Kompozitor dhe këngëtar, i pëlqen t’i bëj të dyja, edhe pse më mirë e gjen veten tek pasioni i parë. Ai shprehet se i është dashur shumë punë për të arritur këtu ku është sot. Vështirësitë kanë filluar kur para viteve 90-të u detyrua të vazhdojë gjimnazin, pasi nuk e fusnin në shkollën e muzikës, si djali i të burgosurit politik, kitaristit të shquar Mehdi Prodani. Kjo luftë e egër klasore përveç persekutimit artistik nuk mundi të ndalojë Voltanin që të kalojë në degën e kompozicionit dhe të fitojë, duke ardhur nga shkolla e mesme e përgjithshme që është rast i rrallë për çdo artist, pasi filloi pianon në gjimnaz kur të tjerët e fillonin që në moshën 7 vjeç, vetëm në sajë të talentit dhe dashurisë së madhe për muzikën. Jeton në Tiranë më së shumti, por udhëton shpesh në Evropë për projekte të ndryshme. Qëndrimi për disa vite në Bolonja të Italisë ka qenë një eksperiencë shumë pozitive dhe ka ndikuar në profilin e tij krijues që ka ndikim perëndimor.