Biografia
Godina ka një shtrirje prej rreth 70 metrash paralel me shëtitoren dhe lartësi që varion nga 18 deri në 23 metra, duke u harmonizuar me objektet përreth si Muzeu Arkeologjik, stadiumi "Qemal Stafa", Kryeministria dhe Radio-Televizioni Shqiptar. Mjedisi kryesor është salla e madhe me kapacitet 2100 vende, e projektuar për të përmbushur kërkesat funksionale, artistike dhe akustike të kongreseve, konferencave dhe koncerteve. Ajo është e pajisur me sistem ajri të kondicionuar, ndriçim, pajisje zëri, televizive dhe përkthimi në disa gjuhë, duke e bërë të lehtë shndërrimin nga sallë mbledhjesh në sallë koncertesh. Përveç saj, u ndërtuan edhe tri salla të tjera me kapacitete 150, 280 dhe 300 vende, si dhe mjedise pune e shërbime teknike. Hollet në tre kate u konceptuan për ekspozita, pushim dhe veprimtari të ndryshme.
Pamja e jashtme e Pallatit u mendua të ishte origjinale, monumentale dhe e pastër, në përputhje me funksionin e tij. Elementet arkitektonike si brinjët rrezore dhe xhamat me kënde u frymëzuan nga tradita e ndërtimit në Gjirokastër, Berat dhe kullat e veriut, pa i kopjuar ato. Materialet e përdorura u zgjodhën sipas kërkesave arkitektonike dhe u shoqëruan me studime të gjata për përvetësimin e metodave bashkëkohore të kohës, si llogaritjet hapësinore të konstruksioneve dhe metodat me elemente të fundme. Struktura u konceptua që në rast tërmeti të funksiononte si një e tërë, duke marrë parasysh bashkëveprimin e elementeve horizontale dhe vertikale. Një sfidë e veçantë ishte mbulesa e sallës kryesore, me formë rrethore dhe diametër 54 metra, e cila u ndërtua për herë të parë në Shqipëri dhe kërkoi zgjidhje të ndërlikuara matematikore, konstruktive dhe teknologjike. Punimet u realizuan nga punonjësit e kantierit nr. 7 të ish-ndërmarrjes "21 dhjetori".