Biografia
Jeta ime është e thjeshtë: Jam lindur më 09. 10. 1950 në Durrës, Shqipëri. Babai im ishte nga Leskoviku. Ishte fëmija i tretë, që erdhi në jetë pas vdekjes së dy fëmijëve të tjerë. Në moshë të vogël i vdiq edhe i ati. Nëna e tij, me dashurinë dhe përkushtimin e saj përgjërues, me gjumin e natës, që nuk e bëri kurrë të plotë, me dënesën e ditës për ta ruajtur djalin, u bë për të edhe nënë, edhe babá, edhe vëlla, edhe motër.
Mësoi tek prifti i fshatit pak shkrim e lexim dhe pak arithmetikë.
Në moshën 13 vjeç së bashku me të ëmën u zhvendosën në Tiranë dhe pas L NÇ në Durrës, ku u martua me mblesëri me nënën time, që ishte nga Durrësi. Edhe pse ishin shumë të rinj, 22 vjeçarë, edhe pse ishin nga dy krahina me tradita e zakone të ndryshme, edhe pse të dy duke qenë fëmijë të vetëm me babá të vdekur jetonin me nënat, që i morën me vete gjersa ato mbyllën sytë, prindërit e mi krijuan një familje ku sundonte dashuria, harmonia dhe mirëkuptimi.
Të drejtë e të ndershëm, të përkushtuar për familjen, me gjithë varfërinë e tyre të tejskajshme, prindërit e mi, babai nëpunës, kurse mamaja rrobaqepëse, kanë qenë model në jetën e tyre familjare e shoqërore. Ata ndikuan pozitivisht në kultivimin e dashurisë ndërmjet pjesëtarëve të familjes dhe me shembullin e tyre edukuan tek ne, fëmijët, sinqeritetin, thjeshtësinë, korrektesën, butësinë.
Unë isha fëmija e tretë pas një djali e një vajze. Gjyshebabai nuk më deshi sa pa lindur, donte djalë, po kur më pa në shtëpinë e lindjes të nesërmen e ardhjes sime në jetë, më deshi me përgjërim, ndryshe nga tre fëmijët e tjerë. Edhe emrin ajo ma vuri.
Me gjithë kushtet e vështira ekonomike të familjes, fëmijëria ime ka qenë më e bukura e botës.
Shkollimin gjer në mbarimin e gjimnazit e kam kryer në Durrës. Kam qenë nxënëse e mirë në mësime, e urtë, e qetë dhe disi e mbyllur. Dashurinë e parë e kam pasur me librat dhe me poezinë.
Jeta ime poetike filloi në klasën e tretë të shkollës fillore, isha nëntë vjeçe, muaji s‘më kujtohet. Më ra në dorë romani rus „Historia e njeriut të vërtetë", i lidhur keq, i përkthyer në gegërisht, pak e vështirë për mua për ta kuptuar. Më bëri përshtypje të jashtëzakonshme jeta e personazhit Aleksei Meresjev, aviator gjatë Luftës së Dytë Botërore. E frymëzuar nga kjo histori shkrova poezinë time të parë, që sot nuk e kam dhe nuk e kujtoj si ishte. Mbresat, që më la ky libër ngjallën tek unë dëshirën për të shkruar vargje, mbresa, që shënojnë edhe fillimet e krijimtarisë sime poetike, natyrisht përshkrime fëmijërore rreth ngjarjeve të romanit.
Për ëndrra nuk mund të flas, po dëshira kam patur shumë: Kam dashur të bëhem balerinë. Po në këtë vit shkollor, të tretit të fillores, u regjistrova në një kurs baleti në shtëpinë e pionierit. Mësova vetëm një valle, pastaj e braktisa për një motiv, që tani më bën të qesh: isha shumë më e gjatë se të gjitha shoqet dhe bija shumë në sy, gjë që nuk më ka pëlqyer asnjëherë. Bile shkak serioz për ta braktisur kursin u bë edhe mësuesja e baletit, që më tërhoqi vërejtjen duke m’u drejtuar me epitetin "stekë", që mua më fyente mjaft.
Në klasën e katërt, po në shtëpinë e pionierit, ndoqa një kurs për piano me profesor të nderuarin Feim Ibrahimi, kurs, të cilin e braktisa pas dy muajsh. Babai im mori një takim me profesorin për mbarëvajtjen time në kurs dhe dëgjoi fjalë pak a shumë të mira, po vetëm kaq. Kur e mbarova klasën e katërt nëna ime më çoi të konkuroj për piano, për t’u futur në Liceun "Jordan Misja", po nuk fitova. Kjo ishte e gjithë historia ime për muzikën, po më vlejti që ta dashuroj atë. Kam ndjekur me vëmendje të jashtëzakonshme këngët në Festivalet e këngës. Në një bllok të madh shkruaja tekstet e këngëve dhe emrat e këngëtarëve që i këndonin ato. U mahnita nga zëri i Vaçe Zelës. Në vitin 1961 u regjistrova fans i saj (atëhere nuk e dija ç’ishte "fans") duke i dërguar një letër me anën e V. K. vajzës së mësueses sime, me që banonin në pallatet "Partizani" afër Vaçe Zelës. Kur më takoi, V. më tha se letrën time ia kishte dhënë Vaçe Zelës, po ajo nuk kthente përgjigje. Sikur ta pyesja sot (dmth kur ishte gjallë) këngëtaren e nderuar a e kujton këtë episod?
