(1944-2010)
Biografia
Ndoc Gjetja është një prej poetëve më pranë shpirtrave njerëzore në poezinë shqipe bashkëkohore, apo siç e ka cilësuar një studiues, poeti që di me çdo varg ti bjerë bukur tastierës së humanizmit. Ai këtë frymë e timbër të zërit të vet kurrë nuk u rrek t’a tradhëtonte. Besnik i patundur i bindjeve e prirjeve të veta, si një orakull, ai vazhdoi të shkruaj deri ne dite te fundit me atë sinqeritet siç u shfaq aq i befasishëm kur ishte veç se një gjimnazist në Lezhë. Poezi e thellë, e ndjerë, poezi në të cilën rrëfehet bota e njeriut, intimiteti, mardhëniet njerëzore, madje edhe me sendet rreth e rrotull. Ardhja e tij në letërsi shënoi disi rënien morale të shkelqimit të improvizuar të poetëve që përbënin triumviratin monist të letërsisë, të cilët, vertetë dinin të thurnin vargje, i kishin dërguar edhe jashtë për studime zhdanoviane, për të qënë kështu "poetë oborri", siç i klasifikonte Frederik Rreshpja, por këtyre të kreut u mungonte sinqeriteti poetik. Shkruanin ca poema për ca shqiponja që flututonin lart, kur shqiptari zvarritej si krimb baltrave herë mbi dhè e herë nën dhè. Shkruanin për ca ugare e baltra krenare, për ca qytete industriale, për çelik, hekur e beton, e këto i shpalosnin në faqe gazetash me një krenari të shpifur, ndërkohë poetët që revoltoheshin si ndaj sistemit të dhunës por dhe imponimit krijues, përgjunjëshin, dhunoheshin, madje edhe pushkatoheshin si Trifon Xhaxhika, Vilson Blloshmi, Genci Leka dhe Havzi Nelaj. Ata, të mëdhejt e dikurshëm, edhe sot e ruajnë xhelozisht prijtarinë fodulle në poezinë shqipe me patericat e një të huaji që e njeh gjysëm globi larg poezinë shqipe, kritik që ka bërë riklasifikimin e poetëve elitare konformist krejt ngjashëm me çfarë e shiste si lakra tregu i realsocit. Po fundja le ta falenderojmë edhe për këtë, kritikun e huaj, se po na i mban me berihaj rosinantët e poezisë së monizmit, kasnecët letërsisë së diktaturës që sot kanë dalë në publik me një luk të ri. Por më kot. Se vertetë njerëzit e shihnin Konstandinin që ja kish shaluar rrasës së varrit si kalë, por edhe erën e baltrave të varrit ja ndjenin.Dhe thonin, ky kalorës egërshan nuk është i gjallë, është i vdekur, shkon i vdekuri me të gjallë, shkon i gjalli me të vdekur.
Natyrisht, kushdo që ka patur ambicjen për të fituar emrin poet asokohe të përdhunëshme, ka paguar haraçin e konformizmit. Keq apo mirë, me dashje apo pa dashje duhej ti këndontë një këngë lavdëruese tiranisë çdo autor, por këtu nuk është fjala për haraçin që paguhej me imponim, por për përjargjet e atyre që nën shëmbëllesen e diktatorit të madh, si të ishin marioneta teatri kukllash, bënin diktatorin e vogël në koperativen e shkrimtarëve bolshevikë.
Edhe Ndoc Gjetja e pagoi haraçin e vet historik. Por ndërkohë ai në tërësinë e tij mbeti poet i vertetë. Poezia e tij qytetare, ndryshe prej poezisë marciale të krerëve të letërsisë, kërkonte tek njeriu, tek perjetimi, tek intimiteti, tek ndjesitë e mira e të bukura. Ajo poezi u bë fort e dashur për lexuesit. Falë kësaj, Ndoc Gjetes i mbetën nga koha e krijimtarisë nën regjimin monist, shumë më tepër poezi se sa atyre që prodhonin me shumicë për të mbushur depot e propogandës komuniste me vepra që i imponoheshin popullit brenda dhe, falë parave pa kursim që jepte regjimi, tollombacja e kuqe fryhej edhe jashte shtetit, packa se deri me sot, askush nuk ka marrë përsipër të bëjë një hulumtin se sa para janë vënë nga rregjimi monist që letërsia realsocit të "çante bllokaden" imperialisto-revizioniste.
