TEKSTESHQIP
Biografia
Petro Cerkezi ( Petros Tserkezis) lindi në Polican – Pogon, në prefekturën e Gjirokastrës. Studioi filologji shqiptare dhe ruse në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë, Universiteti i Tiranës. Ai u angazhua në letërsi që në vitet e studimit. Punoi si mësues në arsimin e mesëm dhe si shkrimtar repertori në teatrin inspektues të Gjirokastrës. Drejtoi gazetën “Qyteti i Jugut” (1992–1994) dhe më pas “Afypnisis” (2002–2007), organ i artistëve dhe letrarëve të Epirit të Veriut. Nga 1972–1977 ishte lektor i jashtëm për letërsinë moderne në Universitetin e Gjirokastrës. Që prej vitit 1994 jeton me familjen në Nikozia, Qipro.

Shkrimtari Çerkezi në hapësirën kohore nga ’80- ’90 i solli bibliografisë poetike shqiptare vëllimet “Në tokën e stërgjyshërve”, (1977), “Duarshtrëngime” (1984), “Dridhet palë e fustanellës” (1987) dhe veçanërisht në kapacitetin e përkthyesit “Antologjinë e poezisë greke”( 1987). Poeti, ish-qytetari që spikati estetikisht në këtë kohë përmes krijimtarisë së vet. Një estetikë e shfaqshme në “qytetin e gurtë”, jo thjesht si banor i lindur aty, por si një individ që mistikës së heshtjes së gurit i pranësillte përmes verbit të vet poetik, të njohshmen e papranuar publikisht për përkatësinë dhe identitetin etnik.

Një poet i dalë nga poezia postmoderniste, lojcak dhe eksperimental. Besnik i masës dhe tejkalues i saj në mënyrën më racionale kur do të karakterizojë ferr-mungesën e kohës bunkerore të vendit që ka lënë pas, qysh pas fillim- ‘90-ës. (“…Dhe në rënçim/ Një pistë e kaltër do na presë patjetër…”(Në aeroportin e zogjve”.

Petro Çerkezi mishëronte në tekstet poetike një poezi arbëroro-helenike. Me tendenca të imëta refleksesh dhe përafrime adhuruese me tipologjitë stilistike me poezinë e Elitisit, Seferisit, Ricosit e shumë të tjerëve nga atdheu i origjinës së vet, përfshi edhe ata të Qipros. Në mjedisin intelektual dhe krijues të Gjirokastrës, qetësia dhe kjo sqimë e poetit Çerkezi, tërhiqte shikimin prej diferencës gati aristokratike që mbartte në shtatin dhe cilësitë vetjake të komunikimit. Këto aspekte vlenin si kontrast deri në fundin e vitit 1990, kohë kjo që do të shënonte jo veç për jetën, por për krijimtarinë e autorit, një palosje të thellë balzakiane, kontrasti të thellë.
Komente 0