>
LETERSISHQIP

Këngë Të Vjetra

Sa here më flisje për dashurinë,
S’e mbaja dot zemrën time.
Me këngë më shtije në ëndërrim:
Ishe qielli, deti, bluja ime.

Qenë këngë të vjetra, shpesh i kujtoja,
Bashkë i dëgjonim, atje në kuzhinë:
Ëndërra baballarësh mbuluar nga droja,
Shpirtrash të humbur përherë në kërkim.

Për miqësi që s’u panë kurrë,
Për dashuri të mbetura në klasë,
Këngë që sillnin radiot portative,
Pas biçikletave, mbërthyer në kasë.

Mos është më lehtë të rikujtosh,
Se sa të kthesh kohën e shkuar?
E sidomos kur ka që thonë :
“Ajo që shkoi ish koh’ e shquar?…”

Mos ësht’ më mirë të rrimë, vallë?
Mos ësht’ më mirë, këtu ku jemi?…
Të vjetrat këngë kanë vetëm mall,
Po mallin, mos një kurth e kemi?…