TEKSTESHQIP
Biografia
Si grup lindi me vetë këngën "Uskana" në vjeshtën e vonshme të vitit 1984. Ajo përshkohej mes tingujve, sa melankolik, aq edhe të vrullshëm, me plot besim e bindje për lirinë e ëndërrimeve. AVI "Uskana" nga Kërçova, e cila në vitet tetëdhjeta të shekullit dhe mijëvjeçarit që iku, bëri jehonë gjithandej, dhe kënga e parë "Uskana, qyteti im i bukur", titull që mbante edhe vetë albumi solli një "boom" të vërtetë në skenën muzikore shqipe të tokave nën Ish Jugosllavi. Kënga sinonim i grupit dhe simbol për vetë qytetin e Kërçovës, jehoi rrëmujshëm dhe mori dhenë, mbajti gjallë vrullin rinor të asokohërave dhe jetoi në shpirtin e të gjithë publikut me shije të këngës zbavitëse, krahas Nazmi Belicës, Sabri Fejzullahut, Gazmend Pallaskës, Luan Zhegut etj.

Që atëherë ky zë shkrepëtiu si rrufe, ndërsa jehona s’pushoi kurrë edhe kur grupin e heshtën me burgim e të tjerët me mërgim.Nga viti 1984, ’85, ’86 e gjer në pranverën që sapo kishte trokitur, edhe përkundër këtyre krajatave e përpëlitjeve, ndjekjeve, Uskana hovin e vet e ngriti përtej maleve, detrave e metropoleve studentore. Për këtë periudhë jo aq të gjatë, pesë anëtarët e grupit nxorën në dritë mbi 100 këngë të kompozuara, pjesa më e madhe e te cilave i kushtohej, tokës së kuqe, mëmëdheut, bukurisë magjepsëse, kushtrimit, vrullit rinor, … Pushteti i atehershëm sllav ndëshkoi dy anëtarë të Uskanës (Safet Shabani dhe Qamil Aliu) me nga shtatë vjet burg. Tre të tjerët arritën të dalin në botën e perëndimit në Evropë e tejoqeanit.

Në periudhën e dytë pas daljes nga burgu, kohërat kishin ndryshuar, ndërsa shkëputja la vrragët e veta. Megjithatë, ata, gjetën forcën, u bashkuan rishtas, misioni i tyre për këngën vazhdoi, amaneti duhej kryer gjer në fund. Publiku priste këngët dikur të ndaluara. "Pas tre dekadash qëllimi ynë u konkretizua. Në sheshin e ëndrrave të fjalës së lirë, lirshëm do të shpërthejë timbri i lartë i vargut të kënduar, i melodisë së heshtur. Uskanasve po ua japim atë që u takonte sepse ata na kishin gdhendur thellë në zemrat e tyre" na rrëfen Qamil Aliu, tekstshkrues dhe kompozitor i grupit. Tashmë AVI "Uskana", pas 35 vitesh rikthehet në Uskanë, për Uskanën, për rininë e gjeneratat që e mbajtën dhe ruajtën me nostalgji.

Në vitin 2019, Uskana publikojnë albumin "Vendi Im". Ata mblidhen sërish bashkë dhe në sheshin e qytetit të Kërçovës më 24 korrik 2019 kanë praparë të promovojnë albumin e tyre të dytë, të cilin për koincidencë e kanë pagëzuar "Vendi im" (thuajse i gjithë grupi, është lidhur si mishi me thuan për Uskanën, për Kërçovën, për shijemëdhenjtë e artit të këngës). Kitaristi dhe vokalisti-kompozitor Sali Shabani kur kujton ditët e filleve nuk lë anash atë periudhë të hidhur të atyre viteve, ku tanimë dhuna po shtohej dhe arti po rrudhej në çdo cep, për të shkelur me të dy këmbët mbi çdo vlerë të shqiptarëve.

Në vitin 2021, Uskana publikojnë albumin "Lumbardha". Uskana tash më i ka të hapura të gjitha shtigjet e prezentimit të kreativitetit të vet artistik. Dhe më 24 Prill 2021, ajo sjell albumin e radhës me një material të përgatitur me shumë përkushtim e në mënyrë profesionale. Në përmbajtje ka gërshetime këngësh të reja, po dhe të tilla çfarë dikur ishin te anatemuara si Lumbardha, Uskana, Gur’ i ndezur… Asnjëherë nuk anashkalojmë përpunimin e ndonjë lirike të gurrës popullore siç kësaj here është Delja rude dhe Minire moj bij’. Të dyja janë freskuar muzikalisht në orkestrim e janë kënduar në frymë krejtësisht të re e atraktive për publikun. Në këtë album Uskana publikut të gjërë i dhuron jo më pak se 12 këngë dhe shpresojmë të jenë mbresëlënëse.

Në vitin 2022, Uskana publikojnë albumin "Luftëtari I Rrugëve". Uskana vazhdon të mbetet sinonim i lidhshmërisë emotive të çdo individi. Ndaj edhe në albumin e ri ajo përqëndrohet te personifikimi i fatit kolektiv tekstualisht, ndersa muzikalisht në pastërtinë, zhvillimin tematik muzikor, interpretimin gjer në dëlirësi, koloritin e nuansave të padëgjuara më parë e kështu me radhë. Tërësia e 11 këngëve bart me vete atë që paraprakisht nuk është shfaqur; sjell frymën e një fresku të këndshëm që i ngjet ajrit të domosdoshëm për t'i mbushur mushkërit, së këndejmi edhe përjetimin e melodisë shpirtërisht. Po të zbërthehen gjer në palcë krijimet si Luftëtari i rrugës, apo edhe Një nënë në qytet, po edhe ajo e Mërgimit e të dhimbjeve të tjera a të dashurive në hapërime, atëherë ky do të ishte kulmi i shkrirjes së komponentave të formave e përmbajtjeve të shprehura në sensin poetik të vargut dhe në tingëllimën instrumentale të melodisë, të kitarës e të orkestrimit. Pra, Uskana i kushton një vëmendje të veçantë shtjellimit të motiveve të përzgjedhura me kujdes që reflektojnë një fuqi të jashtëzakonshme të shtytjes së mendimit që zgjohet te dëgjuesi. Ky dhe është misioni i grupit Uskana: Të ndiejmë e të reflektojmë bashkërisht. Ky dhe është stili ynë unik. Gjithsesi vlerësimi juaj është ajo që na ka nderuar, na nderon dhe na motivon vazhdimisht. Ndaj Uskanës kurrë nuk do t'i shterojë ama e kreativitetit.
Komente 0