Festivali i këngës së vjetër qytetare "Zambaku i Prizrenit" është themeluar në vitin 1986 nga institucionet e atëhershme kulturore të Kosovës, si ngjarje e vetme kulturore që kultivon zhanrin e muzikës qytetare, si baladat, shansonet e serenatat. Gjatë viteve të 90-a, me shkatërrimin e institucioneve kulturore dhe produksionit muzikor të RTP-së, përgjegjësinë për ruajtjen e traditës e merr SHKA "Agimi", e cila arrin që këtë festival ta bart në vitet e pasluftës, prej kur komuna e Prizrenit merr përsipër menaxhimin e tij. Festivali i këngës qytetare "Zambaku i Prizrenit" mbahet për çdo vit në fund të qershorit/fillim të korrikut, dhe në të interpretohen këngë në gjuhën shqipe, turke e boshnjake. Zambaku i Prizrenit përveç karakterit reprezentativ, çdo vit është shquar edhe me kultivimin e artistëve dhe këngëve të reja të cilat kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në repertoarin e muzikës qytetare, duke afirmuar personalitete të njohura të muzikës si këngëtarë, kompozitorë, poetë, instrumentistë etj, të cilët i kanë begatuar vlerat e mirëfillta muzikore të vendit tonë.