>
LETERSISHQIP

Zbrit Nga Kryqi

Zbrit nga kryqi, zbrit, kam nevojë për ty.
Damarësh të plasur gjaku më rrjedh krua.
Majëmprehtët gurë pa mëshirë godasin,
Të rënda janë plagët, dhimbje paduruar.
M’i shkulni, m’i shkulni damarët, më mirë.
Vajonti nuk dua të përsëritet, jo, kurrë!!!

Zbrit nga kryqi, zbrit, për ty kam nevojë.
Zemra po më plas, bubullimash tik – take.
Me gjak lahen rrugët,
Po më ngjitet gryka nga njelmësí e tij.
Përpara makabres mbyll sytë dielli.
Vajonti nuk dua të përsëritet, jo, kurrsesi!!!

Tek ti nuk vij dot, jo, jo, dot nuk vij,
Që këmbët e gjakosura të t’i laj me lot.
T’i heq të trupit dhimbje, me prekje fëshfërimash.
Me flokët e gjatë kurmin ta mbështjell,
Plagët të t’i lidh me shallin diellor.
Mos u përsërit kurrë, kurrë Vajont!!!

Zbrit nga kryqi, zbrit, zgjatma dorën tënde,
Zvarrë tërhiqi ti dhimbjet e tua.
Kam nevojë, për ty, sa shumë kam nevojë,
Botës tregoji si më ringjalle mua.

Futma zemrën kraharorit brenda,
Damarët e gjakut m’i qep një nga një,
Dhimbjet m’i shëro me frymën e ngrohtë,
Botës tregoji të shpirtit madhështi.
Vajont nuk ka më!!! Nuk ka më!!! Nuk ka më!!!

Zbrit nga kryqi, zbrit, ta kap dorën tënde,
Flaki tej mundimet, ankthet, dëshpërimin.
Më mbështill kujdesshëm me të ngrohtën frymë,
Përsërit pa reshtur fjalën tonë magjike,
Ta presim së bashku ne të dy Agimin!!!

Kam nevojë për ty... Zbrit!!!
E hënë 28 nëntor 2011 ora 23:30