Vazhdoj ta dua muzikën e lehtë vendase dhe të huaj, që të hyn në shpirt dhe të fut në mendime. Tronditem dhe qaj. Dua këngët e fuqishme (Queen) që të bëjnë të ndihesh njeri.
Në mbarim të klasës së katërt, në hartimin e fundvitit shkollor na u dha tema "Çdo të bëhem kur të rritem." Unë zgjodha të bëhem alpiniste, nuk e kam të qartë se pse desha të bëhesha alpiniste, po hartimi im i la mbresë të veçantë mësueses sime. Më kujtohet një fjali, që lidhej me ariun. Unë kisha përmendur foljen "hungëriu", për zhurmën, që lëshon ariu, po përfaqësuesja e deleguar, (se nga vinte, nuk e di) nuk e kishte dëgjuar ndonjëherë këtë fjalë dhe ma quajti gabim.
Unë, pa e kuptuar, kisha rënë në dashuri me librat. I merrja në dorë, i përkëdhelja e pastaj i lexoja. Kurrë nuk e kam thyer librin më dysh, po gjithnjë e kam mbajtur hapur me të dy kapakët, zakone këto, që më kanë mbetur gjer sot. Të holla për të blerë libra nuk kisha. Ca pak, që kam blerë, në fillim ia tregoja babait. Ai më shihte me dashuri e më përkëdhelte flokët.
Librat i kam ruajtur me shumë kujdes.
Për të lexuar më shumë u regjistrova në bibliotekën e qytetit, në repartin për fëmijë. Çdo dy–tri ditë paraqitesha për të dorëzuar librin e lexuar, si edhe për të tërhequr tjetrin. Më kujtohet libri i Kin Dushit "Në gojën e ujkut". Fillova ta lexoj dhe befas vura re që një fletë libri mungonte. E tronditur vazhdova të lexoj. Nuk dija të rilidh vazhdimin me fletën e munguar. Më tej mungonte edhe një fletë tjetër. E indinjuar dorëzova librin duke bërë denoncimin e duhur.
Lexoja pa kriter gjithçka, që më binte në dorë dhe e frymëzuar nga leximet shkruaja si mundja.
Askush nuk kontrollonte e drejtonte shijet e mia të të zgjedhurit të librave (le që nuk bëhej fjalë për zgjedhje, lexoja gjithçka si Gorki), askush nuk lexonte poezitë e mia, d.m.th. mua nuk më shkonte mendja t’ia tregoja dikujt.
Këtu ndofta fillon edhe fatkeqësia ime. Më kujtohet që s’më zinte gjumi nga vargjet, që gumëzhinin në kokën time. Ngrihesha nga shtrati, kur e gjithë familja flinte, dilja në kuzhinë, në një gotë me ujë fusja sheqer e kafe, e cila nuk tretej në ujë të ftohtë e duke e pirë ngadalë këtë sherbet me pluhurin e kafesë së patretur, shkruaja vargje. Sa orë, s’më kujtohet, vetëm di që gjatë gjithë fillores shkollën e kisha mbasdite, kështu që flija gjer vonë.
Në klasat e shtatëvjeçares isha bërë e njohur për leximet. Shoqja ime e klasës A. B. (ne e thërrisnim shkurt Caja), që vinte tek unë për të mësuar së bashku, (atëherë një nxënës i mirë merrte në patronazh një nxënës më të dobët në mësime), çuditej me mua që lexoja, ndërkohë që ajo mësonte. Libri m’u bë maní.
Shoqet, duke parë dëshirën time për të lexuar dhe pamundësinë ekonomike për të blerë libra, filluan të më dhuronin libra. Ruaj sot e kësaj dite librat e dhuruar, që kanë në faqen e parë dedikimin për mua, duke më quajtur "poete". Shkoi larg lajmi që unë lexoj shumë.
Kur arrita në klasën e gjashtë mësuesja e fizikës më pyeti për disa tituj librash, në mes tyre "Fausti", a i kisha lexuar. Kur dëgjoi që unë nuk i kisha lexuar, m’u kthye: Po çfarë paske lexuar ti? Sikur ne të kishim lidhur ndonjë kontratë leximi dhe unë nuk e kisha respektuar. Sa u çudita atëherë nga ky komunikim. Isha vetëm 12 vjeçe.
Më kujtohet ora e mësimit e letërsisë në klasën e shtatë, kishim një koment nga poema "Bagëti e bujqësia". Mësuesi më ngriti në mësim, atëherë dilnim para klasës në tabelën e zezë, dhe iu drejtua klasës duke qeshur: dëgjoni tani Viktorinë të hapë magnetofonin dhe të fillojë të përsërisë si motor mësimin e herës së fundit.
