Sunaj Raimi, i lindur në vitin 1966 në Kumanovë. Shkollën fillore dhe të mesmen e ka mbaruar në vendlindje, ndërsa studimet në Universitetin e Prishtinës, në Fakulteti Filozofik, dega Filozofi-Sociologji, ku dhe ka diplomuar më vitin 1990. Ka punuar nëpër disa shkolla të mesme të Kumanovës dhe Likovës, si profesor në lëndët e Filozofisë, Logjikës, Sociologjisë dhe Kulturës urbane. Pas punës disavjeçare si mësimdhënës nëpër shkolla të mesme, e vazhdon arsimimin e tij të mëtutjeshëm në nivelet më të larta të mbindërtimit profesional. Kështu, më vitin 2000 në Institutin e Filozofisë, pranë Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup, fiton gradën shkencore - Magjistër i Shkencave Filozofike. Nga viti akademik 1999/2000, u angazhua si ligjërues në Universitetin e Tetovës, në lëndët: Sociologjia e përgjithshme, Filozofia e artit dhe Sociologjia e kulturës. Me iniciativën e tij, të ndihmuar nga disa kolegë, në vitin akademik 2003-2004 ai themelon Departamentin e Filozofisë-Sociologjisë në Universitetin Shtetëror të Tetovës. Në vitin 2005 në Universitetin e Tiranës, në Fakultetin e Shkencave Sociale, Departamenti i Filozofisë-Sociologjisë, Sunaj Raimi mbron me sukses disertacionin e doktoratës duke fituar titullin shkencor - Doktor i Shkencave në Filozofi - Sociologji. Prof. dr. Sunaj Raimi ka një përvojë dhjetëravjeçare si ligjërues në disa universitete (USHT, UEJL, ILIRIA, UBT, AAB, UNT). Ka qenë Koordinator dhe pjesëmarrës i shumë konferencave ndërkombëtare, projekteve shkencore dhe trajnimeve edukativoarsimore nga provinienca e shkencave sociale e filozofike. Është bashkëpunëtor i disa revistave shkencore dhe gazetave të ndryshme ditore dhe periodike, brenda dhe jashtë vendit. Ai aktivisht merret edhe me muzikë, poezi, publicistikë, kritikë, etnologji, ekologji etj. Në fushën e krijimtarisë muzikore Sunaj Raimi ka zhvilluar një karrierë shumë të suksesshme, ku është dalluar si kompozitor, tekstshkruajtës dhe kantautor i frytshëm i katër CD-ve me 33 këngë, me muzikë pop-rock. Nga këto katër albume të edituara, me tekste dhe melodi autoriale origjinale, dallohen një mori hitesh si: “Lulja e Kujtimit”, “Dashuria në bodrum”, “Vajzat, vajzat”, “Kah ora 12”, “Balada e studentit”, “Cowboy Jemma”, “Ti më je religjion”, “Qefini s’ka xhep”, “Amaneti”, etj etj.
Prof. Sunaj Raimi ka qenë dhe akoma vazhdon të jetë pjesmarrës aktiv nëpër shumë simposiume shkencore dhe tribuna sociologjike, filozofike, kulturologjike, etnologjike, poetike, muzikologjike, etj. Përveç gjuhës shqipe, Prof. Sunaji njeh rrjedhshëm edhe gjuhën maqedone, turke, serbokroate, ndërsa për nevoja shkencore njeh gjuhën angleze dhe bullgare. Aktualisht, Prof. dr. Sunaj Raimi punon si profesor i rregulltë, me thirrjen mësimore-shkencore profesor ordinar në Universitetin “Nënë Tereza” në Shkup, në Fakultetin e Shkencave Sociale, duke bashkëpunuar me disa universitete brenda dhe jashtë shtetit. Nga viti 2019, Prof. dr. Sunaj Raimi është zgjedhur Dekan i Fakultetit të Shkencave Sociale në Universitetin “Nënë Tereza”- Shkup. Është pjesëmarrës nëpër shumë institute, shoqata dhe komisione shtetërore e profesionale. Nënkryetar i Klubit të Shkrimtarëve “Jehona e Karadakut”-Kumanovë. Sunaj Raimi gjatë karrierës së tij akademike dhe shkencore, deri më sot ka shkruar dhe botuar mbi 40 punime shkencore me karakter nacional dhe ndërkombëtar, të botuara në revista shkencore të ndryshme të renomuara brenda dhe jashtë vendit.
Librat e botuara:
1. “Identiteti i Rock’n’rollit”, (1997)
2. “Broshurë filozofike” (2001)
3. “Broshurë sociologjike” (2001)
4. “Libri metafizik”, (2003)
5. “Funksionet social-kulturore të muzikës në Antikë” (2005),
6. “Leksione nga Sociologjia e kulturës”, (2006)
7. “Sociologjia rurale”, (2008)
8. “Sociologjia”, (2009)
9. “Sociolgji kulture dhe arti”, (2012)
10. “Skalitje sociologjike”, (2014)
11. “Testamenti” – poezi, (2015)
12. “Hyrje në sociologji”, (2018)
13. “Rrëfime filozofike” (2019)
14. “Филозофиjата на Музиката во Античка Грциjа”, (2019).