Violeta Kadriu u lind më 14. 12. 1967 në Podujevë, si fëmia i parë i poetit llapjan, Kadri Kadriut.Filloren dhe të Mesmen e kreu në vendlindje, me nota maksimale, për të vazhduar F. Ekonomik në Prishtinë. Me art është marr që në vegjëli, në veçanti me krijime letrare, poezi dhe prozë, si dhe me solokëndim. Në shkollë, si nxënësja më e dalluar që ishte, ishte kryetare e Klubeve Letrare, recitatore, moderatore e që zakonisht ishte e fiksuar pas poezive të poetëve të Rilindjes sonë Kombëtare, si Fishtës, Migjenit, Nolit, Naimit,Mjedës, por duke i njohur dhe interpretuar edhe ata të spikaturit e atyre kohëve, si Dritëroin, Kadarenë, Camajn, Shkrelin, Kadriun etj. Ndër poetët botërorë parapëlqente Khajamin, Jeseninin, Rumin, Pushkinin, Alan Ponë etj. Poezitë që nuk mund t’ i çrrënjosë kurrë nga shpirti janë: “ Poema e Mjerimit” e Migjenit dhe “ KËTË TOKË” të KADRI KADRIUT. Poezinë e parë e shkroi dhe botoi në moshën 7 vjeçare( 1976) në Gazetat e atëherëshme shqipe, si “ Rilindja”,” Pioneri”,” Picimuli”, “ Zëri i Rinisë”Prishtinë; “ Flaka e Vëllazërimit”, Shkup, e cila quhej “ PRANVERA”( për fëmijë): PRANVERA ( Poezia ime e parë e shkruar dhe e botuar) Erdhi pranvera çeli behari, ëmbël këndon zog gushëbardhi. Gëzueshëm qengji bredh në livadh, një fyell shtogu jehon në mal. Çdokund në natyrë, sundon blerimi, në fytyrë të bujkut lodron gëzimi. Flutura të bardha fëmijët e shkollës, i përkëdhel era si lulet e mollës. Faqet e tyre si libreza të kuqe, të mbushura me pesa, nga mësuesja Burbuqe. për të vazhduar me shkrime e botime të njëpasnjëshme për fëmijë e të rritur nëpër këto gazeta letrare, e që në ato kohëra ishte tejet e vështirë të depërtoje të botoje krijime letrare, vetëm nëse kishin vlerë tejet të lartë artistike, plus për çdo krijim të botuar krijuesi paguhej me honorare në të holla. Në të njëjtën kohë, qysh më 1982 ishte anëtare e SHKA” JOSIP V. RELA” në Podujevë, përkrah shumë artistëve të njohur të këngës shqipe, me ç’ veprimtari vazhdoi të merrej plot 35 vite pandërprerë, duke marrë pjesë në mijëra koncerte anekënd trojeve shqipfolëse dhe jashtë vendit. Në Festivalin e këngës” KOSOVARJA KËNDON” debutoi më 1983, për të vazhduar me pjesëmarrje si solokëngëtare edhe në vitet’85, 86,’ 87, ku u nderua si “ DEBUTANTE MË E MIRË” dhe “ VETERANE E FESTIVALIT”. Ka videoxhirime të këngëve në RTK- në e atëherëshme, gjithashtu audiokasetën e parë e lansoi më 1996 te “ Polifonia”, drejtuar nga Naim Krasniqi, Prishtinë, edhe pse lufta arriti t’ ia “ zhdukë” shumicën e këtyre arritjeve, si botimet, dorëshkrimet, këngët… Më 1983 mori pjesë për herë të parë në TAKIMET E POETEVE TË KOSOVËS” MELIHATE DEDA”, Vushtrri, Kosovë, ku u nderuar me “ DIPLOMË” dhe “ VETERANE” më 1986.