>
LETERSISHQIP

Edison (Në Galerinë E Arteve)

Edison*

Mundohem të kujtoj,
Se ç’kishin yjet atë natë mbi mal?!
I kishe mbledhur aty nga tërë qielli
Si spektatorë pa fjalë.
E ndësa nata largohej,
Blu të zbardhur kishe hedhur me kujdes.
Mbi kanavacë,
Epikë yjesh kishe ndezur atë mëngjes.
Kurrë s’dua ta di,
Në më dëgjon, a s’më dëgjon?!
Veç sot në sytë e tu jam ulur,
Të marr dritë, mik Edison!...

Të marr dritën,
Që i dhe atij mëngjesi dhe atyre në vijim.
Sgalem i brishtë,
Që mbete përgjithmonë në fluturim.
Të shkrihem me vibrimin e penelit,
Me tingujt e lahutarit plak,
Që sa më shumë e shoh,
Me një mit më ngjan, me një Homer binjak.
Ndaj prapë ta përsëris,
Më dëgjon a s’më dëgjon?!...
Këmbëkryq në sytë e tu jam ulur,
Se dua dritë, mik Edison…

Më vijnë përpara syve
Fytyrat e të rinjve partizanë ngjyrë kobalt,
Që kohë e ndalur, e ngrirë,
Nuk mundi kurrë t’u hidhte baltë.
Lulëkuqen delikate shoh,
T’i bien fletët një nga një.
Si testament i brezit tim të humbur,
Që ngjan një ideal pa zë.
Por prapë s’do të ndahem kurrë,
Më dëgjon a s’më dëgjon?!...
Tërë muzgjeve të jetës
T’u jap nga drita jote, mik Edison.

*Edison Gjergo, piktor, autor i tabllosë “Epika e yjeve të mëngjesit”(1971), për të cilën u burgos dhe u internua për shumë e shumë vite.