TEKSTESHQIP
Biografia
Petrika Agolli ka lindur në qytetin e Korçës më 30 tetor 1957. Qysh fëmijë ishte i pasionuar ndaj muzikës: në shkollën fillore fitoi të drejtën për të ndjekur shkollën e muzikës. Vlen të përmendet një fakt, i cili ndikoi në zgjedhjet e tij të mëvonshme. Kur hyri në shkollën e muzikës ai dëshironte të mësonte me ngulm instrumentin e pianos, por e regjistruan në degën e violinës kundër dëshirës së tij. Violina ishte një instrument që nuk e bëri asnjëherë për vete. "Kjo - tregon kantautori - më bëri që të largohesha nga shkolla e muzikës dhe pse mësuesja më konsideronte një talent që nuk duhej të humbte kot." Petrika Agolli ishte gjithashtu i pasionuar pas sportit. Kjo bëri që ai të regjistrohej menjëherë në një klasë sportive për gjimnastikë, ku arriti rezultate të mira. Familja e tij, që nuk donte kurrsesi që ai ta braktiste muzikën e regjistroi në Shtëpinë e Pionierit, në rrethin e mandolinës, pasi edhe atje nuk kishte vend të lirë për piano.

Pasioni për muzikën e nxiti të pranonte dhe më pas ai arriti të bëhej një ndër instrumentistët më të mirë për mandolinë, duke marrë pjesë në një sërë aktivitetesh në Pallatin e Kulturës si dhe në korin karakteristik të Korçës. Kompozoi shumë serenata të cilat mbeten edhe sot të preferuara për publikun.

Ai mësoi në mënyrë autodidakte flautin, saksofonin e kitarën dhe këtu filluan debutimet e tij para. Pasi mbaroi shkollën e mesme të përgjithshme, vazhdoi t’i dedikohej muzikës. Pra, gjithçka që ka arritur si instrumentist dhe kantautor është fryt i talentit dhe pasionit të tij.

Në vitin 1997 emigroi në Greqi dhe në 1999 në Boston, Massachusetts në Shtetet e Bashkuara. Atje ka studion e tij dhe kompozon këngë e pjesë të ndryshme orkestrale. Ka shkruar rreth 100 vepra muzikore të cilat gjenden edhe në Youtube. Ato janë vlerësuar nga profesorë të ndryshëm të artit e të muzikës për origjinalitetin dhe profesionalizmin muzikor.