Më mbaj mend (për 1 muaj)

Ndryshk

Vijon të çirret rëra pa reshtur
plugje të hekurt kanë gjithmonë uri
e duar të padukshme ujdisin netëve dantellat e deteve,
ndërsa mokra e sëmurë
Bluan pa pushim, bollgur...
Gërxhe e brigje pa fotosinteza,
shpalosur në pergamena
si trofe me vlera...

Ndërkohë pikëllimi tej thellon hone,
mjerimin gremis morisë së turmës
e territ që bie,
mbi shpinë i hedh një mal harresë...

Ka ftohtë një nënë,
sëpatën oborrit t'lagësht
e ha ndryshku!
Ka ikur i biri...
e një fëmijë që ka uri,
mjekërdridhur mezi mban një lot
që varet kërcënueshëm e më tremb
e me ca sy që shpojnë,
ndizen e lypin dije...

Njerëzia...
ah, njerëzit,
Vëmendshëm vrojtojnë erën,
nga të kthejnë gunën...

Fali Zot, nuk dinë ç' bëjnë!

23/10/2020

- Poezi nga Rudina Muharremi


- U dërgua nga Rudina -


Nuk ka akoma asnjë votë


Komente 0