Njëherë, mësuesi i vizatimit u afrua në bankën time dhe me dy–tri vija ndërtoi fytyrën time në profil. M’u duk kaq e thjeshtë kjo punë, sa për një kohë të gjatë vizatoja fytyra në profil e gjysmë profil. Nuk mund të them se çfarë nxirrja nga dora, vetëm dua të them që kjo punë më tërhoqi kaq shumë, sa fillova të vizatoj edhe trupat. Burri i hallës, piktori Lilo Starja, po më ndiqte me vëmendje, dhe kur unë isha zhytur në vizatimin tim, ndërhyri duke më thënë se trupin e kisha vizatuar të shkurtër dhe kokën të madhe.
Në mbarim të klasës së shtatë mora pjesë në garat e atletikës për shkollat 7-vjeçare të qytetit. Ato u organizuan një mbasdite tek "fusha e druve", kështu quhej atëherë. Mua më caktuan të konkuroj në kërcim së larti, besoj kjo falë trupit tim të gjatë. S’kisha provuar ndonjëherë më parë të kërceja së larti, po do ti që dola e para në qytet duke kërcyer 1.10m në stil gërshërë? Këtë fitore e kam të dokumentuar në dedikimin e dy librave dhuratë: "Flamujt e revolucionit" dhe "Familja e Malavolajve". Po edhe ky talent i imi kaloi pa ndonjë pasojë. Më vonë dëgjova për Marjeta Pronjarin, që kërceu 1.20 gjer në 1. 40m e më shumë. Sikur të më kishin stërvitur mund ta kisha arritur edhe unë këtë rezultat. Kushedi?
Më pëlqenin shumë filmat. Kinemaja e qytetit organizonte seanca filmi "Për gra", në orën 14:00. Më shoqëronte gjyshemamaja, e cila ishte e shkolluar, lexonte libra, dinte edhe italisht. Më kanë pëlqyer filmat me përralla ruse si "Kashei i pavdekshëm", "Ilia Muromec", "Ëndërr e një nate maji". Më tërhiqnin filmat me temë nga lufta. U mahnita nga filmi "Shtegtojnë krillat". Kam parë plot filma zbavitës, që më vonë u hoqën nga kinemaja me emërtimin "filma limonatë" si "Romancë në Venedik", "12 vajza dhe një djalë", "Pranverë vajzërore", etj. Një vend të veçantë në shijen time zunë filmat me jetën e kompozitorëve të shquar si Xhuzepe Verdi, Puçini, Donixeti, Belini, Listi, Shopeni etj, etj.
Në kohën për të cilën flas nuk e dija kush ishte Zhorzh Sand. E kam parë për herë të parë në filmin për Frederik Shopen ndërmjet viteve 1962–1964, po nuk më shkoi mendja t’i marr emrin. Emrin ia mora në dhjetor 2009, pra 45 vjet më vonë, për disa motive personale të miat, që lidheshin me përbashkësi të jetëve tona. Për çudi atëhere kisha bërë edhe foto veshur me pantallona pa fustan sipër, (gjë e rrallë kjo për atë kohë) dhe me kapelë republikë në kokë (një relikt i familjes), gjëra këto, që e plotësuan më së miri portretin tim letrar me pseudonimin Zhorzh Sand.
Gjatë kësaj kohe kam bërë edhe foto të tjera veshur me pantallona të bardha të vëllait më të vogël, që mua më rrinin treçerekshe dhe me jelek blu (i gjyshes).
Këto kishin qenë dëshira kalimtare, sepse u zbehën përballë letërsisë dhe dashurisë sime për lulet, që mbetën dashuritë e mia të përjetshme.
Ndërkohë unë vazhdoja të lexoja libra, që më dhanë shtysën të shkruaja vjersha. Librin s‘e kam hequr nga dora kurrë, as sot.
Në gjimnaz poezia ime "Nisja" me temë nga Lufta Nacionalçlirimtare (ashtu ishte koha) me varg të lirë u vlerësua në vendin e parë në konkursin me poezi e prozë në rrethin letrar të shkollës.
Po e shkruaj duke u mbështetur në memorje, me ndonjë harresë:
NISJA
Po.
U nis ai.
Me lot në sy vogëlushin puthi.
Me dorën e majtë përqafoi të shoqen,
Ndërsa e djathta shtrëngon maliherin.
Si në ëndërr
Shikon ato mure të nxira,
Dritaren si kafaz,
Pa xhama,
Pa perde,
Mbuluar me karton për të pritur erën. (ky krahasim pati shumë sukses, as sot nuk e di se pse)
E varfër ish shtëpia e tij,
Por e ngrohtë.
Jo nga zjarri,
Se zjarr aty nuk kish,
Po nga hareja që i dridhte ato mure.
Dhe ja tani,
Ai po lë gjithçka:
Gruan,
Djalin, loçkën e zemrës së tij.
Por jo!
Ai nuk po i braktis ata,
Se ai për ata do të luftojë,
Që sytë e bukur të Rinës
Të mos derdhin më lot,
Që (….diçka për djalin, po s‘më kujtohet )
Drejt yllit të zjarrtë,
Që rrugën i ndrin si fanar.
- // -
Nuk kam patur as ambicje, as inkurajim, dhe të gjitha poezitë kanë humbur, përjashtuar 4 (katër) prej tyre, që m’u kujtuan befas pak kohë më parë.
Të gjitha poezitë, që kisha shkruar gjer në moshën 17 vjeçe, i lexoi një mësues letërsie, Resmi, në Çermë–Shkumbin të Lushnjës. Ai konstatoi ngjashmëri stili me „Fije bari" të Witman, por unë atëherë nuk e kisha lexuar këtë autor.
Më kujtohen dy vargje të asaj kohe:
Ra një yll, u shua përngaherë,
Po në shpirt më ndezi një ndjenjë
të paprovuar tjetër herë.
Ishte prill...
Mendoj që kjo ndjenjë ishte dashuria për poezinë, e cila u fashit për 42 vjet dhe befas shpërtheu, vërtet me veshje romantike dhe tema vetiake, por jetoi, mbijetoi.
Në atë kohë një shok gjimnazi më këshilloi të mësoj të shkruaj poezi me rimë, po unë nuk e kuptova ç‘donte të thoshte „të mësosh të shkruash poezi". Unë nuk mësova, vargjet ishin brenda meje, unë vetëm i hidhja në letër. Ashtu si tani, kokën e kam plot vargje. Në vitin e tretë gjimnaz, drejtuesi i rrethit letrar, maturant, më kërkoi fletoren me poezi që të zgjidhte ndonjërën për botim. Të nesërmen e solla fletoren në shkollë, po as ai nuk ma kërkoi më, as unë nuk ia çova. Kështu humbi edhe ky rast, mbase sepse unë nuk kisha menduar ndonjëherë për të botuar poezitë. Unë e ndieja kokën plot me vargje dhe ato i hidhja në letër. Vetëm kaq.
Për këtë pikë të jetës sime sot bëj mijëra PSE?
Në maturë, mësuesi i letërsisë më kërkoi të zhvilloj me shkrim, në formë leksioni, pyetjen "Heroizmi i popullit tonë" kushtuar Adem Rekës dhe Shkurte P. Vatës, sepse ky heroizëm sapo kishte ndodhur, po materiale mësimore për të akoma nuk kishte. Ky material iu servir të gjithë maturantëve për ta mësuar për provimin e maturës. Mendoj që mund të ndihem krenare për këtë ngjarje të jetës sime.
Hartimi im në provimin e maturës u vlerësua më i miri në shkollë. Përfaqësuesja e seksionit të arsimit foli për trajtimin origjinal që unë i kisha bërë heroizmit të Adem Rekës dhe Shkurte P. Vatës.
Dy muaj pas mbarimit të maturës u martova dhe menjëherë nisa universitetin në degën letërsi-gjuhë shqipe, që e ndoqa rregullisht dhe e mbarova për katër vjet. Në vitin e dytë të tij solla në jetë fëmijën e parë dhe dy javë pas lindjes nisa sezonin e provimeve. Më kujtohet si tani që kur u futa në korridorin e fakultetit në katin e parë, personi i parë i njohur, që më uroi lindjen e fëmijës dhe mirëseardhjen përsëri në fakultet ishte pedagogu im, i mirënjohuri Fatos Arapi. Gjej rastin këtu të tregoj se më vonë, kur fillova punën si mësuese, në orët e mësimit kam komentuar me pasion poezitë e tij, të parashikuara në programin mësimor. Bile me këtë temë zhvillova edhe një orë "mësim i hapur" me pjesëmarrjen e mësuesve të letërsisë të qytetit, e cila pati shumë sukses. Kujtoj nxënësit, që komentuan e recituan me pasion poezi dhe fragmente poeme.
Gjatë sezonit të provimeve dhashë e mora me sukses të pesë provimet e parashikuara.
Mbarova universitetin në 1972 dhe fillova punën si mësuese letërsie në gjimnaz.
Pesë vjet pas fëmijës së parë solla në jetë fëmijën e dytë. Fëmijët e mi janë të vetmit fëmijë të mrekullueshëm në botë. Ky konkluzion ka dalë jo thjesht nga unë, po nga jeta që kemi kaluar.
Kaluan disa vjet punë dhe unë harrova se dikur kisha shkruar poezi.
……. Po të tjerë, jo….
Drejtori i shkollës, ku fillova punën, më kërkoi të shkruaja një telegram drejtuar komitetit qendror, meqë isha mësuese letërsie. Unë i thashë nuk di dhe në të vërtetë kisha harruar si shkruhet. Po sa mirë më erdhi kur ai më kujtoi që vite më parë unë kisha shkruar poezi. Ja, që emri im ishte dëgjuar dhe ai njeri i mirë e mbante mend e ma kujtoi. Kam edhe foton duke e lexuar telegramin.
Në një sesion shkencor, që organizoi shkolla ku unë punoja, përgatita temën: "Koment i këngës epike "Gjergj Elez Alia" në bashkëpunim mësues–nxënës". Kur isha duke referuar në podium, u shkrep aparati fotografik. Këtë foto e kam edhe sot.
Duhej të vinte në kabinetin pedagogjik të qytetit shoqja ime e universitetit nga Instituti i Gjuhësisë e i Letërsisë L. B. në vitin 1984, që kërkoi edhe prej meje një kumtesë për sesionin shkencor të radhës të arsimtarëve për në gusht të atij viti. Luftova të mos e pranoj, isha krejt e pasigurt në veten time. Po ajo, me taktin, që e karakterizonte, më imponoi të marr përsipër një temë. Unë zgjodha temën: Figura e gruas në romanin "Bota ime" të shkrimtarit Dhimitër Xhuvani.
Punimi im u vlerësua normal dhe serioz. Jam e kënaqur që fletët e shkruara prej meje jo vetëm nuk u nxinë nga korrigjimet, po nuk patën asnjë korrigjim nga Instituti.
Dy vjet më pas, këtë punim e ndoqi një tjetër: Bisedë me personazhet e vëllimit me tregime "Ajo tokë që s‘kish të ngopur" të Ermira Jorgos.
Si rregull punimet dërgoheshin në Institutin e Gjuhësisë e Letërsisë, ktheheshin me korrigjimet dhe sugjerimet e duhura, ripunoheshin nga mësuesit, pastaj referoheshin.
U mblodhëm në kabinetin pedagogjik dhe drejtuesi i tij filloi të shpërndante punimet duke vënë në dukje sugjerimet nga Instituti. Punimi im mbeti i fundit me motivacionin: punim origjinal, nuk ka pse korrigjohet.
Ky sesion shkencor i radhës u mbajt në gusht 1986. Ishin dhjetë punime. I imi ishte i fundit. Siç ndodhte rëndom atëherë, mësuesit në sallë mërziteshin duke dëgjuar dhe fillonin mërmërimat. Radha ime po afrohej, mua më rritej emocioni së bashku me mërmërimat e sallës. Një mësues i panjohur u kthye e më pyeti a ishte i gjatë punimi im. E shikova me inat. Unë gjithmonë i kam dëgjuar të tjerët me respekt, pavarësisht nga niveli i asaj që lexohej.
U nisa drejt podiumit në mes mërmërimash pakënaqësie. Ora po afronte 13:00. Fillova të lexoj. Dalngadalë që lexoja, në sallë u fashitën mërmërimat, gjersa pushuan fare. Krahas emocionit u ndjeva e përkëdhelur. E mbarova leximin në mes të një heshtjeje të thellë. Kur dolëm, plot mësues më përgëzuan. Unë kujtoj sot vetëm emrin e Halit Shamatës. Vlera e këtij punimi qëndronte në organizimin e bisedës së një gazetari (unë) me personazhet e të dymbëdhjetë tregimeve të vëllimit, të ulur në dhomën e madhe të zjarrit sipas moshës dhe vlerave të gjithsecilit. Ditë më pas një shoqe, që nuk ishte e pranishme në atë sesion, më pyeti ku qëndronte e veçanta e punimit im. Ajo në atë kohë po merrej me një studim shkencor për veprën e Ismail Kadaresë si studim pasuniversitar. Me dy fjalë ia thashë origjinalitetin e punimit tim. Nuk kisha se pse ta mbaja sekret, sepse vlera e tij kishte dalë jashtë mureve të sallës.
Punimi im i tretë vjen pas dy vjetësh, shtator 1988: Heroi pozitiv në romanin e Teodor Laços "Të gjithë lumenjtë rrjedhin". Edhe për këtë punim gjeta një formë të veçantë: Arben Morinën, personazhin, e quajta shokun e fëmijërisë sime dhe unë u tregoj dëgjuesve për jetën e tij. Kur do ta çoja në Institutin e Gjuhësisë e Letërsisë, u ndala tek kushërira ime, e nderuara Dodona Dhima, ish punonjëse në Bibliotekën Kombëtare. Sapo filloi ta lexonte, ajo u çudit nga përfytyrimi im.
–Lëre këtu,- tha, -ta botojmë-.
Unë isha e ndërgjegjshme se ai lloj punimi nuk kishte vlerë për botim.
Kur e referova, pata gjithashtu një vlerësim pozitiv.
Pas këtij punimi filloi një heshtje e plotë dhe e gjatë gjer në mars 2010 (me një ndërprerje fare të vogël: në 2007 një vajzë shqiptare, që shkollohej në Itali, më kërkoi t’i shkruaja një tingëllimë për ta dorëzuar në shkollë. I shkrova "Gjuha shqipe". Tani nuk e kam. Ajo u vlerësua si tingëllima më e veçantë e klasës. Ndofta janë habitur me krenarinë tonë për gjuhën? Kushedi ç’tema kishin prekur nxënësit e tjerë.
Punën e kam respektuar dhe e kam kryer me përkushtim duke marrë edhe vlerësimet përkatëse, gjersa emigrova familjarisht në 1999.
Për shkak të përkrahjes e inkurajimit të paktë për krijimtarinë time në të kaluarën nuk hyra në radhët e shkrimtarëve shqiptarë në vitet e rinisë. Por shumë vite më vonë dikush më tha që talenti nuk vdes. Kjo thënie së pari pati vlerë për mua se më quajti "me talent", së dyti m’u bë si profeci, që u vërtetua çuditshëm në vitin 2010.
Në dhjetor 2009 u regjistrova në FB dhe kërkova shokët e mi të maturës. Gjeta fare, fare pak. Ata, dhe të tjerët në mungesë, desha t’i përshëndes me një kartolinë kujtimesh dhe fotosh të tyre, të cilën e hodha në internet. Kjo u bë puna ime e parë krijuese. Nuk kishte ndonjë vlerë letrare, vetëm shpirtërore, por, besoj unë, shërbeu për ta shkundur poezinë time nga gjumi 42 vjeçar.
Poezia u zgjua, fërkoi sytë dhe u habit kur pa se kishte kaluar një kohë tepër e gjatë që ajo flinte. Si në përrallë. Prandaj kishte mbetur adoleshente.
Ishte 9 mars 2010, një datë, që do mbetet e arshivuar në memorjen time. Unë rinisa përpjekjet për të plotësuar atë dëshirë të vjetër të rinisë e të të gjithë jetës sime, të shpreh së fundi në letër gjithë grumbullin e madh të pikëpamjeve, ideve, shqetësimeve dhe emocioneve të mia për jetën njerëzore, për dashurinë, për dhimbjet, për marrëdhëniet familjare dhe qëndrimin tim personal për ngjarjet në vendlindje dhe unë e shkrova në letër ashtu si më erdhi në kokë, pa e korrigjuar.
Letërsia, ashtu si edhe artet e tjera, është një mënyrë fisnike për t’u treguar njerëzve se bota është më e bukur se aq sa e shohim përditë, ashtu siç mund të jetë edhe më e keqe sesa e mendojmë. Zhbirimi psikologjik i personazheve është një punë e vështirë dhe kërkon jo vetëm përvojë jetësore, po edhe kulturë. Nga ana tjetër shkrimtarët dhe poetët kanë nevojë për mirëkuptimin e lexuesve. Bashkëpunimi mes tyre kryhet përmes kritikës dhe opinioneve publike.
Kuptohet që filli i poezisë u lidh atje ku ishte shkëputur 42 vjet më parë dhe kjo poezi sot nuk u shkon flokëve të mi të bardhë, po unë sot që shkruaj "jam vetëm 18 vjeçe". Po të mos ishte hapësira 42 vjeçare, poezitë e mia sot mund ta kishin flakur pelerinën romantike dhe të ishin bashkëkohore.
Pasi shkrova poezitë e para, vura re me çudi se vargu im i lirë i bardhë i dikurshëm qenkësh zëvendësuar me vargun e matur dhe me rimë.
Bashkë me poezitë si pakuptuar kalova edhe në prozë. Gjithçka, që kisha përjetuar gjatë jetës e derdha në fletë. Tema qendrore e shkrimeve të mia erdhi duke u saktësuar gjer në temën përfundimtare, që do të prekte pothuaj të gjithë krijimtarinë time: Bota e gruas, jeta e saj e pajetuar emocionalisht, gruaja, që nuk ka mundur të bëhet femër.
Që nga ky moment pena ime nuk do të ndalej.
Brenda një viti shkruajta mbi 100 poezi dhe disa tregime. Në prill 2011 botova në Tiranë librin tim të parë me poezi "ZEMËR E NGRIRË".
Krahas poezive vazhdova të lëvroj tregimin dhe novelën. Tregimin e parë e shkruajta më 30 korrik 2010, kur kisha vetëm pesë muaj që kisha rinisur të shkruaja poezi. Brenda dy muajve shkrova dhjetë tregime, krahas poezive. Pastaj më rrallë, pa ndonjë rregull kohor, gjersa u bënë 19 tregime dhe vendosa t’i botoj në maj 2012. Eksperienca ime më e bukur janë katër tregime dhe epilogu i tyre, brenda të cilëve lëvrijnë të njëjtët personazhe. I postova në face book njërin pas tjetrit brenda një muaji. Përjetova një kënaqësi të madhe nga komentet e pafund të miqve, aq sa u ndjeva në zor që u kisha marrë aq shumë kohë për t’i lexuar. Ndërkohë që idenë e lindur që më 2010 për të shkruar edhe një roman, nisa ta vë në jetë.
Puna ishte intensive, po unë e përballova duke dashur të plotësoj, të mbush boshllëkun 42 vjeçar. Në maj të vitit 2012 shkova përsëri në Tiranë, këtë radhë me dy libra: "TAKOHEMI NË QIELL" me poezi dhe "DORA E JETËS " me tregime, që i botova në Tiranë dhe i promovova në Durrës, në vendlindjen time.
Pas botimit të dy librave vazhdova të shkruaj me të njëjtin ritëm tashmë jo vetëm poezi, po edhe prozë. Një kujdes të veçantë i kushtova të shkruarit të romanit tim të parë, që mendova se do ta mbaroja të paktën këtë vit, por më pengoi gjendja shëndetësore. Në maj 2013 shkova përsëri në Tiranë, ku botova vëllimin e tretë me poezi "TESTAMENTI", që shënon librin tim të katërt. Në këtë vëllim mendoj se kam një rritje cilësore, shenjë kjo, që u duk që në vëllimin tim të dytë. Tek "TESTAMENTI" është një poezi e shkruar ndryshe nga të gjitha poezitë e tjera, me një kombinim vargjesh e skenash, me prolog e epilog, me rimë e varg të bardhë, të matur e të thyer, ku shpaloset gjithë shpirti im si grua, si femër. Titullohet "TESTAMENTI", dhe i ka dhënë titullin këtij vëllimi.
