TEKSTESHQIP
Biografia
Rifat Draga nga fshati Leçinë, vija ku përafërsisht kufizohet Dukagjini me Drenicën, është një këngëtar i mirënjohur i këngës folklorike, i afirmuar para dhe sidomos pas luftës në Kosovë, me një repertor të pasur të këngëve ku dominojnë këngët atdhetare, këngët për dëshmorët, por edhe këngët shpotitëse, humoristike e satirike ku kritikohen dhe stigmatizohen dukuritë e shëmtuara shoqërore. Rifat Draga e ka thyer me kohë barrierën e krahinës apo të provincës. Ai, duke qenë edhe i arsimuar dhe vrojtues i vëmendshëm i proceseve në krijimtari, në njëfarë mënyre i ka bërë një shortim këngës burimore të Drenicës dhe të Dukagjinit. Përpjekja e tij në këtë rrafsh ka qenë e suksesshme, sepse kjo përpjekje ka ardhur si rezultat i një vetëdije krijuese, me qëllim të krijimit të një stili unifikues. Ky këngëtar tashmë i afirmuar ka krijuar stilin origjinal, të cilin e ka shtrirë në një dimension gjerë duke ruajtur karakteristikat e këndimit nga një krahinë në tjetrën, por duke veçuar elementin unifikues dhe duke nxjerrë në sipërfaqe një "shortim", që i josh dëgjuesit e Drenicës, Dukagjinit dhe mbarë Kosovës e më gjerë. Veçantia e këngës së Rifat Dragës, i cili këndon edhe në grup me bijtë e tij, ndërsa ka kënduar edhe me rapsodët më në zë të Drenicës si Tahir Drenica, tashmë i ndjerë, Ibish Broja, Rexhë Kopiliqi, Kadri Duraku e të tjerë, ka të bëjë në radhë të parë me një qasje origjinale ndaj këngës, një qasje që nuk e duron imitimin e drejtpërdrejtë, por bën përpjekje për të krijuar një sintoni të tipizuar. Në të shumtën e rasteve ai ka arritur që këngët, të cilat i ka krijuar vetë t’i shtjellojë me një origjinalitet të lakmueshëm, duke i begatuar me mënyrën origjinale të këndimit dhe duke ndërshtënë edhe elementë krahinorë për ta bërë këngën më të preferuar dhe më origjinale. Këngëtari Rifat Draga ka krijuar një traditë familjare në këngë, duke u paraqitur para publikut, qoftë si këngëtar solo apo në grup me bijtë e tij, të cilët për mrekulli po e trashëgojnë këngën rapsodike të babait dhe gjeneratës së rapsodëve të kohës së tij.