TEKSTESHQIP

(1928-2020)

Biografia
Artisti i Popullit Avni Mula, këngëtar dhe kompozitor i suksesshëm, autor i mjaft këngëve fituese në aktivitete muzikore kombëtare. Avni Mula lindi në Gjakovë në vitin 1928. Studimet e larta muzikore i kreu në Konservatorin "Çajkovski" të Moskës (1952-1957), ku u diplomua si këngëtar lirik. Karrierën artistike e nisi menjëherë mbas kthimit nga Moska si solist në Teatrin e Operës dhe Baletit, duke realizuar role kryesore të repertorit operistik të kohës, përmes së cilave u dallua për nivelin e lartë të zgjidhjeve muzikore-skenike. Veçohen realizimet e figurës së Figaros te "Berberi i Seviljes" të Rosinit, Onjeginit tek "Eugjen Onjegin" të Çajkovskit dhe Gjetës tek "Mrika" e Prenk Jakovës. Zhvilloi një aktivitet të pasur koncertal brenda dhe jashtë vendit. Veprimtarinë krijuese e nisi në gjysmën e dytë të viteve ’60, fillimisht në fushën e këngës e të romancës dhe më pas si autor i veprave të mëdha vokale-koncertale, kantata, poema vokale dhe skenike, ku veçohen opereta "Karnavalet e Korçës" dhe opera "Borana". Firmën e tij mbajnë edhe shumë këngë të muzikës së lehtë, mes të cilave "Valsi i lumturisë".

Avni Mula ka ndërruar jetë në moshën 92-vjeçare. Lajmin e ka dhënë vet e bija, tenorja e famshme Inva Mula. Përmes një postimi në ‘Facebook’, Inva Mula shkruan fjalë prekëse dedikuar gjigandit të këngës shqiptare, ku spikat ‘Valsi i Lumturisë’.