Elia Zaharia është këngëtare e njohur. Elia është me profesion aktore dhe është vajza e Gjergj Zaharias, i cili punon prej mëse 35 vjetësh në arsim, ndërsa nëna e saj Yllka Mujo, e nderuar me çmimin “Mjeshtre e Madhe”, është aktore në Teatrin Kombëtar prej më shumë se 30 vjetësh. Tashmë Elia Zaharia quhet princeshë Elia Zaharia Zogu, pasi është martuar me Pirncin Leka.
Që në vitet e adoleshencës, Elia Zaharia ka shfaqur prirjet e saj vokale në muzikën e lehtë shqiptare. Nga viti 1999, deri në vitin 2002, ajo ka qenë këngëtare në grupin mjaft të suksesshëm për kohën "Spirit Voice". Në këtë periudhë Elia ka qenë e angazhuar me koncerte në të gjithë Shqipërinë dhe Kosovën. Në vitin 2000, ky grup ka mbajtur një sërë koncertesh bamirësie në Kosovën e pasluftës. Shumë herë është vlerësuar me çmime prestigjoze në festivale kombëtare.
Më datë 21 Shkurt 2008, Elia Zaharia i rikthehet muzikës, këtë herë si soliste me një këngë shumë të suksesshme, që arriti majat e klasifikimeve muzikore "October 31". Kënga flet për dhunën në familje dhe u vlerësua me çmimin: "Interpretuesja më e mirë" në Video-Fest Prishtinë.