>
LETERSISHQIP

Si Monaliza E Leonardos

Mbrëmjeve të ngrysura
dhe mëngjeseve ku rrezja përthyhet
strukem krahëve të ngazëllimit
tek rend me trokun e ditëve
supeve,
në një torbë të rëndë,
mbart ëndrrën time titanike...

S' ngurroj t'i gris errësirat
as heshtjet metalike,
tek udhëtoj orëve të mprehta
me parandjenjën e thellë
dhe ëndrrën,
që s'më lë të ndihem vetëm.

Mbi telajon e saj,
si mbi Xhokondë
hedh ngjyra
rrëfenjën e ftohtësisë vizatoj
shurdhërinë e një britme shpirti
thellësinë e një vështrimi
kolorite ngjyrash që thyhen prizmave
e vezullimin e dritës
që tejçon përtej një gjoks.

Rritet ëndrra,
bulëza jete shtrijnë në të gjymtyrët,
tek rend frymës së muzgut
për t'u endur qiejve të bardhë
me metamorfoza memece,
ngjyrimeve mes reve dhe shiut
për t'u kthyer në shpirtin tim,
e për të udhëtuar me mua
deri në të fundit ditë...!

Shembet e ngrihet ëndrra ime
mendimeve që udhëtojnë në heshtje
s'ka çmim ajo,
nuk shitet
është ende e pambaruar,
do ta ngjyros sërish atë vështrim
deri në dhimbje,
e si Leonardo, do ta mbaj me vete
dhe para se të vdes
do t'ua lë si Monalizën
testament, atyre që më deshën...!

DËRGOI: