TEKSTESHQIP

Flori Dhe Argjend Lloga: Stop Klipeve Pa Kontroll

28-7-2007
Flori Dhe Argjend Lloga: Stop Klipeve Pa Kontroll
Sa larg dhe afër janë vëllezërit

Këngëtarët e njohur Flori dhe Argjend Lloga do të sjellin një element ndryshe në stilin e tyre të të kënduarit. Së shpejti vëllezërit Lloga do të paraqesin për fansat e tyre një album të ri dhe dy klipe. Edhe kësaj radhe, elementi melankolik do jetë pjesë e Albumit, por ata zbuluan për revistën "Spektër" larmin e rrymave që do përshkojnë 10 kompozimet e reja. Si dhe pikat e forta dhe të dobëta të tyre…

Çfarë mund të na thoni për projektet tuaja më të fundit në fushën e muzikës?
Argjendi: Ka më shumë se një vit që po punojmë për albumin tonë të ri që besoj se do të dalë gjatë verës, pasi puna me kompozimet na ka marrë shumë kohë.

Çfarë lloj rrymash muzikore keni përfshirë në këtë album?
Flori: Ka larmi rrymash, ndryshe nga herët e tjera. Ka këngë të Shqipërisë së Mesme, këngë të veriut, turbofolk, moderne, balada etj.

Lexohet diçka ndryshe në këtë prodhim muzikor?
Flori: Mos t'i ngjajë asnjëra këngë tjetrës dhe të tregojmë se dimë të këndojmë të gjitha rrymat muzikore dhe mos të bëhemi monoton.
Argjendi: Ndërsa unë mendoj se te kënga popullore e çdo krahine ndihem mirë dhe i këndoj bukur. Në këtë album po shpalos edhe një element tjetër që e kam mbajtur të fshehur deri më sot, kënga popullore e Shqipërisë së Mesme, të cilën vendosa ta tregoj në këtë album.

Sa këngë do të përmbajë albumi dhe me kë keni bashkëpunuar?
Flori: Albumi do të ketë 10 këngë, ku të gjitha janë kompozime të reja. Kemi bashkëpunuar me kompozitorët më të mirë kosovarë dhe me kompozitorin Genti Lako në Tiranë, pasi me këtë të fundit kemi pasur shumë sukses. Ndërkohë që me tekstet bashkëpunojmë me Gjergj Jorgaqin dhe Jorgo Papingjin.

Ky album do të shoqërohet me ndonjë klip, nëse po, çfarë do të na thoni diçka konkretisht?
Argjendi: Po, jemi duke mbaruar xhirimet e dy klipeve. Njëri klip është baladë kurbeti dhe mendoj se i përshtatet të gjithë personave, të cilët e kanë prekur drejtpërdrejt vetë emigrimin ose tërthorazi duke pasur njerëzit e tyre.
Flori: Mendoj se ky klip ka për të goditur, për vetë faktin se shumë njerëz, të cilët e kanë dëgjuar krejt rastësisht kanë thënë se këtu jam edhe unë…dhe janë prekur dhe kanë qarë madje. Klipi do kthejë kohën pas, ose më saktë do jetë një copëz realiteti i fillim viteve 90-të. Aty do të pasqyrohen vuajtjet e personave, të cilët shkelën në një realitet krejt të panjohur dhe nuk u priten nga askush.

Klipi dhe kënga kanë një fytyrë?
Argjendi: Absolutisht po, pasi jemi munduar që të koordinojmë deri në detaj tekstin me sekuencat filmike.

Po klipi i dytë ku konvergon?
Flori: Titullohet "Kalimtari i rrugëve".
Argjendi: Më mirë të lëmë diçka mister për fansat...

Titulli duket intrigues, çfarë fshihet pas tij?
Flori: Është një këngë që të fut në thellësi të mendimit… ke rënë në dashuri me një vajzë, endesh rrugëve në mendime dhe dëshiron që të mos kthehesh asnjëherë më me të.

Këngët tuaj kryesisht nga e marrin spunton?
Argjendi: Tekstet mundohemi t'i përzgjedhim jashtëzakonisht shumë. Merremi dhe vetë me to, rrahim mendime me autorët për të realizuar më të mirën. Në kompozime mund të ndërhyjmë më shumë, sidomos kur diçka nuk më vjen aq mirë, kurse në tekste është më shumë dora e autorit.

Sa për qind është e përfshirë jeta e juaj në tekstet e këngëve që ju këndoni?

(Ne) Argjendi: Shumë pak, por tek balada e Kosovës jemi të përfshirë edhe ne 100%, pasi është një pjesë që e kemi vuajtur vetë.

Jeni shumë kërkues dhe deri diku të vështirë do të thosha në përzgjedhjen e teksteve?
Flori: Kënga e bukur duhet të ketë patjetër një tekst shumë të mirë, ku të përcjellë një mesazh jo gjysmak, por të finalizuar. Konkretisht jo më larg se mbrëmë ne kemi kaluar më shumë se 50 tekste për të zgjedhur vetëm një.

Ku mendoni se e keni pikën tuaj më të fortë në fushën e muzikës?
Argjendi: Mendoj se zërin dhe deri diku te paraqitja ime melankolike.
Flori: Thjesht shpreh kush jam në mënyrë të natyrshme dhe spontane.