Po në këtë vëllim veçoj poezinë kushtuar Ali Podrimjes. Të shkruash për një njeri e poet të madh si Ali Podrimja është një obligim, që kërkon shpatulla të forta për ta mbajtur. Unë nuk u ndjeva e tillë. Rri urtë, thashë, nuk e bën dot ti. Por erdhi mbrëmja dhe unë, ashtu krejt qetë dhe thjesht, modestisht, siç e kam shkruar edhe në poezi, hodha në fletë vargjet për Ali Podrimjen. Përfytyrova ardhjen e tij në klasën ku jepja mësim, jo fizikisht, po nëpërmjet vargjeve, që kam komentuar me nxënësit dhe e shkrova poezinë. Kaq ishte. U gëzova që poezia ime ishte zgjedhur për të hyrë në antologjinë kushtuar Ali Podrimjes. Nuk e kisha adresuar gjëkund. Por poezia ime, jo vetëm u botua në atë antologji, po strofa e saj e fundit përmendet si ilustrim në parathënien e antologjisë. Çdokush duhet ta kuptojë emocionin tim që nga 101 poezi u zgjodh për ilustrim vetëm poezia ime. Dhe shumë mirënjohje!
Modestisht për poetin e madh ALI PODRIMJA
NË KLASËN TONË
Pa trokitur u fute në klasën tonë,
Nën sqetull mbaje një tufë poezi,
Me tëndin shikim të butë, të ngrohtë,
Ëmbël preke sytë e nxënësve të mi.
Me ndrojtje lexova vargjet e tua,
Ti veten prezantoje para nesh,
"Unë, biri yt, Kosovë," komentova...
Dhe ti i yni u bëre për jetë.
Në glob janë shpërndarë nxënësit e mi,
Mbase takim s’do të ketë ndonjëherë,
Por emrin shqiptar me vete kanë marrë,
Dhe vargun tënd,
Me krenarinë e shqipes,
Në zemër kanë mbjellë.
E diel 22 korrik 2012 ora 23:45
Botuar në ANTOLOGJIA E DHEMBJES POETIKE.
101 përkushtime ALI PODRIMJES
Shtëpia botuese Rugova Art
Prishtinë 2012
Maji i vitit 2014 do të më gjejë sërish në Tiranë ku botova vëllimin e katërt me poezi "BUKË E HIDHUR", promovimin e të cilit e organizova përsëri në vendlindjen time, në Durrës.
Pas këtij botimi punova seriozisht që ta mbaroja romanin. Shkruaja kudo, në dhomën e punës, në ballkon, në rrugë, në shtrat, ditën, natën. Në vende të ndryshme të shtëpisë lija në "gatishmëri" fletushka dhe stilolapsa. Sepse edhe kur lëvizja nëpër shtëpi, në çdo çast mund të shkruaja. Kam udhëtuar shumë. Si makina, si treni, si aeroplani, për mua kanë qenë vende mjaft komode për të shkruar. Bile, në këto udhëtime, më krijohej një ndjesi sikur po afrohesha atje ku nuk kam qenë kurrë duke u futur kështu në një ëndërr. Shumë shkrime janë krijime të çasteve të tilla. Edhe tregimi "Halucinacione" është rezultat i një udhëtimi, po ndryshe nga të tjerët, i një udhëtimi të zymtë. Dita ime e punës ishte rreth 20 orë me një pushim fare të shkurtër. Gjatë kësaj kohe m’u shfaqën shenjat e para të lodhjes, po nuk u dorëzova. Vazhdova punën dhe falë vullnetit tim të hekurt arrita t’i realizoj objektivat që i vura vetes. Mbarova romanin "MOS M’I VRIT ARINJTË E BARDHË" dhe njëkohësisht me të edhe vëllimin tim të fundit "MONOLOGU I ENIGMËS" me prozë e poezi. Duke mbajtur mbi supe një lodhje të tejskajshme arrita në Tiranë, ku qëndrova vetëm tri javë, aq sa do të zgjaste botimi i dy librave dhe promovimi i tyre, që u organizua përsëri në Durrës, ndryshe nga vitet e mëparshme të qëndrimit prej pesë–gjashtë javësh në Tiranë.
Kjo lodhje e madhe më mundoi shumë gjatë qëndrimit atje, por do të bëhej më e rëndë pasi u ktheva në shtëpi.
Vazhdoj të jem e lodhur.
***
Diku kam hasur mendimin se ekziston një varrezë ndryshe nga të tjerat. Mbi mermeret e varreve nuk shkruhet data e lindjes dhe ajo e vdekjes biologjike, por diçka e çuditshme për mua: shkruhet data kur ka filluar të jetojë dhe data kur ka pushuar së jetuari ai njeri. Njohja me këtë varrezë më mësoi se ç’është TË JETUARIT. Prandaj unë dëshiroj të bëj një bilanc të shkurtër të jetës sime:
Jam rilindur më 9 mars 2010. Hapa sytë dhe pashë se ka diell, se ka det, se ka erë, se ka njerëz, që dinë të jetojnë e ta duan veten e tyre. U çudita shumë, por...
