TEKSTESHQIP
Biografia
Sevëme Fetiqi u lind më 7 maj 1961 në Vushtrri. Studioi mjekësinë në Universitetin e Kosovës në Prishtinë. Që nga bankat shkollore tregoi interesim dhe prirje për poezi. Poezitë e saj u botuan në shumë gazeta dhe revista. Në vitin 1983, poezitë e saj u botuan në antologjinë "Rrjedh e lë gjurmë" të cilën e botoi gazeta e studentëve “Bota e Re”. Më vonë, më 1985 iu botua përmbledhja e parë “Kurorë e kaltër” botim i Rilindjes, e cila përmbledhje u shpërblye me çmimin ”Hivzi Sylejmani” si libri më i suksesshëm i Plejadës, nga gazeta “Zëri i Rinisë”. Redaktor i këtij libri ishte shkrimtari Ali Podrimja. Më vonë si shumë të përndjekur, në vitin 1992 Sevëmja emigroi në Gjermani.
Në vitin 1998, autorja boton librin e dytë “Dëshmia e kthimit tim”, (Rilindja), redaktor Rrahman Dedaj. Në vitin 2003, poezitë e saj përfshihen në “Antologjinë e poezisë moderne shqiptare” të Ferdinand Lahollit, ku janë të përkthyera në gjuhën gjermane.
Poezitë e saj janë të përkthyera edhe në gjuhën rumune në antologjitë e Baki Ymerit “Trup dhe shpirt (Trup si suflet)” 2012 dhe „Destinë letrare“ (Destine literare) 2015, si dhe në shumë antologji tjera letrare. Librin e tretë të saj, me poezi “Imazhe të ringjallura” ia boton në mars të vitit 2012 SHB “Beqir Musliu” në Gjilan.
Në vitin 2014 Sevëmja boton edhe librin e katërt të saj me poezi „Një gllënjkë dashuri“ SHB „Beqir Musliu“ Gjilan.
Është shpërblyer me shumë çmime letrare në Kosovë e Gjermani. Në vitin 2012 u nominua nga LPNSHA “Pegasi” Tiranë dhe Prishtinë,,,Poetja e vitit 2012”. Në qershor të vitit 2013 në Takimet Poetike Tradicionale “Azem Shkreli” në Ennepetal të Gjermanisë, me vendin e dytë u shpërblye libri i saj “Imazhe të ringjallura”.
Në vitin 1979 ishte njëra ndër themeluesit e TAKIMEVE TË POETESHAVE SHQIPTARE në Vushtrri, në vendlindjen e saj, si dhe veterane e këtyre takimeve ku edhe u shpërblye disa herë me çmime. Në vitin 2013, nga Komuna e Vushtrrisë e nderon me Mirënjohje, që ndahet për nder të Ditës së Pavarësisë të Republikës së Kosovës, për aktivitetet e saj letrare dhe për kontributin shumëvjeçar në vendlindjen e saj. Poashtu ne vitin 2018, në vendlindjen e saj, merr çmimin për vepër jetësore nga klubi letrar „LATIF BERISHA“ Vushtrri.
Ajo është anëtare e Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, më se 40 vite, anëtare e komisionit punues për përurimin e librave, pranë shoqatës „ILIRIA“në Heidelberg, anëtare e Lidhjes ndërkombëtare të poetëve “PEGASI” Albania për Gjermani, anëtare e Lidhjes së shqiptarëve në Botë, dega në Gjermani si dhe anëtare e Unionit gjithëkombëtarë shqiptar, me seli në Belgjikë.
Komente 0