TEKSTESHQIP
Biografia
Xhuljana Gjini, vajza që ringjall traditat me zërin dhe çiftelinë e saj. Në një kohë kur çiftelia po zbehet dhe luhet kryesisht nga meshkujt në zonat e Veriut, Xhuljana Gjini ka thyer këtë stereotip, duke mahnitur me zërin e saj të fuqishëm dhe interpretimet unike. E rritur mes këngëve folklorike, Xhulja jo vetëm që ka trashëguar dashurinë për muzikën, por ka marrë përsipër të ruajë dhe të përcjellë traditat përmes këtij instrumenti autentik shqiptar. Pasioni për çiftelinë është bërë pjesë e pandashme e jetës së saj, por sfidat nuk kanë munguar. Të ardhurat nga muzika nuk janë të mjaftueshme, duke e detyruar Xhuljan të punojë në një fushë që nuk lidhet fare me artin. Megjithatë, ajo nuk dorëzohet! Çdo kohë të lirë e shfrytëzon për të ushtruar çiftelinë nga shtëpia, duke ruajtur lidhjen e fortë me rrënjët e saj muzikore. E njohur edhe në TikTok, Xhulja ka fituar zemrat e publikut duke performuar me çifteli e veshur me kostumin tradicional të Veriut. Ndjekësit e saj janë të shumtë dhe dashuria që merr nga ta është një shtysë e fortë për të vazhduar rrugën artistike. Çfarë e bën më të lumtur Xhuljan? Momenti kur njerëzit e ndalojnë në rrugë, e përgëzojnë dhe i thonë: “Ja, vajza e çiftelisë!” Ky është motivimi i saj për të mos e lënë pas këtë trashëgimi kulturore dhe për t’i dhënë jetë këngëve që lidhin të shkuarën me të tashmen. Xhuljana është një shembull frymëzimi për të gjithë të rinjtë që duan të mbajnë gjallë traditat shqiptare, duke treguar se pasioni dhe përkushtimi mund të thyejnë çdo barrierë.