Shpresa Gashi rrjedh nga një familje e vjetër qytetare në të cilën është kultivuar dhe trashëguar nëpër breza dashuria për muzikën dhe artin. Gjyshja e Shpresës, Nicë Gashi, ka luajtur shkëlqyeshëm në instrumente harkore, si violinë etj. E ëma e Shpresës, Gjina Ndueleshi-Gashi, ishte këngëtare, tezja, Jozefina, poashtu një kusherirë e saj e parë, Gongja, ishte soprano me emër në Kosovë. Ndërkaq babai i Shpresës ishte i pasionuar pas fotografisë. Një fjalë e urtë thotë se fëmija edukohet 40 vjet para se të lindë. Kjo urti të bie ndërmend sapo shfleton nëpër biografinë e Shpresa Gashit. Ajo lindi dhe u rrit në një ambient familjar ku tingujt e bukur, kënga dhe bisedat për muzikën ishin të përditshme. Pra që në familje fitoi dashurinë për muzikën, e natyrisht, edhe përkrahjen që të vazhdojë shkollimin në këtë fushë. U regjistrua në shkollën e mesme të muzikës në Prizren ku u dallua dhe ra shpejt në sy për kualitetet e saj. Pas kryerjes së shkollës së mesme të muzikës punon si mësuese e muzikës në qytetin e saj të lindjes. Ky ishte vetëm një pushim i shkurtër para studimeve të mëtejme. Në vitin 1970 fillon studimet në Akademinë e Muzikës në degën e Teorisë së Muzikës. Njëkohësisht jasht akademisë, me punë plotësuese, bën avancime serioze në perfeksionimin e solokëndimit te profesorët eminentë të kohës, në Zagreb, Shkup e Tiranë. Tashmë, në kokën e saj, kishte disa idole si: Tefta Tashkon, Marie Krajën, Lucie Milotin dhe Nexhmije Pagarushën. Shpresa po pushtohej nga një dëshirë e fuqishme që të shkojë gjurmëve të këtyre figurave, të mëdha, të kulturës sonë. Më 1974, Shpresa mbaroi Akademinë e Muzikës, në afat, dhe me shumë sukses. Por këtu nuk mbaruan dëshirat dhe ambicjet e saj për të mësuar më shumë e më shumë. Ishte, më shumë, një fillim i ri për përparime të reja në këtë vokacion. Kjo dëshirë e gjeti në Zagreb, ku duke lënë mbrapa një konkurrencë mjaft të fortë, u bë pjesëtare e Ansamblit Profesional, të parit dhe të vetmit në hapsirën e ish Jugosllavisë, I cili kultivonte muzikën e renesansës dhe quhej, Universitas Studiorum Zagrebiensis. Me themelimin e redaksisë së muzikës në Televizionin e Prishtinës ajo jep kontributin e vet të cmuar. Shpresa këtu punon si bashkëpunëtore e muzikës serioze, si ilustratore dhe si drejtuese e emisioneve muzikore. Origjinaliteti dhe timbri, tepër i vecantë, i zërit të Shpresës, janë vecori dalluese të saj. Sot, thotë Shpresa, kur ka kaq shumë huazime të muzikës së huaj i vetmi bastion që nuk pushtohet e tjetërsohet është timbri muzikor që ruan vlerat origjinale. Natyrisht rëndësia e institucioneve është e vetkuptueshme. Ndër shumë epitete, thënë për Shpresa Gashin, ajo pëlqen pikërisht vlerësimin se "Shpresa këndon shqip dhe ka timbrin shqip". Kështu ka thënë në një rast për Shpresën, muzikologu i madh shqiptar, Ramadan Sokoli. Shpresa e provoi veten në disa zhanre dhe në të gjitha shkëlqeu, duke dëshmuar se është artiste e mirëfilltë. Asaj i ngeli pa realizuar vetëm një dëshirë! Limitet e kohës, mundësitë e kufizuara, mungesa e institucioneve operistike nuk i mundësuan realizimin e ëndrrës: ngjitjen në skenat e operas. Edhe Legjenda e këngës Shqipe, Nexhmije Pagarusha, shpreh keqardhje që nuk u bë e mundur ta dëgjonte një ditë Shpresën në një rol në opera për cka Shpresa ishte e zonja. Një pjesë e karrierës dhe suksesit të Shpresës lidhet me Radio Televizionin e dikurshëm të Prishtinës duke i dhënë shumcka njëri tjetrit. Me themelimin e korit professional të Radio Prishtinës, ajo bëhet soliste e këtij institucioni të ri kosovar. Kompozitori dhe dirigjenti, Rafet Rudi, duke iu referuar pikërisht kësaj periudhe të bashkëpunimit me Shpresën, në korin e Radio Prishtinës, vë në dukje paraqitjen e suksesshme të saj në disa zhanre: popullore, zbavitëse, serioze dhe muzikës së vjetër qytetare. Një nga momentet kulmore z. Rudi vecon realizimin brilant të Shpresës në veprën " Flijimi", shumë e popullarizuar në vitet e ’80-ta. Në Korin e Radio Prishtinës Shpresa punoi deri në vitin 1990, kur të gjitha institucionet kosovare po mbylleshin një nga një. Ajo kaloi vite të rënda në vazhdim. Shpresa Gashi, ka kënduar në shumë fesitivale dhe skena muzikore, në hapsirën shqiptare dhe jasht saj, në vendet ballkanike, në Evropë, SHBA dhe Australi. Zëri i saj, i sopranos lirike, me një koloraturë të vecantë, është në më se 60 incizime, shumë prej të cilave edhe janë vlerësuar me cmime të ndryshme. Shpresa është edhe kantautore e tetë këngëve. Ka disa këngë në duet, me Bashkim Pacukun, Xhelal Bakraqin dhe një me djalin e saj Edmondin te i cili, Shpresa, sheh vazhdimsinë e traditës familjare.
E gjithë kjo është vetëm një pjesë me disa nga karakteristikat kryesore, por të thëna kalimthi për krijimtarinë dhe biografinë në përvjetorin e saj të lindjes. Shpresojmë se Shpresa ende nuk e ka thënë fjalën e fundit.