>
LETERSISHQIP

Gozhda

Bë të mos ngjasosh me mua.
Bë të kesh gjithnjë, një ëndërr, një copë qiell,
e një copë diell, mbi kokë.
Bë të kesh një copë muri, ku do mund të ngulësh gozhda,
e gozhda e gozhda, e gozhda pa fund...
Ngul një gozhdë n'atë mur, për kapotën e trupit.
Ngul një gozhdë n'atë mur, për kapotën e shpirtit.
Prej Zotit tënd të mirë,
bë Gozhdë të Përhershme për ta varur veten.
Mos e përbuz bukën.
Mos e përbuz dashurinë.
Puthe gjithnjë koren e thatë të bukës dhe dashurinë.
Thur me flokë lulesh gërsheta ëndrrash.
Prej ujit dhe prej ajrit, bë gozhdë poashtu.
Bë gozhdë prej dashurisë pa fund.
Bë gozhdë prej zogut n'fluturim.
Bë gozhdë prek fakirit
që dorën n'rrugë ta zgjat për një qindarkë pa vlerë.
Bë gozhdë prej këpucës që mbath ti.
Bë gozhdë prej agut dhe prej muzgut tënd.
Bë gozhdë prej perëndimit të ditës.
Bë gozhdë prej natës
edhe kur është e gjatë, e ftohtë, e me shumë shi.
Bë gozhdë prej stuhisë së mendimit.
Bë gozhdë prej lindjes dhe perëndimit të ndjenjës.
Bë gozhdë prej çastit bosh, dhe prej çastit plot.
Bë gozhdë prej gëzimit dhe prej dështimit.
Bë gozhdë prej mllefit dhe trishtimit.
Bë gozhdë prej vuajtjes dhe refuzimit.
Bë gozhdë prej dhembjes së zemrës
dhe prej dhembjes së shpinës.
Bë gozhdë prej gishtave të tu delikatë.
Bë gozhdë prej mungesës
dhe prej gjithçkasë që të rrethon.
Bë gozhdë, bë gozhdë, bë gozhdë!...
Ku na tepron
e ku na mungon,
Gozhda është
e Para dhe e Fundit!...