TEKSTESHQIP

(1964-2024)

Biografia
Është fundi i viteve të ’70-ta, ditët e nxehta të verës rimojnë me një « bandë » çunash nga lagjja e trimave, çuna të pasionuar në muzikë, të cilët me gitaret e tyre i njihte e gjithë lagjja. Në ballkonet e shtëpive skaj rrugës, këndonin këngë që zgjatnin gjithë natën. Kur kaloja mbrëmjeve andej ishte e pamundur të mos i dëgjoja tingujt e muzikës së tyre, tinguj që ende më tingëllojnë butshëm sa herë që i kujtoj. Njëri prej atyre çunave ishte Xhelal Xheladini, i lindur në Kumanovë, më 25.12.1964, filloren dhe gjimnazin i mbaroi në qytetin e tij. Studioi gjuhë dhe letërsi shqipe në Prishtinë. Periudha e post-studimeve e gjenë në Zvicër, shtet i cili e adoptoi përgjithmonë.
Në fillim të viteve të 80’-ta ishte anëtar i grupit « DASHURIA », si gitarist, grupi përbëhej nga Florin Junuzi vokal, Hidaver Osmani dhe Agron ismaili. Ky grup më 1983 inçizoi edhe këngën e parë të tyre në Radio Televizionin e Prishtinës, kënga titullohej «DASHURIA». Eksperiencat e para të krijimtarisë së tij muzikore, datojnë kah fundi i viteve të ’70-ta, ishin këngët «NORA» dhe «E PABESË», melodi të cilat u kënduan më vonë si pjesë e albumit të parë të këngëtarit kumanovar Hidaver Osmani-Didi, me suksesin e madh që e dijmë. Më vonë në mënyrë permanente krijoi edhe për artistë tjerë të njohur.
Autor, kompozitor, interpretues, krijues i shumë këngëve, me mbi 100 këngë dhe kjo e bënë të jashtëzakonshëm. Autor i këngës legjendare «ATERIM BRUTAL NË REALITET» apo siç e njohim të gjithë në popull «ÇDO NATË NË ËNDËRR MË VJEN», këngë e cila përmes videoklipit të realizuar nga drejtori i fotografisë shqiptare STEFAN GAJO, më 1996, u fut edhe me imazh në çdo shtëpi shqiptare dhe fitoi popullaritet të madh gjithë shqiptar. Mirënjohja më e mirë që i bëhet edhe sot këtij artisti kumanovar janë mesazhet e shumta që i vijnë nga të gjitha anët, mesazhe që evokojnë kujtimet e hershme të tyre e që lidhen me meloditë e tij, të cilat ende udhëtojnë bukur me kohën.

Me Produksionin muzikor « ALBANOTA », Xhelal Xheladini nxorri tre albume:

-« FJALË NGA ZEMRA »-1993,
-« ODISEA »-1995,
-« KONCERTI I LOTËVE »-1998,
Më 2002 në bashkëpunim me krijuesin dhe muzikantin e njohur shkupjan Artan Kastrati, inçizoi këngën « SILUETA », një këngë e cila konfirmoi edhe njëherë stilin e tij të veçantë. Xhelali nuk eksperimentoi kurrë stile të reja, i mbeti besnik stilit të vet, për zakon e ka të e përsërisë shpesh se «muzika ose është e mirë ose e keqe, ajo nuk duhet të krijohet duke përcjellur trende ditore». Shumë e vërtetë, një këngë pa marrë parasysh zhanrin, ose tingëllon mirë ose jo.
Gjatë viteve të 90’-ta, në kohën kur isha pjesë e Ambasadës së Maqedonisë në Zvicër, Xhelalin e gjejmë redaktor dhe më pas kryeredaktor në revistën e njohur « GLOBI », me seli në Zvicër, revistë e cila shpërndahej në të gjithë shtetet e perëndimit. Gjatë luftës së Kosovës, ishte pjesëmarrës aktiv në koncerte ndërkombëtare, fondet e të cilëve ishin të destinuara për refugjatët kosovarë. Gjithnjë gjatë kësaj periudhe kohore, Xhelali vijoi edhe kurse të aktrimit në Zvicër, punoi me mikun e tij Baryton, sot të njohur ndërkombëtarisht, Rubén Amoretti, në teknikat e ndryshme të këndimit, që ky i fundit i dha Xhelalit.
Shkrimi gjithmonë ka qenë pasion i tij, një botë e zotëruar me mjeshtëri dhe pikërisht ky horizont u shtri edhe në ate të romaneve. Më 2010, shtëpia e njohur botuese «ALBAS» nga Tirana, botoi romanin e parë të Xhelal Xheladinit «7 DITË NË QIELL», roman që mban totalisht vulën e tij filozofike, humaniste, një vals në mes reales dhe fiksionit, teren ky i preferuar i tij, ky roman është pjesë e librave në bibliotekën "BIBLIOMOND" të qytetit të Neuchatelit në Zvicër. Më pas pasoi shkruarja e « AUDICIONI ROKAMBOLESK », një pjesë teatrore unike, me theks të veçantë humorin, të cilin autori Xheladini e konsumon me pasion. Më 2016 emri i tij si krijues figuron në librin « Leksikon i autorëve shqiptarë në Zvicër » të autorëve Besnik Camaj dhe Shefqet Dibrani.
Përkthyes i çertifikuar në Zvicër për gjashtë gjuhë, adept dhe praktikues i oratorive të shkëlqyera, njeri i kultivuar, artist që theu herët kufinjtë shqiptarë, sot Xhelali përgadit rikthimin e tij përmes dy këngëve, të cilat priten të realizohen së shpejti, por edhe në vazhdimin e shkrimit të romaneve. Suksese këtij njeriu dhe artisti të veçantë.

-Dr Halim Hyda, Kumanovë

Pas një sëmundje të rëndë, ka ndërruar jetë në Neuchâtel (Zvicër) më 24/02/2024.