Megjithë fryrjet që u bëheshin agjitatorëve të letërsisë së partishme, të cilët zinin vend në tribuna, kongrese e kuvende krahas krerëve të diktaturës, ata nuk i shpëtonin dot sfidave nga brënda. Një sfidë ishte Kasëm Trebeshina. Nuk e lanë një çast të lirë por e kalben burgjeve e veprat ja dogjen me vendim të gjykatave të ashtuquajtur popullore.
Se të gjitha, edhe mbjellja e tokave me kokalla, në emër të popullit bëhej. U shfaq si meteor Bilal Xhaferri. Plasën ta hiqnin nga udha e letërsisë, ku dikujt i bënte hije mesadukej, sa një Fadil Paçram që bënte edhe partinë edhe letërsinë( por e pësoi nga të vetet), e anatemoi Bilal Xhaferrin publikisht, sa e degdisi të arratisej. Por edhe atje larg në Çikago e gjetën në vitin 1987 - vdekja enigmë që pikëlloi artdashësit por gëzoi jerarkët e letersisë moniste, që vollën vrer ndaj tij.
Krijimtaria e Frederik Rreshpës e Ndoc Gjetjes bashkuar me atë të Jorgo Bllacit e ndonjë tjetër, ishin gjithashtu sfida që ju bë poetëve të elitës së diktaturës. Frederikun pesimist e të zymtë që guxoi të flasë, e burgosën, Jorgo Bllacin e Sadri Ahmetin po ashtu. Ndocin që këndonte për njeriun e "vogël", rrethanorin, e mbajtën pranë duke e konsideruar një poet provincial i parrezikshëm. Por duhet thënë se Ndoc Gjetja, pavarësisht një farë konformizmi, për shkak të fatalitetit të lindjes nën diktaturë, kurrë nuk e kishte toleruar kerkesën ndaj artit të vertetë. E vunë të drejtonte një revistë të vogël me titull "Ekran" rreth të cilës mblidheshin më së shumti krijuesit e filmit dhe teatrit. Kështu poeti lezhjan, por i lindur në Berdicë të Shkodrës mbijetoi.
Në verë të vitit 1993, Ndoc Gjetja u gjënd në një kurs në Athinë dhe me të thuajse takohesha përditë. Koha kish bërë të vetën, tranzicioni në vënd që t’a shpëtonte po e shkatrronte njeriun. Poetët e ndjenin vetën të braktisur. Shoqëria shqiptare në një marramendje prej të dehuri, nuk donte të dinte në kishte shkrimtarë. Shteti i shkërrmoqur nuk merrej as me poetët e as me lypsit e, çfarë është më e keqja, i konsideronte të një rangu të dy palët, sepse rëndonin buxhetin qeveritar me asistenca sociale.
Një punonjës administrate mund të bridhte gjithë botën, politikanët i bënin pushimet në Dubai, ndërsa poetët thuajse vdisnin për bukë. Të shisje banane e paketa cigaresh nëpër rrugë ishte e zakonëshme për krijuesit. Kohë tranzicioni, kohë e pamëshirshme e mizore. Ndoc Gjetja fliste me vete i tërhequr në botën e tij,... e shkruante. Poezia merrte tone proteste. Trajta dhembje. Dhembje njerëzore, siç gjithmonë i kish ndjerë e vuajtur në shpirtin e tij. Ja si u rrëfehej lexuesve të vet: Tridhjetë vjet e shtrylla talentin në një nga zyrat e shtetit monist/me kepucë të vjetra e përshkoja qytetin dhe gjithë njerëzit i doja si Krisht.
Kohët ishin diametralisht të kundërta, por thelbi i vuajtjes njerëzore mbeti, veç në trajta e forma të reja: O koha tranzicioni, kohë bishtdhelpre! Si të ranë brakushet kështu poshtë këmbëve!/Unë po shkoj të mbyllem në Monastrin e Vetes/derisa të kryesh jashtëqitjen tënde.
