TEKSTESHQIP
Biografia
Sevdi Malesia, i lindur në fshatin Sellcë të Malësisë së Sharrit, në moshën tetëvjeçare me familje shpërngulet dhe vendoset në Trebosh të Tetovës. Që nga mosha gjashtëvjeçare, asnjëherë nuk iu nda këngës, të cilën ia mbolli në zemër daja i tij I fisëm, Qamil Berisha. Është kjo kënga e pastër burimore folklorike, e cila iu bë pasion dhe rropatje imanente jetese. E këndoi atë dhe, akoma po vazhdon ta këndojë me dashuri të pafundme,falë zërit të tij melankolik e me një timbër dallues melodik. I urtë si njeri dhe pasionant si këngëtar, por edhe si rrëfimtar muhabeti të sobave tradicionale, ai është i adhuruar dhe i kërkuar nga publiku, i cili i pëlqen këngët e pastra shqipe të traditës. Ai është veçuar me këngët epike autoktone, këngë trimërie, por edhe "krahina", të kënduara me një sens të vaçantë, bashkë me kolosin e këtij stili të të kënduarit, me Bibë Kosovën dhe grupin ekskluziv të odave ndërshqiptare, qoftë në Maqedoni, qoftë në Kosovë e gjetkë.

Bashkë me këngëtimin, Sevdiu dallohet edhe si instrumentist i mirë, që ekzekuton bukur, përveç me çifteli, madje edhe me sharki dhe violinë. Këngët e vjetra ringjallen nëpërmjet tij, veçanërisht ato të trimërisë, karakteristike për zonën tonë, ndonëse po këndohen gjithnjë e më rrallë. Sevdi Malësia ka edhe albume dhe këngë origjinale, disa prej të cilave janë: " Molla Sula", "Sellca e moçme", "Adem Jashari", "Komandant Rroku", etj. Ka qenë pjesë e përhershme e shoqërisë "Rilindja" të Sellcës së Tetovës, madje edhe e shumë grupeve folklorike anekënd shqiptarisë duke marrë pjesë në shumë festivale e koncerte brenda e jashtë vendit, duke u mirëpritur nga publiku.Në këtë vazhdë,vlen të përmendet bashkëpunimi i Sevdiut me Hashim Shalën (me të cilin kanë realizuar disa albume), madje bashkëpunimin me Ismet Pejën, më vonë edhe me Nusret Hoxhën etj. Pak më të vjetrit e mbajnë mend këndimin e tij nëpër dasma, atëherë kur këngëtarët ishin të rrallë. Kënga burimore shqiptare e anëve tona, në interpetimin e tij gjenë artistin e lindur, këngëtarin që ia njihte "mekamin". Ai ende vazhdon ta këndojë këngën nga gurra popullore dhe duke i dhënë origjinalitetin e papërsëritshëm të dhuntisë së tij prej një këngëtari të madh e shumë produktiv.