Është marrë me aktivitete edhe atdhetare, për ç’ gjë më 2021 nga Komuna e Podujevës, gjegjësisht nga MKRS është nderuar me “ MIRËNJOHJE PËR AKTIVITETIN E MADH ARTISTIK DHE ATDHETAR QË KA TREGUAR GJATË OKUPIMIT”. Libri i saj i parë me poezi është” TË PRES”, botuar më 2022 në Prishtinë, tek SHB” Lena Grafic”; DYNGJYRSHJA GJUHË E SHENJTË KUQ E ZI E bekuar qoftë ajo gojë e Arbërit, që për herë të parë të belbëzoi, e bekuar qoftë ajo mendje e ndritur, që me penë të artë në libër të shkroi, o Gjuhë Shqipe, himni ynë i jetës, frymëmarrje e shpirt i Dardanisë, më e ëmbla gjuhë e kësaj bote, o gjuhë hyjnore e Shqiptarisë! O gjuhë mjaltë e dejve të mi, në të cilën thërras nënë, baba, motër e vëlla, o trung me degë gjuhësh i tonës lashtësi, si ti e pasur askund nuk ka, sa herë qaj, qesh, o trime mbi trime, shkruaj vargje e këngë këndoj, ndër shtatë palë qiej e tokë, o gjuha e babait e e nënës sime, s' bashku me ty fluturoj! O gjuhë shqipe, ujëvarë margaritarësh, që përfaqëson shpirtin tonë pellazg të dëlirë, që shkumbëzon kaltërsi Valbone e Mirushe, e ndër zemra këput çdo zinxhir, asnjë gjuhë tjetër madhështinë tënde jo, në botë nuk mund ta ketë, se me këtë gjuhë magjike e hyjnore, edhe qielli me diell e hënë e yje flet! Gjuhë shqiponjash e skifterësh, gjuhë burrëreshë nënash të kësaj toke t’ heronjve, gjuhë e Skënderbeut, Ademit, Zahirit, e të gjithë mbledhur Shqiptarisë Dragonjve, gjuhë e Veqilharxhit, Gurakuqit, Mjedës, Naimit, Fishtës, Nolit, Migjenit, që i jep gurgullima e dallgëzime të ëmbla shqipe, Drinit, Bistricës, Llapit, Bunës, Shkëlzenit! O nina-nana e shenjtë në çdo gojë shqiptari, që me shkronja ari u këndove e u gëdhende në djep, pa shkronjat tua s' na shkruhet as gur varri, e s' mund të thërrasim det, mal, lis e as plep, ligjëro me pastërti kroi, në çdo gjë shqiptare, ashtu siç ligjërove ndër brezni, o gjuhë shqipe, gjidhënëse e të gjitha gjuhëve, Dyngjyrëshja Gjuhë, e Shenjta jonë Kuq e Zi! ( “ TË PRES”, faqe 94); Libri i saj i dytë me poezi është “ SHPËRTHE FJALË E LIRË”, botuar më 2024 nga SHB” PROKULT”, Prishtinë, i cili libër u vlerësua tejet lart nga kritika superlative letrare: MIRUPAFSHIM VENDET E MIA Mirupafshim vendet e mia, zemra në dyshe sot m’ u ka nda, ju lugje e kroje, ku rrija e pija, frikësohem se syri më s’ ka me ju pa! Mirupafshim kujtime jete fëmijërore, mirupafshim imja shtëpi, e atdheut tim e ëmbla strehë-foshnjore ku ushqeva foshnjat me dashni, mall e gji! Këto vende, të dashtun, ngado që shkela, shkelët, që të gjitha qofshin bekue, në shpirtin tim fanar me yje ngelët, jeni t’ vetmit diej që kam dashurue! Më mungon za i nanës e babës prore, me emër “ Votë” e “ Letë” kur m’ kanë thirrë, s’ kam mendue që kjo jetë mizore, çdo gjë t’ ambël këtu do ma bëjë hirrë! Ku së pari ngrita duart e iu luta Zotit për jetë më t’mirë,kërkimfalje,mëshirë ku shpeshherë u shpalla mejdan dhimbjes, lotit, e u mundova t’ luftoj me çdo gjë t’ pështirë! Ju bilbila e pëllumba, që aq shumë ju desha, ju trëndafilë e manushaqe që ju erësova, që pata thënë:” Si ju askund nuk ndesha”, pishman s’ jam kurrë, se nuk gabova! Në vende të huaja do ketë lule tjera, por për mua ato s’ do t’ kenë erë, do vijnë dimra, vjeshta, mugullojnë pranvera, ardhja e tyre për mua s’ do ketë vlerë! Ndoshta do t’ pi ujë n’ gurra më t’ ftohta, do t’ notoj ndoshta n’ det më t’ thellë, gurgullimat e tyre s’ do më jenë të ngrohta, prapë do t’ ëndërroj këtë hanë e qjell! Tash e tutje sa herë të agojë, sa herë me hanën të vallëzojë terri, shpirti i vramë do t’ më lotojë, sikur dyert të m’ i hapë Ferri! Nëse ndokend e merr malli për mue, nëse m’ kërkon a për mua vetë, kujtoni kangët që kam knue, poezitë që kam shkrue, dijeni se për këtë dhe jam tretë! Por, një ditë prapë kam me u kthye, se veç n’ gji tuajin due me vdekë, prapë n’ sofrën tuaj bukë e krip me ngjye, t’ ma kujtojnë të amblën t’ atdheut hjekë! Po, po një ditë unë prapë kam me u kthye, të marr për herë të fundit frymë në këto anë, t’ ma vënë shqipet një gur varri mbi krye, e t’ pushoj përgjithmonë ku lash babë e nanë! “ SHPËRTHE FJALË E LIRË”, fq. 5. Poezitë e saj janë botuar në dhjetëra Antologji, si në gjuhën shqipe ashtu edhe në gjuhë të tjera, si: - Festivali “ FRYMËMARRJE FEMËRORE”,SHB” LenaGrafic”, Prishtinë, 2020; - “ POETËT PËR NDRYSHIM”-“ POETS FOR CHANGE”, përmbledhë nga Kozeta Zavalani,” UNIVERS”, Tiranë, 2020; - ALBANIA SHQIPËRI NATYRALE”- 4, 5, 12, “ Lena Grafic”, 2021, “ Dardani Antike”, 2020, 2022, Prishtinë; - Antologjia Poetike Kombëtare” JEHONËS SHQIPTARE”,” Botimet Barleti”, 2021, Tiranë; - “ GJURMË PENASH”- 1, përmbledhë nga Rifat Ismaili, “ FasPrint”, 2023, Tiranë; - “ GJURMË PENASH”- 2, “ FasPrint”, Tiranë, 2024; - “ BOUKET VALENTINE’ S DAY”, editor Kujtim Hajdari, “ AMAZON”, SHBA, 2025 etj. Për poezi është nderuar shumë herë: -Vendi i Parë- Takimet Kulturore “ Kadri Kadriu”, 2012, Podujevë; - Çmimi “ Afrim Maliqi”, Podujevë, 2020; - Lider Nderi Artistik- 2020 në Festivalin” Antologji Poetike Kombëtare” e “ Jehona Shqiptare”, Tiranë; - “ Pena e Artë” Dritëro Agolli”, 2021, Tiranë; - Vendi i Parë, Takimet Letrare” Ora e Tahir Deskut”, 2022, Klinë; - Çmimi “ Gjergj Fishta”, Ditët e Letërsisë Shqipe në Amerikë, Revista” Kuvendi”, 2021; - Çmimi” Afrim Maliqi”, 2022, Podujevë; - “ Pena e Artë” e vitit 2021, 2022, 2023 nga “ Klubi Letrar” Princ Muzaka”, Tiranë; - ÇMIMI I DYTË i Festivalit të Poezisë” Ditët e Diasporës” 2022, Podujevë; - MIRËNJOHJE për M. L. “ ADEM DEMAÇI”, Podujevë, 2022, 2023; - Çmimi” GARIP TROCI” nga Akademia” Troci. Al”, Tiranë- 2023; - Çmimi” PREMIO VIDA NACIONAL DE LA LITERATURA”- 2024, Kolumbi; - “ GOLDEN PEN AWARD”- 2024, nga “ GLOBAL WRITERS ACADEMY”, ndarë nga poeti botëror, z. Biswananda Sinha e shumë e shumë Çmime tjera kombëtare e ndërkombëtare ndër Grupe Letrare. Poezitë e saj janë botuar në Revistat më prestigjioze mbarëshqiptare e jashtë saj, si; “ LE CANTON 7”, Cyrrih,;”ZËRI I ATDHEUT”, Itali;” NACIONAL”, Tiranë, “ DESTINACIONI. al”, Tiranë,” CICERONI”, “ GAZETA LETRARE”, Prishtinë;” HEJZA”, Shkup etj. Në botim ka edhe dy përmbledhje të reja. Jeton në Kosovë.