TEKSTESHQIP
Biografia
Elvis Vallasi, i njohur në art me emrin Elvis Shkodrani, për arsye të vendlindjes së tij në Shkodër, është një instrumentist jo si gjithë të tjerët. I apasionuar pas muzikës dhe instrumentit të klarinetës, Elvisi, mbaroi studimet pranë shkollës “Prenkë Jakova” në Shkodër me rezultate të shkëlqyera, vazhdoi studimet pranë Liceut “Jordan Misja” dhe më pas Universitetin e Arteve të Bukura, ku diplomohet në bachelor si student i ekselencës.

Gjatë karrierës së tij ka qenë pjesëmarrës si klarinetist në shumë orkestra simfonike edhe të Universitetit të Arteve, por edhe më gjerë, siç janë Filarmonia e Shtetit në koncertet e 3 tenorëve apo dhe te Filarmonia e Tiranës, si dhe te banda e Tunxhit e Radio Televizionit Shqiptar si saksofonist.

Aktivitetet e panumërta të Elvisit, aty ku bie në sy talenti i tij, e bëjnë atë shumë të kërkuar jo vetëm në skenat klasike shqiptare, por edhe në ato moderne të trendy-t të kohës, si edhe në eventet familjare folkloristike. I apasionuar mbas çdo zhanri muzikor, ai ka arritur të jetë prezent në çdo stil muzikor me bashkëpunime të panumërta me artistë shumë të njohur të vendit tonë, si dhe në Kosovë, Maqedoni dhe Mal të Zi. Ia vlen të përmendim këtu bashkëpunimin me Studion “Threedots” prej 4 vitesh me kantautorin dhe drejtuesin e studios, Flori Mumajesin.

Ai ishte pjesë e disa sukseseve, që vërtet bënë shumë bujë në tregun muzikor si “Nallane 2”, “Mori” apo dhe “Skifterja e zemrës”. Bashkëpunimet me kompozitorët Adrian Hila, Shpëtim Saraçi etj., me të cilët ka lançuar në tregun muzikor shumë e shumë këngë për këngëtarë të ndryshëm, përbëjnë një background shumë të pasur të tijin. Nga sukseset e njohura dhe që ai e ka shumë për zemër, është pjesëmarrja në “Këngën Magjike 2018” me këngën “Zhurmë”, kënduar nga këngëtarja Fifi dhe që fitoi çmimin e tretë në këtë eveniment dhe ftesat në Top Channel dhe Tv Klan.

Realisht, bashkëpunimet e tij janë të pafundme me yje të skenës shqiptare dhe kosovare si: Kastriot Tusha, Josif Gjipali, Sidrit Bejleri, Artiola Toska, Flori Mumajesi, Klajdi Haruni, Bruno, Juljana Pasha, Era Rusi, Eneda Tarifa, Poni, Devis Xherahu, Redon Makashi, Aleksandër Gjoka, Fifi, Nadi Matoshi, Shkurte Gashi, Ramadan Krasniqi, Getoar Selimi etj.

Nga eventet në vazhdim vlen të përmendim që së shpejti Elvisi do ngjitet sërish në skenë, kësaj radhe në skenën e Pallatit të Kongreseve për koncertin e radhës së “3 tenorëve”, i cili organizohet çdo vit. Aty ai do performojë me klarinetën e tij plot pasion, siç ka bërë çdo ditë të jetës së tij artistike. Elvis Vallasi ka edhe një veçori që atij i dhuron jo pak kënaqësi, sepse në njëfarë mënyre i jep krenarinë qytetit të tij të lindjes, Shkodrës, gjithë rrethit artistik të kolegëve, por edhe popullit të thjeshtë.

Prandaj, publiku dhe mediat në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e Mal të Zi e njohin si “Vis Shkodrani”, në shenjë respekti që ai ka lindur në atë qytet, nga i cili kanë lindur shumë e shumë figura të artit, sportit e kulturës. Në një nga koncertet e tij, ai kujton me kënaqësi atë të datës 12 korrik të këtij viti, ku performancës së Orkestrës Filarmonike me tenorët Kastriot Tusha e Josif Gjipali, si dhe sopranos Manjola Nallbani, iu bashkuan si të ftuar nderi edhe një nga bandat muzikore të Ushtrisë Amerikane, me të cilët performuan së bashku. Ne i urojmë suksese këtij talenti të artit shqiptar!

I ndikuar plot pasion nga prindërit, Elvis Vallasi fillon studimet muzikore që në klasë të parë për Piano deri në klasën e katërt. Më pas ai e lë pianon dhe iu përkushtua klarinetës, pasionit të tij më të madh. Pra, që në klasë të pestë të ciklit fillor ai studioi për klarinetë, fillimisht në liceun artistik të qytetit të Shkodrës “Prenk Jakova” e më pas transferohet në Shkollën Kombëtare Artistike në Tiranë, Liceun “Jordan Misja”, ku edhe vazhdoi studimet në Universitetin e Arteve. Gjatë viteve të tij artistike aktivizohet si Klarinetë e Parë në orkestrat e shkollës dhe sidomos në Orkestrën Simfonike të Universitetit të Arteve, ku bashkëpunon me dirigjentët më në zë të Artit shqiptar si; Petrika Afezolli, Alqi Lepuri etj… Elvisi është pjesë e shumë aktiviteteve shtetërore por jo vetëm, pasi të shumta janë aktivitetet edhe në ambasadën amerikane në Tiranë. Gjithashtu, ai punoi një periudhë edhe si Klarinetë e Parë pranë Filarmonisë Tirana për aq kohë sa ajo kishte aktivitetet e saj nën drejtimin e organizatorit Arben Skënderi… Gjatë viteve të fundit e deri më sot, mbron me pasion e fanatizëm vlerat dhe vlerësimet në opinionin artistik shqiptar, ku vlen të përmendim një sërë masterash të ndryshëm me pedagogë nga jashtë vendit. Ai shprehet gjithnjë krenar për arritjet e tij artistike dhe këto ia dedikon sidomos pedagogut të tij Prof. Bashkim Barbullushi, i cili e edukoi ndër vite që në fazat e Liceut dhe vazhdon akoma të përkujdeset në detaje për ecurinë e tij profesionale. Elvisi tregon se ka performuar ndër vite një repertor veprash të larmishme klasike dhe të zhanreve të tjera nga kompozitorë botërorë siç janë ; Webber (thuajse gjithë krijimtarinë e tij për Klarinetë), Verdi, Debussy, Brahms, Stravinsky, Beethoven, Eddie Daniels, Piazzola, Ferdinand Deda, Poulenc, Chopin, List, Spohr, Suttermeister, Martinu, Paganini, Saint Saens, Gershwin etj … Elvisi përmend me krenari realizimin e disa koncerteve mes të cilëve më i rëndësishëm ai i datës 8 Qershor 2017… pra, KONCERT RECITAL me Orkestër Simfonike nën dirigjimin e Petrika Afezolli, ku performoi veprën Webber nr 2, Koncert për Klarinetë dhe BOLERO të Ravelit… Bashkëpunimet e tij janë të shumta edhe në zhanret e tjera muzikore edhe me këngëtarët dhe studiot më të suksesshme të momentit. Karriera e tij njeh vetëm arritje të reja të mëtejshme dhe të suksesshme.