Ju pëlqen më shumë komerçializmi, pasi fitoni para apo të bërit art?
Flori: Nuk e çoj mendjen ndonjëherë që të bëj një këngë të imponuar, me vjedh nga këngëtarë të huaj. Thjesht më pëlqen me marrë një tekst dhe të bëj zbulime dhe interpretime përmes vokalit tonë.

Në klipe çdo gjë e lini në dorë të produktorëve, apo ndërhyni vetë?

Argjendi: Tani nuk tolerojmë më, pasi në klipet e mëparshme ka ndodhur që kanë vënë një pjesë që ne as që e kemi parë se kur dhe ku është xhiruar dhe ato janë justifikuar me faktin se kjo është puna e jonë.

Flori: Nuk jemi ndjerë fare mirë kur kanë ndodhur. Megjithëse kemi reaguar ndërsa tani as që bëhet fjalë që do e lejojmë një gjë të tillë. Ne vlerësojmë anën artistike dhe jo atë komerçiale. Në këtë album ka më shumë art. Dy këngë mund të kenë komerçialen brenda.

Do bënit një muzikë pa vlera artistike në këmbim të një shume të madhe parash?

Argjendi: Asnjëherë. Pasi e rëndësishme është të bësh një muzikë të bukur që të mbetet në mendjen e njerëzve.
Flori: Nuk diskutohet nga ana e lekëve. Shpenzimet që hedhim ne për një album as që diskutohet se mund t'i nxjerrim përmes blerjeve.

Sa ju kushton një album për t'u realizuar?
Argjendi: Ne mund të jemi ndër këngëtarët që shpenzojmë shumë për realizimin e një albumi. Duke futur këtu edhe shpenzimet e rrugës e shumë element të tjerë, si dhe fakti që ka diferenca çmimesh, këto vijnë nga Amerika dhe Maqedonia dhe çmimi shkon sigurisht shumë herë më lartë. Ka shumë këngëtarë që klipi u ka kushtuar 2 mijë euro dhe e deklarojnë për 10 mijë.
Flori: Çdo kompozim i yni kushton 3 mijë euro.

Çfarë ëndrre është e fshehur në sirtarin tuaj ?
Flori: Ne kemi kënduar që të vegjël bashkë, por ëndrra është që të përfundojmë të dy në Amerikë. Pasi Amerika ka shumë nevojë për këngëtarë siç jemi ne. Pagesat janë shumë më të larta dhe faktikisht rryma muzikore që ne këndojmë është mjaft e pëlqyer.

Sa larg dhe sa afër jeni ju si vëllezër?
Flori: Ne jemi aq afër sa nuk e përshkruaj dot… por do të them këtë që Argjendit i duhet vetëm një telefonatë të më bëj qoftë thjeshtë për të marr pjesë në një eveniment shumë të thjeshtë dhe unë jam aty. Distanca kilometrike shuhet në çdo moment kur vëllai më kërkon.
Argjendi: E tregon edhe balada jonë se si duhet me qenë vëllai me vëllanë.

Çfarë shikon diçka ndryshe kur vjen në Shqipëri?
Flori: Vë re se gjërat janë duke lëvizur pozitivisht. Nuk ka gjë më të bukur të zbulosh Tiranën çdo ditë. Unë po zbuloj Tiranën e re. Futesh në një lagje dhe shikon diçka të mrekullueshme, sa nuk di se ku do drekosh aq shumë restorante të veçanta janë bërë.

Ç'mendim keni për muzikën që bëhet si në Kosovë, si në Tiranë?
Flori: Shoh që ka shumë muzikantë të rinj. Jam në një kohë shumë të shkurtër këtu, dhe gjëja më negative është të futem në internet dhe të dëgjoj një këngë shqipe. E dëgjon këngën, është shumë e bukur, por prapa në sfond dëgjon një këngëtar turk që këndon të njëjtën këngë. Nuk jam dakord me plaxhiaturën, pasi kemi repertor shumë të mirë tonin. Ne duhet që muzikën tonë ta përçojmë në vendet e tjera. Nuk më pëlqen që zërin e tij të bukur ta shprehë me një këngë të huaj, e cila është bërë hit. Normalisht që për dëgjuesit ajo bën ndryshimin, pasi është punuar një vit për atë këngë dhe kjo nuk mund të quhet konkurrencë e drejtë.
Argjendi: Nuk diskutohet se ka artistë që i ruajnë vlerat…por ka edhe shumë pseudo këngëtarë që konkurrojnë në mënyrë të pandershme, pasi marrin dhe përkthejnë një këngë greke apo rumune, pa u lodhur fare. Nëse ne kemi një hit duhet të luftojmë që të hedhim poshtë 20 hitet e Evropës që janë kopjuar nga këngëtarët tanë dhe që janë në tregun muzikor.

Ju ka lindur ideja ndonjëherë të bashkëpunoni me ndonjë këngëtare?
Flori: Tani për tani gjërat po na shkojnë shumë bukur.
Argjendi: Nëse ka vlera artistike si këngëtare, ne jemi të hapur, pse jo.
(zemrashqiptare)

Komente 0