Sulmuese, shkrimtar, në kujtimet e tij shkruan: "Muharrem Xhediku ishte një partizan dhe kuadër shembullor i Brigadës. Ai kryente me përpikmëri të gjitha detyrat e ngarkuara, duke luftuar me pushkë, penë dhe kitarë." Sëmundja e rëndë, pasojë e vuajtjeve të luftës, e shkëputi nga gjiri i artistëve të Shqipërisë në kulmin e jetës dhe të krijimtarisë së tij artistike, që po njihte veç progres.
Në dhjetor të vitit 1944 e deri në janar të vitit 1945 sëmuret rëndë nga tuberkulozi dhe ftohja e rëndë që kishte marrë maleve, burgjeve e internimeve dhe kurohet në Spitalin Ushtarak të Tiranës. Pas daljes nga spitali, aktivizohet me Ansamblin e Ushtrisë ku qëndroi deri në maj të vitit 1946. Nga viti 1946 rimobilizohet dhe shkon me shërbim në Korçë. Përsëri sëmuret dhe detyrohet përfundimisht të largohet nga ushtria për arsye shëndetësore. Pas largimit nga karjera ushtarake I besohet detyra e krijimit te orkestres se filarmonise shqiptare qe sherbeu edhe si orkester e ansamblit popullor, per ngritjen e se ciles Xhediku ka gjithashtu nje rrol te rendesishem. Ai qe drejtuesi dhe dirigjenti i pare i filarmonise shqiptare. Ai qe kompozitori qe "furnizoi" estraden dhe ansamblin e shtetit me kompozime te mrekullueshme ne te gjitha gjinite.
Por Muharremi tani kishte një armik edhe më të egër se ai i luftës, këtë herë brenda trupit të vet, sëmundjen e rëndë të tuberkulozit. Edhe pse ndihej i ligësht prej sëmundjes, ai gjente forcën e madhe për të mos u dorëzuar tek muzika, ilaçi dhe ushqimi shpirtëror
E veçanta e tij ishte se ai i shkruante vetë tekstet dhe i kompozonte mbi bazën e tabanit tonë kombëtar. Këngët si "Falmi sytë e shkru", "Vajze engjellore", "Matura","Pranvere je per mu" "Nen dritere" "Lulet e Majit" "Nene as me thua" "Te qiparisi" "Jelica","hallet e bilbilit" "Stakanavistja" etj. kanë mbetur edhe sot në kujtesën e asaj gjenerate si këngët me motivet më të bukura plot pasion të dashurisë. Është me të vërtetë kënaqësi kur dëgjon sot nga goja e këngëtarit të mirënjohur Aleksandër Gjoka këngën e riorkestruar nga Edmond Zhulali "Falmi sytë e shkru". Teksa dëgjon këtë këngë hit në ato vite, që u ka rezistuar kohëve për vetë forcën e poezisë dhe ëmbëlsisë së muzikalitetit, bindesh për talentin e Muharrem Xhedikut, pinjollit nga treva e artistëve, sikurse është quajtur me të drejtë Zall Dardha e Dibrës. Krahas muzikës së lehtë, ai kompozoi dhe këngë popullore si: "Cuca e Radomirës", "Hajde shpirt se erdh pranvera", "Te kroni", etj. Mrekullohesh kur dëgjon nga Eranda Libohova këngën "Cuca e Radomirës". Xhediku është kompozitori i parë që solli me profesionalizëm ritmet e muzikës së lehtë, sidomos të tangos në Shqipëri. Ai shkroi dhe kompozoi në të gjitha gjinitë e muzikës, jo vetëm këngë, por edhe romanca, pjesë për koncerte, suita orkestrale, opereta, muzikë vallëzimi, etj. Tangot e tij këndohen dhe kërcehen edhe sot. Kemi dëgjuar në origjinal këngët e herëshme të Muharrem Xhedikut dhe jemi impresionuar. Kur dëgjon "Artistin e Popullit" Ramiz Kovaçi të këndojë "Bareshë e malit", shoqëruar në piano nga Margarita Kristidhi, të duket sikur je pranë burimeve të malit e mes cicërimave të zogjve. Karakteristika të veçanta ka edhe kënga "Kur më zbret bregut", kënduar nga Pranvera Baçe, këngëtare e grupit artistik të Korçës. Sjell humor por shoqërohet nga ndjenja "Kënga e pleshtit", interpretuar nga artisti Hysen Pelingu. Kënga "Matura" ose "Unë për ty nuk do të shkruaj", në ato vite himn i tangos shqiptare, interpretohet nga një zë dinjitoz i muzikës shqiptare, Anita Take. Mjaft interesant është gjithashtu interpretimi i Gaqo dhe Luiza Çakos në këngën "E dua jetën", nën dirigjimin e Nesti Uçit. Dueti Anita Take dhe Xhavit Xhepa është një kombinim i mahnitshëm zërash tek kënga "Te burimi". Muzika si në këngë, ashtu edhe orkestrale, p.sh. tek kënga "Në parkun e qytetit", kënduar nga Anita Take, është shumë ngacmuese, ngazëlluese, duke provokuar lëvizje të pashmangshme. Zëri i Pjetër Gjergjit tek kënga "Lisi plak" tingëllon si kënga e një bilbili mali. Dhe më tej, dueti Pjetër dhe Florinda Gjergji tek kënga popullore e Xhedikut "N’at" livadh" duket sikur me të vërtetë vallëzon nëpër livadhet dhe lëndinat e bukura dhe të pafundme shqiptare. Të befason zëri i ëmbël i Xhavit Xhepës tek kënga "Ja bilbili ligjëron" (Çelin lulet), një zë melodioz, i pjekur, i padëgjuar në ditët e sotme, një zë që ta mbush shpirtin plot kënaqësi dhe të mrekullon. Duetet Pjetër Gjergji dhe Anita Take vazhdojnë me këngët "Ndarja nuk na ndan" dhe "Të pres", këngë karakteristike të tangos shqiptare, vepra të papërsëritura të Xhedikut.