Nisa të jetoj shumë intensivisht. Krahas detyrimeve të jetës së përditshme, kuptova se kam edhe një jetë tjetër, tek e cila u futa duke e lënë derën hapur pas vetes. Pashë dritë diellore në të, mbulova sytë me dorë që t’i ruhem verbimit, po zëri i jetës më tha që të mos kem frikë. Flaka tej dyshimin, hezitimin, pasigurinë. U ula në tryezën e shtruar me kaltërsi dhe nisa të jetoj duke marrë ushqim parajsor nga shpirti im. Nuk e dija se isha kaq e pasur. Nuk e mbajta të burgosur këtë pasuri. E derdha të gjithën në fletën time të bardhë, të virgjër.
CV
Viktoria Xhako
(9 mars 2010 – 11 prill 2015)
9 mars 2015 shënon ditëlindjen time të pestë poetike.
Dita ime e lindjes poetike erdhi plot shtatë muaj para se të festoja 60 vjetorin e lindjes biologjike. Ndofta nuk është ngjarje as e çuditshme, aq më pak e rëndësishme, por mua më hapi sytë e veshur 60 vjeçarë, që ta shihja për herë të parë dritën e vërtetë të diellit. Nuk kam bërë asgjë të veçantë në këta pesë vjet. Por, rutinës së përditshme, të përvitshme, i shtova shpirtin tim, të hedhur në fletën e bardhë, vetëm me ngarkesën e së kaluarës, pa asnjë pretendim për të ardhmen, prej askujt, prej asgjëje. (Mbase kjo që shkruaj, mund të lexohet si e çuditshme, po aty nuk ka asgjë të tillë.)
Në periudhën 9 mars 2010 – 11 prill 2015 kam shkruar:
"ZEMËR E NGRIRË" poezi prill 2011
"TAKOHEMI NË QIELL" poezi maj 2012
"TESTAMENTI" poezi maj 2013
"BUKË E HIDHUR" poezi maj 2014
"DORA E JETËS" tregime maj 2012
"MONOLOGU I ENIGMËS" të ndryshme maj 2015
"MOS M’I VRIT ARINJTË E BARDHË" roman maj 2015
Të shtatë librat i kam botuar në Tiranë.
Me disa poezi jam prezantuar në 5 (pesë) Antologji.
Pothuaj të gjithë krijimtarinë time e kam publikuar në faqet e internetit.
Përveç librit të parë të pa promovuar, gjashtë të tjerët i kam promovuar në Durrës, në qytetin tim të lindje.
Shtoj këtu se në promovimin e fundit më 20 maj 2015, mjeshtri Pjetër Sinani, të cilin e falenderoj përzemërsisht, bëri një reportazh me dy librat e mi, për të cilin unë ndihem e lumtur dhe krenare.
Për ta mbyllur këtë shënim, ricitoj:
"@ Ndihem një grua e zakonshme, që ka bërë punën e saj të zakonshme, që të tjerët e kanë parë vetëm në këtë të zakonshmen e saj.
Si një kallëz gruri e vjetër, e shkërmoqur, e shtrirë në fushë.
Që buzëqesh, kur mendon se ato kokrra të saj, edhe pse shumë të pakta, mund t’i shtohen bukës së madhe, që ushqen njerëzimin.
Kështu edhe dua të shkoj, me buzëqeshjen e asaj kallëze. Asgjë më tepër."
Viktoria Xhako 22 maj 2015
(E sapo kthyer nga Tirana me dy botimet e fundit)
@ Me respekt për të gjithë ju, që po e lexoni këtë shënim timin.
Shkruaj modestisht për veten:
@ Koha çdo ditë ma ndryshon fytyrën,
Konvencion i thjeshtë është emri im,
Unë ruaj të pandryshuar zemrën,
Rrahjet ia derdh në fletën e bardhë çdo ditë.
@ S’e kam fshehur kurrë fytyrën.
Zemrën i kam vënë përpara,
Me krenarinë e të qenit femër,
Me rrudhat dhe flokët e mi të bardha.
@ Tri gjëra të veçanta e të pandryshueshme të jetës sime:
1.Besnikëria që nga lindja.
2.Flokët e bardhë gjer në vdekje.
3.Garderoba ime modeste.
Unë tashmë e kam mbyllur bllokun tim gri në pritje të kohëve më rë mira.
Në jetën time të thjeshtë nëse mund të ketë ndonjë gjë të veçantë, apo interesante, unë do të veçoja tri:
1.Që duke qenë e martuar, vazhdova rregullisht universitetin ditën, dhe e mbarova në kohë të rregullt për 4 vjet. Në vitin e dytë të universitetit solla në jetë fëmijën e parë.
2.Që pas 42 vjet heshtjeje, rifillova të shkruaj poezi, pastaj kalova edhe në prozë.
3.Brenda pesë vjetëve 2010–2015 shkrova dhe botova 4 vëllime me poezi, dy vëllime me tregime dhe një roman.
Po e mbyll tani biografinë time, që e mendova se ishte e shkurtër, po nuk mund të jetë e tillë sepse jeta ime është e gjatë!
V.O. Vazhdoj të shkruaj poezi dhe tregime, po ritmet e punës janë shumë të ngadalta po t’i krahasoj me 5(pesë) vitet e punë sime prodhimtare. Nuk besoj se do të mund t’i botoj ndonjëherë.
Me respekt
Viktoria Xhako
(Zhorzh Sand)