TEKSTESHQIP

(1936-2021)

Biografia
U lind në Has, pranë brigjeve të Drinit të Bardhë, me 14 qershor, 1936. Ende pa e mësuar mirë shqiptimin e fjalëve në gjuhën tonë të bukur, mësoi renditjen e gishtave në pipëz, teksa bubërrohej në prehër të babait, Xheladinit, derisa ai interpretonte mjeshtërisht në fyell e kavall. Kjo dashuri fëmijërore për instrumentet frymore të traditës, do ta përcillte tërë jetën. Dhe e mbushi atë (jetën) me krijime, interpretime dhe studime të paçmueshme në kulturën e traditës sonë të pastër. Mbi 2000 instrumente janë gdhendur nga duart e tij, mijëra melodi janë luajtur nga gishtat e tij, qindra këngë e valle mbajnë vulën e tij, shpirtin e tij.
I lidhur fort me vendlindjen, ai mblodhi lëndën e parë nga: dheu, druri, guri, bari, briri, gjethi, kallami, lëkura, gëzhoja e frytit të arrës e të lajthisë, nga çdo gjë në natyrë që ka një brendi, një hapësirë ku mund të hyjë ajri dhe me punë artizanale, me mjete fare të thjeshta i bëri ato që të flasin në gjuhën e bukur muzikore.

Në fushën e folklorit, kjo krijimtari ka vlera të padiskutueshme: historike, antropologjike, etnologjike, etnografike, estetike dhe semiotike, duke qenë frymëzuese e përbotshme, burim i pashtershëm për krijimtarinë e re muzikore artistike të etnisë sonë. Ndaj, mjeshtrja e tij artizanale, instrumentet e tij frymore, krijimet e tij muzikore, interpretimet e tij dhe punimet shkencore në fushën e folkloristikës do të jenë vlera të paçmueshme për Institutin e Folklorit dhe Muzeun Kombëtar, të cilët duhet patjetër ta krijojnë një hapësirë në ambientet e tyre (kërkesë kjo e para 10 vitesh), që do të emërtohej "Oda e Shaqës", aty ku do të takohemi përherë ne dhe brezat që do të vijnë, me artin e tij, me shpirtin e tij.

Fyellin, kavallin, bishtnicat, pipëzat i kishte trashëgim nga familja. Kur i ka pasur vetëm 6-7 vjeç, ka interpretuar në odë të burrave në Rogovë të Hasit. Herë pas here, është mbyllur në kullën e axhës dhe bashkë me babanë e tij ka interpretuar melodi me fyell e me kavall. Sot është legjenda e instrumenteve frymore burimore. Me duart e tij gdhendi një instrument e nga shpirti i tij çdo ditë nxorri nga një tingull. Kishte dëshirë që zanatin e tij, të krijimit të instrumenteve frymore e të thurjes së melodive me fyell e kavall, t’ua trashëgonte edhe të tjerëve, por askush, as nga Ministria e Arsimit e as nga Akademia e Arteve nuk shprehu interes për talentin e tij.

Shaqir Hoti ishte okarina e artë e melodisë popullore, është legjenda e gjallë e fyellit, kavallit, bishtnicave, ishte enciklopedia e instrumenteve frymore.