>
BIOSHQIP

Vëllimi Poetik I Arjana Fetahut Që Të Trazon Ndjenjën

10-08-2021
nga Albert Z. ZHOLI-shkrimtar, publicist Libri me poezi "Sa do të doja..." i poetes Arjana Fetahu (Gaba), vjen në një kohë Pandemie, kur bota nën pushtetin e saj ka humbur gjallërinë dhe jetën kolektive. Ndoshta është kjo situatë, kjo mënyrë e re jetese, që i ka dhënë shtrysë autores për të botuar librin e ri me poezi. Ky libër frymon me një erë të re optimizmi, me teamtika që përmbajnë mesazhe të qarta njerëzore, artikulim estetik ku metafora zë një vend kyç, që harmonizon tematikën dhe idetë e saj në poezi. Duke ndjerë me realizëm problematikën e jetës në këto 2 vite, autorja nëpërmjet qëmitimit të kësaj koherence ka zbërthyer në mënyrë elitare shkaqet, pasojat e dhimbjes duke bërë një strukturim të kujdesshëm të lëndës apo të subjektit delikat. Në libër gjen, atdheun, pandeminë, vajzën, djalin, shoqërinë, burrin, dashurinë, dhimbjen, dyzimin, nënën, babanë, plagët e shoqërisë, ëndrrat, vegimet, melankolinë e përjashtuar, dhimbjet e jetës, por aty gjen me plot ndjenjë Çamërinë, dhimbjen e madhe të çdo shqiptari të ndershëm. Në situatë të veçanta dhimbja e saj është në përmasat e ndjeshmërisë së nënës hallemadhe, ku ajo si një shërbëtore ndaj dhembjes dhe dashurisë, shtegëton dhe reagon me përkujdesje ndaj fenomeneve duke dhënë shkëndija shprese dhe buzëqeshjeje besimi, deri në përmasat kërkuese ndaj eksistencës. Arjana Fetahu (Gaba) me përkushtim edhe përtej asaj që shfaq në pamjen e jashtme delikate, në këtë vëllim përcjell varg elegant, poezi plot hijeshi, një harmonizim sharmant që ka të bëjë me kultivimin që ajo i bën poezisë si portretizim artistik. Jam drithëruar ku kam lexuar poezitë kushtuar, fëmijëve, prindërve, por sidomos nënës…. KULAÇI Nëna mblodhi miellin e fundit, Dhe e mërzitur uli sytë, Me duart e dridhura nga nga hallet dhe mundi, Gatoi kulaçin e fundit atë ditë. Ne rrinim rreth saj si zogj dimërakë, Të mardhur nga era dhe acari, Me zor prisnim shenjën të na ftonte për darkë, Të dilte kulaçi nga zjarri. E dinim që me të s’do na shuhej uria, Dhe stomaku do mbetej prapë bosh, Por në duart e nënës rri vetë dashuria, Dhe ato ke dëshirë ti vështrosh. Prandaj fshinim lotët dhe zinim të qeshnim, Harronim urinë dhe mjerimin, Kulaçi i vogël me miellin e fundit, Nuk mund të na e vriste gëzimin. Kjo poezi sjell një dimension të ri një dhembje universale, një dashuri që nuk njeh përmasa. Kulaçi nga duart e nënës të ngop më shumë se çdo ushqim tjetër. Në atë kulaç ka dashuri, ka lot, ka mirësi, ka dhembshuri, ka falje, ka urim, bekim nga zemra e nënës. “Pa diell nuk ka lule, pa dashuri nuk ka fat, pa grua nuk ka dashuri, pa nënë nuk ka poetë, as heroj!” – Maxim Gorky. “Dashuria e nënës është karburanti që lejon një person të thjeshtë për të arritur të pamundurën!” – Marion C. Garretty. Jo pak here, në themel të poezisë së autores qëndrojnë fjalë të urta që ajo i ka mësuar nga prindërit dhe i ka pasur si udhërrëfyese në jetë. Tek këto fjalë që janë si busull dhe mburojë jetësore, autorja ka përcjellë në stilin e saj vargje ku marrin konture të qarta dashuria për popullin, atdheun, trimërinë, lirinë, për ndershmërinë, vendlindjen, për miqësinë, besën, punën, pra për ato virtyte dhe cilësi origjinale që e kanë dalluar në shekuj popullin shqiptar. Një kostum poetik ky që idealizon historinë shqiptare. Çamëria pa asnjë dyshim është njëra nga plagët më të mëdha të kombit shqiptar me fatin më tragjik në Evropë. Autorja e këtij libri është një vajzë çame. Një vajzë që i dhemb po aq sa prindërve të saj toka e të parëve që i kanë dëbuar padrejtësisht. Ne si komb u copëtuam padrejtësishtë nga fuqitë e huaja ku tashmë dhimbja më e madhe quhet Çamëri. Çamëria jonë, ky territor historikisht i Shqipërisë edhe kur u shpall Pavarësia e Shqipërisë në Vlorë me 28 Nëntor 1912-të, ishte pjesë e këtij akti madhor dhe Ismail Qemaili, kryeministri dhe babai i shquar i kombit, shënoi emrin e Prevezës së bukur në pergamenën e Pavarësisë. Çamëria gjithnjë ka qenë shqiptare, autoktone dhe këtë fakt e di gjithë bota ndaj ne nuk duhet të harrojmë gjenocidin e Greqisë, Zervën, ato mijëra viktima. Ja si shprehet autorja: ERDHA NËNË ÇAMËRI Erdha nënë Çameri, erdha, Erdha unë, mbesa jote nga Shqipëria, Erdha të shoh pak nurin tënd, Erdha të shoh shtëpitë e mia. Ëndrra e autores është të kthehet te vendi i të parëve, te shtëpia e braktisur, te tokat e lëna djerrë, te varret e stërgjyshërve, te kujtimet e gjyshërve, aty ku kujtimet e fisit kanë një histori mijëravjeçare. Përderisa ëndërron, autorja ka shpresë, ka dëshirë, ka një amanet që se tret dheu, që ajo beson në kthimin e madh. Së fundmi dua të theksoj se, ky vëllim poetik është një nismë konkrete individuale e autores që jetën nëpërmjet vargut ta shohim me të gjitha ngjyrat e ylberit, jo vetëm bardhë e zi. Vërtet Pandemia na ndau, por dhe na mësoi se si të jetojmë ndryshe, si të mendojmë ndryshe, por mbi të gjitha se si të duam ndryshe. Pra, si të duam pa urrejtje, pa xhelozi dhe ligësi, pasi jeta na ndesh me të papritura të pabesushme ku vetëm e bukura, njerëzorja mund të na sjellë triumfin ndaj së keqes. Autorja nuk idealzion asgjë, por konkretizon jetën me të mirat dhe me të këqiajt dhe mbi të gjitha servir rrugën e lumturisë nëpërmjet punës dhe respektit reciprok, si çelësi i artë për një jetë të begatë. Në këtë libër autorja ka një vargëzim estetikisht luajal, artistikisht elegant ku ndërthurja e vargut të lirë me atë modern përcjellin te lexuesi se kemi të bëjmë me një autore larg shabllonimzit dhe plagjiaturës, ku vargu del organik, i virgjër, larg sforcimeve dhe mbingarkesave pa shije.
(Albert Z. Zholi)

Vëllimi Poetik I Arjana Fetahut Që Të Trazon Ndjenjën