Tek bisedonim në një kafene verore, pranë sheshit Omonia në Athinë në një ditë të bukur qershori, i shpreha dëshirën t’i bëja një cikël fotografish për fondin tim fotografik,por edhe për ti botuar në gazetën "Egnatia" bashkë me poezitë e tij. Kështu kam vepruar me miqtë e mi gjatë viteve të mërgimit në Greqi: Aristidh Kolia, Ndoc Gjetja, Robert Alia- Dragot, Mimoza e shoqja, Gazmend Kapllani, Zhaneta Ogranaj, Pilo Zyba, Genc Çobani, Englantina Kume, Marita Vuksani, Rajmonda Diamanti. I fotografoja, i botoja në gazetë si dhe në albumin poetik të emigrantëve por edhe i ruaja në arkivin tim. Vjen një kohë që edhe fotografitë si verë e vjetër çmohen, marrin vlera të reja, sepse janë imazhe të një kohe që kurrë nuk kthehet më. Po a do të me nxjerresh mirë, me pyeti Ndoci, tek pinte cigare i menduar. Atëherë ju ktheva e i thashë, se në mos mbetët i kënaqur Poeti, e në mos e nxjerrsha në portret si Krisht, do ta thyeja aparatin fotografik që sapo e kisha blerë në Monastiraq.
Fotografite dolën të bukura e Ndoci i pelqeu ato. Madje njëren nga fotot e vuri në kopertinën e librit të vet me poezi.
Që nga 1993 e sot kanë kaluar mjaft vite. Për Ndoc Gjetjen vazhdoi kalvari i mundimeve që e bëri fytyren e tij akoma më të përvujtun. Ata që e patën pasuar në Lezhë e që përbënin të ashtuquajturën "shkolla poetike lezhiane", njëri i hyri politikës, tjetri diplomacisë e një tjetër atë të këshilltarit të kryeministrit të vendit, duke e lënë disi nën hije veprimtarinë poetike, për t’i bërë vend karierës që sjell mirëqenie dhe famë publike në media. Ndërsa Ndoci po ai. Madje akoma më keq, u largua nga Tirana e u kthye në vendlindje.
Gjatë dhjetëvjeçarit të fundit i ndodhur në Amerikë, kam dëgjuar për poetin prej miqëve tanë të përbashkët si Elinda e Pjeter Jaku, të cilët patën mirësinë të më dërgonin vëllimin poetik të Ndoc Gjetës "Dhjata ime" botim i vitit 1998, të cilit ja kushtonte me pikëllim të birit të vet Renit i vrarë në moshë të re. Edhe shkrimtari Kujtim Dashi me ka folur për fatin e trishtueshëm të Ndoc Gjetjes.
Tragjedia në jetën e poetit ishte kryer e kjo ndjehej jo vetëm në terheqjen e tij jashtë vëmendjes publike, por edhe në poezine e tij me tone pikëllimi. Artistet e mëdhej edhe tragjeditë e dhembjet i kanë të mëdha, ndaj dhe veprat e tyre janë aq mbresëlënese dhe tronditëse, sepse artistet nuk qajnë me lotë, qajnë me shpirt e qajnë me art, me një art që e tejkalojn jetën e një njeriu, për tu rrokur në shpirtrat e brezave të tjerë.
Mortja s’ka çfarë u bën poeteve, artistët e mëdhej kanë lindje, por vdekja u harrohet. Ndaj them se, kushdo që e ka njohur poetin dhe poezinë e tij, e di mirëfilli se Ndoc Gjetja, si me pare edhe me pas, mbeti poeti që shkroi poezi për botën shpirtërore të njeriut,… dhe vetë ai ishte dhe mbeti njeriu i përvujtun, i thjeshtë, i vertetë, poeti me fytyren e Jezu Krishtit në poezinë shqipe.
Ajo fytyrë Krishti e mbuluar me një dhembje hyjnore, gjithmone do te kujtohet diku pranë vendvarrimit të kryetrimit Gjergj Kastrioti, ku rrinte me njerëz të thjeshtë, të cilët mbase nuk e dinin se ai ishte dhe mbetet një prej poetëve më në zë të letërsisë së sotme shqipe, zëri më njerëzor.