(1929-2015)
Biografia
Në karrierën artistike kulmoi me personazhin e Gjeto Currit në operën "Bijtë e Skënderbeut", opera e parë e vendosur në skenë nga teatri "Aleksandër Moisiu". Tirka ka qenë ndër pjesëmarrësit e parë në festivalet e Radiotelevizionit shqiptar. Cilësitë timbrike të zërit të tij kanë ndikuar në përzgjedhjen e vazhdueshme të tij për të përfaqësuar Shqipërinë me Ansamblin e Këngëve dhe Valleve në aktivitete ndërkombëtare si në Kosovë, Turqi e kinë.
Këngëtari i mirënjohur bas bariton Tirka Afezolli ( siç e njohin të gjithë) u shndërrua në një nga vlerat më të çmuara në aktivitetet e muzikës popullore apo asaj të kultivuar. Ai tashmë ishte këngëtar i përhershëm i estradës së Durrësit. Një tjetër pikë kulmore e karrierës së tij ishte dhe performanca me 5 baritonët solistë të Teatrit të Operas. Së bashku me ta këndoi këngën himn të Pjetër Gacit "Për ty atdhe". Kjo këngë shënon njëherazi dhe pengun më të madh artistik e personal të Sotir (Tirka Afezollit).
Këtë këngë do të kish dashur ta sillte në skenë i shoqëruar nga i biri, dirigjenti i talentuar Petrika Afezolli. Fatkeqësisht, kjo dëshirë s’u përmbush dot kurrë. Për kontribut të veçantë, S. Afezolli është laureuar me tituj e diploma nderi si: Urdhri "Naim Frashëri" I klasit II deri tek Certifikata e Mirënjohjes nga Teatri "Aleksandër Moisiu" në vitin 2004. Në aspektin personal, Sotir Afezolli ishte një familjar i realizuar, me dy djem që japin kontribut në profesione të respektueshme: Oresti, drejtor në Drejtorinë Shkencore, pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe Petrika, artist e dirigjent i mirënjohur. Qytetaria durrsake, kolegët, miqtë, familjarët do ta kujtojnë gjithnjë, me respekt e mirënjohje këngëtarin e nderuar Sotir (Tirka) Afezolli për talentin dhe përkushtimin e tij ndaj zhvillimit të artit dhe kulturës në Durrës.